Një kthesë e politikave të financave për të pasur një përqasje më pozitive ndaj biznesit, pas aplikimit të pamenduar të një “terapie elefanti” për luftë kundër informalitetit, ulja e kredive me probleme në muajt e parë të vitit, e shoqëruar me një rritje të ndrojtur të huasë, një përmirësim i lehtë i besimit të sipërmarrjeve, krijuan idenë në gjysmën e parë të vitit se pranvera në ekonomi po vinte gradualisht, për t’i hapur rrugën stinëve të ngrohta.
Por, me sa duket, “një lule nuk e sjell pranverën”. Retë që na kanë shoqëruar këta muaj të nxehtë kanë mbuluar dhe ekonominë shqiptare, teksa treguesit filluan të përkeqësoheshin sërish sa hap e mbyll sytë, ende pa u mbyllur sezoni veror i pushimeve me ngritjen sezonale të volumeve të biznesit që ai sjell zakonisht.
Kreditë me probleme u ngjitën në 21.2% në fund të korrikut dhe huatë e pakthyera nga biznesi arritën në 24.4%, duke treguar se ulja e fillimvitit ishte iluzion i krijuar thjesht nga efekti kontabël i fshirjes së kredive të humbura, që kishin më shumë se tre vjet që nuk ktheheshin. Rritja vjetore e huadhënies në ekonomi është afër zeros, duke i bërë pothuajse “nul” përpjekjet e ethshme të Bankës së Shqipërisë që e ka ulur normën bazë në nivele minimale rekord prej 1.25%. Banka e Shqipërisë sinjalizon në raportin e fundit se sipërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë raportuar rënie të shitjeve, ndërsa ato të mëdhatë vijojnë të rezistojnë (kujtojmë se ekonomia shqiptare është e përqendruar te sipërmarrjet e mesme dhe të vogla, që zënë mbi 90% të totalit).
Shpenzimet kapitale nuk po arrijnë të mbështesin ekonominë e dobët. Në tre vitet e fundit (2014-2016), niveli i shpenzimeve kapitale për 8-mujorin ka mbetur në shifrat e 27-29 miliardë lekëve, duke qenë shumë më të ulëta se në 2012-2013, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, disbursimet në këtë zë buxhetor kanë qenë mesatarisht 10-30% më të ulëta edhe sesa plani.
Të ardhurat në buxhet, pas një fillimi pozitiv janë ngadalësuar ndjeshëm. Nga zgjerimi dyshifror i muajve të parë, rritja faktike vjetore për 8-mujorin ishte vetëm 7.2% dhe pritet të ngadalësohet edhe më tej, ndërsa krahasimi me planin ka kaluar në terren negativ tashmë. Situata bëhet e pashpresë, teksa financat nuk do të “gëzohen” më me këstet mujore të “marrëveshjes” me Bankers Petroleum prej rreth 5 milionë dollarësh në muaj, dhe bizneset – sipas Bankës së Shqipërisë – kanë raportuar rënie të shitjeve. Po ashtu edhe shfuqizimi i vendimit për pagat referencë të profesioneve të lira nga Gjykata Kushtetuese do t’u heqë Tatimeve nga dora edhe një të ardhur tjetër të sigurt.
Ngadalësimi i ndjeshëm i parasë në qarkullim është një argument që e rikthen në vëmendje shqetësimin për tkurrjen e konsumit dhe rrezikun e deflacionit, ndonëse shifra të tjera duken pozitive në pamje të parë (kthimi i konsumit në pozitiv është më së shumti fiktiv, pasi është ndikuar nga formalizimi i dyqaneve të vogla, ndërsa përshpejtimi i inflacionit në 2% duket “i ndihmuar” nga taksat dhe nuk ka ardhur përgjithësisht nga faktorë të kërkesës, që do ta bënin këtë rritje të shëndetshme).
Perceptimi negativ i biznesit, që arriti kulmin në fillim të vitit, duket se u përkeqësua sërish, pas disa grabitjesh të bujshme në banka, të lëna pa autor dhe dhunimi i sipërmarrësit libanez Fadi Mitri së fundmi, që janë një sinjal mjaft domethënës për faktin se qeveria nuk po arrin të vërë në kontroll rendin e sigurinë publike në vend.
Në fakt, evidentimi që iu bë dhunës ndaj sipërmarrësit libanez, nuk bëri gjë tjetër veçse vuri në dukje një dhunë që ndodh sistematikisht në vend për konflikte, që lidhen me pronësi të diskutueshme, apo me situata konkurrence në biznes. Ky është dështimi flagrant i shtetit në një nga funksionet më të rëndësishëm të tij, pavarësisht trumbetave që bien në kremtim të lyerjes së radhës, që pompohet në stilin hoxhist, si një fakt se kemi krijuar institucione të një standardi modern.
Në fakt, besimi tek institucionet, që historikisht ka qenë i ulët, duket se është dobësuar edhe më tej, ndërsa çdo ditë ka fakte që ulërasin për një degradim galopant të mëtejshëm.
Sikur të mos mjaftonin këto më sipër, piruetat e fundit që shoqëruan kalimin spektakolar të qeverisë nga një oponencë në caqet e skizofrenisë dikur ndaj importit të plehrave në një mbështetëse të vendosur të tij, janë shenjë evidente se qëndrueshmëria në politikëbërje është një fjalë e huaj për politiken shqiptare të këtyre viteve.
Dhe këto probleme, që fare mirë mund të ishin të zgjidhshme, u shtohen atyre që kemi trashëguar prej vitesh dhe janë kthyer në gangrenë si pronat, apo korrupsioni endemik në administratën publike qendrore e lokale.
Edhe ato pak efekte pozitive që i solli vera me turizmin sezonal, po zhduken shumë shpejt dhe po vjen me shpejtësi një Stinë e vrenjtur, që duke qenë se në 2017-m kemi të bëjmë me vit elektoral, duket si fillimi i një dimri qe do të zgjasë 1 vit, në mos më shumë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.