Me nismën e kryeministrit Berisha, u zhvillua të enjten e javës së kaluar Workshopi “Shqipëria 2022, Mundësitë dhe Sfidat për rritje ekonomike afatgjatë”, i cili shënon nisjen e një serie aktivitetesh bashkëbisedimi me grupet e interesit, akademikët dhe profesionistët mbi tema të zhvillimit afatgjatë dhe integrimit europian të vendit. Me synimin që nëpërmjet një dialogu të përbashkët të ndërtohet vizioni për 10 vjeçarin në vijim, Kryeministri ftoi përfaqësuesit e botës akademike, të profesionistëve të biznesit dhe të shoqërisë që të japin opinionet dhe sugjerimet e tyre mbi çështjet ekonomike, mundësitë realiste për zhvillim ekonomik, vështirësitë, rreziqet, si dhe politikat dhe instrumentet për të mundësuar një rritje ekonomike të lartë, përfshirëse dhe të qëndrueshme. Të pranishmit dhanë mendimet e tyre, sipas fushave të caktuara, si dhe shkëmbyen idetë për të përmirësuar rrugët dhe format drejt një ekonomie në rritje dhe në zhvillim. (për më shumë detaje shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës).
Në pamje të parë, nuk përbën ndonjë lajm të veçantë fakti që kryeministri i vendit u takua me përfaqësuesit e biznesit e ekspertë. Takime të tilla janë zhvilluar gjithnjë mes institucioneve drejtuese dhe sektorit privat, që në fund të fundit është motori i ekonomisë, pasi siguron më shumë se 70% të prodhimit të brendshëm bruto. Sidomos me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme, politikanët e të gjitha krahëve, e kthejnë gjithnjë e më shpesh vëmendjen nga sipërmarrja private, si një lëvizje që u siguron atyre kredo politike, por dhe u shërben për të tërhequr një elektoral që ka një peshë të rëndësishme porsa i përket punësimit në vend. Por, megjithatë, në një vështrim më të hollësishëm, workshop-i, në mënyrën si u zhvillua, i tejkalon takimet që janë realizuar deri tani, për disa shkaqe:
-Së pari, tërheq vëmendjen arsyeja se pse ky takim u mbajt pikërisht tani. Natyrshëm, krahas afrimit të zgjedhjeve të ardhshme, lidhja bëhet me momentin kyç në të cilin ndodhet vendi, kur tashmë është më pranë se kurrë marrjes së statusit të vendit kandidat, (pavarësisht se kjo mund të vijë me kushte). Shqipëria po ecën në rrugë të mbarë drejt integrimit në Bashkimin Europian, që nënkupton jo vetëm që vendi do të jetë më interesant për investitorët e huaj, por dhe që ka arritur një nivel zhvillimi e harmonizimi legjislacioni me BE-në, që do të jenë një faktor mbështetës në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Një dekadë e re kjo për ekonominë shqiptare, ku nuk jemi më vetëm, e bën të veçantë qëllimin dhe momentin e këtij takimi.
-Së dyti, është niveli i lartë i përfaqësimit, ku merrnin pjesë aktorët më në zë të biznesit dhe të gjitha shoqatat që janë zëri i biznesit që vepron në Shqipëri. Ndaj është i natyrshëm interesi që ngjalli worshop-i dhe pasqyrimi i tij i gjerë në të gjitha mediat vendase. Tërheqja e interesit të gjithë përfaqësuesve të biznesit, jo thjesht vetëm me një takim, por në mënyrë konstante (nisma pritet të vazhdojë) shtron piketat për një bashkëpunim afatgjatë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm të vendit.
Në fakt, prej kohësh po flitet për nevojën e një modeli të ri ekonomik, teksa ai zhvillim spontan i bizneseve i pas viteve ’90, përveçse ka arritur prej disa vitesh maturimin, po merr dhe një goditje shtesë nga pasojat e krizës ekonomike globale dhe sidomos asaj të borxheve europiane, që kanë zbritur ritmet e rritjes ekonomike në vend nga gati 8% në 2008-n, në rreth 1% që pritet të jetë zgjerimi ekonomik për këtë vit. Dhe në kushtet kur krizës së borxheve europiane nuk po i duket fundi, dhe duket se Europa do të vazhdojë të lëngojë dhe në një periudhë afatmesme, përshpejtimi i ritmeve të rritjes ekonomike në Shqipëri duhet të vijë duke shfrytëzuar burimet e brendshme. Burime që nuk janë të pakta, por që duhen orientuar sa më mirë, për të siguruar një rritje të qëndrueshme, për të cilën kemi aq shumë nevojë dhe ku potencialet janë të shumta, pasi Shqipëria nuk e ka kaluar tranzicionin, por thjesht ka hyrë në një fazë më të zhvilluar të tij dhe më të vështirë për të ecur. Sektorët prioritarë tashmë janë të mirë përcaktuar, me bujqësinë, turizmin energjetikën dhe industrinë përpunuese, që do të udhëheqin rritjen në afatin e gjatë. Burimet financiare mund të duken të tkurrura për momentin, por me depozitat që po rriten ndjeshëm, ato do të mund të çlirohen në funksion të zhvillimit të vendit (hapi i parë psh ishin diskutimet për krijimin e një banke zhvillimi, ku pronësia mbetet për t’u diskutuar). Biznesit vendas nuk i mungojnë energjitë dhe këtë ai e ka treguar prej vitesh, por ai ka çaluar pikërisht në mungesën e orientimit (kujtojmë investimet e pafund në pasuritë e paluajtshme, që sot po kthehen në një bumerang për ndërtuesit). Një strategji gjithë përfshirëse afatgjatë do të bënte të mundur që këto burime, potenciale e energji të orientoheshin në drejtimin e duhur, me një mjedis fiskal e makroekonomik që do të luante rolin e një mbështetësi të rëndësishëm.
Dhe teksa vitin e ardhshëm, vendi ynë do të përfshihet nga ethet e zgjedhjeve elektorale, janë pikërisht politika të tilla afatgjata, që do të bëjnë diferencën, në raport me vizionet dritëshkurtra.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.