Vlera e importeve farmaceutike arrin rekord në dhjetor prej pandemisë, 25 mln euro

01/02/2021 11:02 PM 0 komente

Vlera e importeve të produkteve farmaceutike shënoi rekord historik në muajin dhjetor si pasojë e kërkesës së nxitur nga pandemia e Covid -19.

Sipas të dhënave të INSTAT, në dhjetor 2020 u importuan mbi 3 miliardë lekë produkte farmaceutike ose 25 milionë euro, me një rritje 19% me dhjetorin e vitit të kaluar. Vlera e importeve në dhjetorin e vitit 2020 ishte më e larta krahasuar me të njëjtin muaj që nga viti 1990.

Pavarësisht se vlera e importeve u rrit, sasia e tyre rezultoi me ulje të lehtë. Kjo tendencë, sipas kompanive të mëdha të tregut, lidhet me faktin se për nevojat pandemike po importohen disa produkte me çmim të lartë.

Në total, gjatë vitit 2020, importet e produkteve farmaceutike shënuan një vlerë prej 25 miliardë lekësh, ose 205 milionë euro, me një rritje rreth 4% në raport me një vit më parë.

Në mars- prill, pas karantinës, kompanitë farmaceutike nxituan të importonin, teksa situata ishte e pasigurt, duke krijuar edhe stoqe. Kjo çoi në rënien e importeve në muajt në vijim, duke u rritur sërish më pas ndjeshëm në tre muaj e fundit të vitit 2020, si rrjedhojë e shtimit të kërkesës pas rritjes së rasteve të Covid-19. Burimet nga tregu pohojnë se tendenca e importit të produkteve që lidhen me pandeminë do të jetë e lartë edh në tre muajt e parë të vitit.

Përfaqësuesit e zinxhirit të tregut farmaceutik që nga depot deri të shitjet me pakicë pohojnë se vala e dytë e virusit sidomos përshkallëzimi në nëntor ka nxitur konsumin e shumë medikamenteve.

Mjekët dhe farmacistët pohojnë se pandemia ka rritur shitjet e një baze të gjerë produktesh farmaceutike që përfshin grupin e suplementeve, vitaminave, antibiotikëve, kortizonikëve, antikaulgulantëve (hollues të gjakut), antiulcerozet, antinflamatorët, antidepresante, antiulceroze etj dhe një sërë preparatesh të tjera mjekësore që nevojiten për trajtimin e pandemisë.

Të dhënat mbi tregtinë me pakicë tregojnë se sektori i farmaceutikës i realizon shitjet më të mëdha në periudhën e dimrit sidomos në muajt dhjetor, janar dhe shkurt. Ftohja e motit ndikon në përkeqësimin e barrës së sëmundjeve. Temperaturat e ulëta ulin imunitetin e për rrjedhojë rëndojnë sëmundjet kronike dhe e bëjnë më agresiv koronavirusin. Për këto arsye, Instituti i Shëndetit Publik ka parashikuar një situatë të rënduar në dimër.

Të dhënat zyrtare të tregtisë me pakicë nga INSTAT që nga viti 2005 tregojnë se shitjet e medikamenteve janë përafërsisht 30% më të larta në periudhën e dimrit, kurse rënia më e madhe shënohet në muajt e verës. Ky cikël lidhet me ndryshimin e motit dhe shtimin e virozave, të cilat nxisin shitjet./B.Hoxha

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of