Agresiviteti i pandemisë Covid-19 mbajti nën presion udhëtimet e shtetasve të huaj drejt Shqipërisë edhe në muajt e parë të këtij viti, por rritja e vizitorëve nga Kosova frenoi rënien gjatë janar – shkurt 2021.
Sipas të dhënave të INSTAT hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë shënuan rënie me 28,2%. Në shkurt lëvizjet ishin edhe më të dobëta se në janar, pasi rënia vjetore e vizitorëve të huaj ishte 31%, ndërsa në janar ishte 25.7%.
Bilanci i udhëtimeve u stabilizua disi nga rënia drastike e shqipëtarëve që kanë udhëtuar jashtë vendit. Gjatë janar-shkurt 371.707 udhëtuan jashtë, nga 500.637 persona, duke rënë 45,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Frenimi i udhëtimit jashtë vendit, ka nxitur turizmin e brendshëm duke kompensuar disi konsumin e munguar të vizitorëve të huaj. Fundjavat në qytetet bregdetare gjatë shkurtit janë mbushur me turistë të brendshëm dhe shqiptarëve nga Kosova.
Nga të gjitha vendet e origjinës së vizitorëve të huaj, rritje shënuan vizitat e shqiptarëve nga Kosova me rreth 10%. Gjatë janar-shkurt erdhën në Shqipëri 162 mijë persona nga rreth 148 mijë në të njëjtën periudhe më parë.
Rritje kanë shënuar edhe vizitorët nga Zvicra. Ndonëse të paktën në numër në raport me totalin e turistëve, zviceranët që vizituan Shqipërinë ishin 24% më shumë në dymujorin e parë 2021 me rreth 3500 persona gjithsej.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë dy muajve të parë të 2021 është 343.502, duke rënë me 28,2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Në shkurt 2021, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 158.173, me rënie vjetore 30,9 %.
Gjatë dymujorit të parë të 2021, me uljen më të ndjeshme të udhëtimeve drejt Shqipërisë e ka pasur Greqia me 87,3% dhe Anglia me 74,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020.
Zhvillimet në sektorin e turizmit mbeten të paqarta dhe jo shumë optimiste për shkak të pandemisë. Vendet që kanë qene burim kryesor i ofertës turistike për vendin tonë po aplikojnë masa shtrënguese në lëvizje.
Edhe këtë vit pritet të mbizotërojë oferta rajonale, kryesisht nga Shqiptarët e trojeve që tashmë kanë krijuar një traditë pushimesh në Shqipëri edhe për fundjava. Udhëtimet e tyre drejti vendit tonë janë shtuar edhe më shumë për shkak se ata nuk mund të udhëtojmë në destinacione të tjera jashtë vendit për shkak të pandemisë. Shqipëria nuk ka aplikuar masa kufizuese, ndaj edhe këtë vit, oferta kryesore do të jetë nga shqiptarët e Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.