Flet Ilir Dyrmishi, Drejtor Promocioni, Vizion Plus
Vizion Plus ka vendosur që këtë sezon të ruajë strukturën bazë të programeve të tij, që janë konsoliduar në sezonin e kaluar, duke shtuar tek-tuk edhe të reja.
Për Ilir Dyrmishin, Drejtor Promocioni në Vizion Plus, kjo vjen si pjesë e përshtypjeve që merren nga publiku, i cili ka qenë pozitiv. Serialet, dhe kryesisht ato turke, do të jenë të pranishme edhe në këtë sezon të ri në televizione dhe duket se pandemia ka diktuar kostot.
Prej dy vitesh po jetojmë nën efektin e pandemisë së COVID-19. Si janë ndikuar programacionet e televizioneve nga kjo situatë, ne çfarë forme?
Pandemia pati, padyshim, efekt dhe ndikim të madh, ashtu sikurse në çdo sektor tjetër. Mungesa e publikut nëpër spektakle, studio ku duhej të respektoheshin masat anti-COVID me numër të kufizuar të ftuarish në audiencë e bën të pamundur një transmetim normal.
Si çdo biznes tjetër, edhe media do të përfshihej në vorbullën e një situate aspak të favorshme financiare, por që ia dolëm ta menaxhojmë me sukses. Pavarësisht kushteve të vështira, Vizion Plus vijoi të ishte afër publikut shqiptar, pasi besojmë se marrëdhënia dhe roli që ka një media në jetën e përditshme, është një element shprese dhe frymëzimi shumë i rëndësishëm.
Cilat janë emisionet e reja që do të shohim në këtë sezon në Vizion Plus dhe cilat janë emisionet bazë të strukturës që do të mbeten në ekran, që kanë qenë edhe në sezonet e kaluara?
Nisur nga feedback-u i sezonit të kaluar kemi vendosur t’i qëndrojmë strukturës bazë në programacion, sigurisht duke e përmirësuar dhe duke e pasuruar me elemente të reja, që synojnë të mbajnë të mbërthyer audiencën pas ekranit. Vizion Plus ka qenë dhe mbetet një televizion për të gjithë familjen, nga më të vegjlit deri tek të moshuarit, për amvisat, besnikët e politikës, pasionantët e spektaklit dhe humorit, adhuruesit e teknologjisë, ndjekësit e ekonomisë, gjithçka për këdo dhe kurdo.
Do të jemi për ditë edhe në këtë sezon, nga e hëna në të premte, me formatet tashmë traditë të ekranit të Vizion Plus, “7pa5”, “Next, “Vizioni i Pasdites” e “Fake Off”. Dilemat dhe pikëpyetjet e aktualitetit të cilave nuk u japim dot përgjigje i zgjidhim çdo të hënë mbrëma, në “Quo Vadis” me Pranvera Borakaj. Temat më të përfolura të momentit dhe debatin e nxehtë politik e jo vetëm e zhvillojmë çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte në studion e Alban Dudushit.
E marta do të vijojë të mbetet mbrëmja e show-t e muzikës, ku pas maratonës së “Këngë Moj”, producentët Pandi e Bledi Laço dhe Adi Hila do të sjellin të tjera surpriza të këndshme për publikun shqiptar. Kamera e “Armikut të Popullit” nuk ndalet as në këtë sezon, për të sjellë tek ju çdo të mërkurë, gjithçka që i “fshihet” ekspozimit publik. Sokol Bregu do të vijojë të enjteve në darkat vonë me “Natën e mirë dhe Paç Fat”, ku do të përballen statistikat, format dhe ngjarjet kriminale me mesazhe dhe ide, të përcjella nga njerëzit me influencën më të madhe në opinionin publik. Lifestyle, moda dhe humori do t’ju shoqërojë edhe në këtë sezon të shtunave mbrëma.
Jonida Maliqi sjell të tjera risi në formatin e saj, që do t’iu shoqërojë deri në darkë. Kurse në orën 21:00, Agron Llakaj dhe ansambli i aktorëve në “Alpazar” do të mbushin mbrëmjet tuaja të së shtunës plot të qeshura dhe humor. Ekonomia do të ketë sërish vëmendjen tonë, ku çdo të diel do të sjellim analizat dhe opinionin e ekspertëve më të mirë të fushës.
Si ka qenë ky sezon në blerjen e serialeve, telenovelave? A kanë ndryshuar çmimet e tyre në tregje? Cilët janë tregjet më interesante në këndvështrimin tuaj?
Trendi ka mbetur i pandryshuar, nuk mungon asnjëherë përkujdesja dhe vëmendja e duhur në përzgjedhjen e serialeve. Kështu, përveç serialeve turke, pjesë e strukturës programore të Vizion Plus, si “Grua”, “Familja e Madhe” dhe “Molla e Ndaluar”, do të ofrohen në këtë sezon edhe dy tituj të rinj, po nga kinematografia turke, me rekorde suksesi e vlerësimi, si ata të sipërpërmendur.
Bëhet fjalë për “Akrepi” dhe “Historia Jonë”. Pandemia ka diktuar çmimet në tregje, shumë seriale ndërprenë prodhimin e tyre, të tjerë shtynë kohën e xhirimit, si pasojë e karantinës. Kjo rëndoi më shumë mbi kostot e produksionit e për rrjedhojë, diktoi edhe nivelin e çmimit.
Për sa u takon tregjeve të serialeve televizive, në këndvështrimin tim, kinematografia turke vijon të mbetet më interesantja, më tërheqësja dhe ajo që kënaq më tepër shijet dhe kërkesat e publikut shqiptar për momentin. Evoluimi është i dukshëm qoftë në cilësinë e prodhimit, ashtu edhe në zhvillimin e subjektit, kjo i bën ata gjithmonë e më tërheqës për tregun shqiptar.
Cili do të jetë raporti mes aktualitetit, politikës dhe argëtimit. Cili do ta mbajë peshën më të madhe dhe pse?
Kanë qenë vite të vështira jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë globin. Kaluam momente të cilat nuk do të donim të përsëriteshin kurrë, tërmeti dhe pandemia, fundi i së cilës duket ende larg, dhe gjithkush është i lodhur e i stresuar. Edhe aktualiteti i ngarkuar politik, fushata elektorale dhe zhvillimet e vrullshme të momentit në politikën shqiptare, kanë ndikuar dhe ndikojnë jo pak në përditshmërinë tonë.
Besoj se ilaçi më i mirë kurues në këto momente do të ishte më shumë humor e argëtim, më shumë tema sociale, ku mbizotërojnë problemet reale dhe interesi publik. Në fund të ditës, ajo që ka rëndësi për secilin nga ne është ajo çfarë ndodh brenda familjes sonë, dhe jo humori i njërit apo tjetrit politikan.
Në këtë kuadër, për të qenë sa më pranë shijeve dhe kërkesave të publikut, kemi menduar që në këtë sezon t’i japim më shumë hapësirë show-t, humorit dhe aktualitetit, duke mos lënë mënjanë as moderimin e debatit politik. Pesha specifike e gjithsecilit është në funksion të një qasjeje sa më të mirë e një komunikimi sa më cilësor që i shërben interesit publik.
Po sa i takon raportit, prodhime tuajat dhe blerje, si qëndron në përqindje dhe si ka qenë ecuria nga viti në vit i këtij raporti?
Prodhimet “in-house” vijojnë të zënë peshën më të madhe në totalin e programacionit të Vizioni Plus. Në strukturën programore javore, produksionet e prodhuara në Vizion Plus zënë gati 65 – 70% të totalit të përgjithshëm të orëve të transmetimit.
A është bërë audienca më përzgjedhëse në programet që ndjek dhe cilat janë disa nga tendencat që keni vënë re në sjelljen e saj karshi asaj çfarë ofrohet në ekran?
Audienca është gjithmonë përzgjedhëse, madje do të thosha, deri diku, edhe e paparashikueshme. Nëse studion si duhet shijet dhe kërkesat e audiencës, kohën kur ajo është më e ekspozuar në raport me ekranin dhe të gjesh kombinimin e duhur mes këtyre elementeve, ia ke dalë të fitosh vëmendjen e saj.
Por kjo nuk është aspak e lehtë, për më tepër, kur sjellja e saj paraqitet po aq dinamike sa edhe vetë përpjekja për ta parashikuar atë. Tendencat vijojnë të mbeten serialet, të cilat janë ndër programet më të ndjekura e të preferuara, të pasuara nga formatet reality dhe spektaklet e humorit dhe muzikës. Sikurse e përmenda edhe më sipër, ka qenë një periudhë mjaft e vështirë, e cila ka pasur ndikim edhe në sjelljen e audiencës, pasi koha e shpenzuar pranë ekranit ka qenë relativisht më e madhe.
Po interesi i biznesit si mbetet për të reklamuar, duke qenë se vitin e shkuar pati një rënie drastike të buxheteve të marketingut? Si paraqitet situata këtë vit?
Pandemia ka sjellë një reaksion zinxhir. Nuk mund të themi që ka rënë interesi i biznesit, por gjithçka ka qenë e diktuar nga situata. Biznesi ka qenë i detyruar të rialokojë fondet, në mënyrë që t’i përshtatet situatës. Të mos harrojmë që shumë biznese mbyllën përkohësisht aktivitetin, një pjesë punuan me staf të reduktuar, pati nga ata që nuk ia dolën dot, dhe e gjithë kjo nuk ka sesi të mos të ketë ndikim në politikat e marketingut. Nga ana tjetër, për sa kohë që askush për momentin nuk mund të thotë apo të japë me saktësi fundin e kësaj pandemie, situata do të vijojë të mbetet e pasigurt, ku vështirë se mund të bësh parashikime.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.