Rënia e tremujorit të parë vazhdon edhe përgjatë tremujorit të dytë, pasi lufta në Ukrainë dhe paqëndrueshmëria në treg po pengojnë kompanitë që të listohen në bursa
Vlera e ofertave publike fillestare* në SHBA dhe në Europë ka rënë me 90 për qind këtë vit, pasi lufta në Ukrainë dhe rritja e inflacionit dhe e normave të interesit kanë detyruar bizneset që të heqin dorë nga planet për t’u listuar si kompani publike.
Sipas të dhënave nga Dealogic, vetëm 157 kompani arritën të mblidhnin një total prej 17.9 miliardë dollarësh në pesë muajt e parë të vitit 2022, krahasuar me 628 kompani që mblodhën 192 miliardë dollarë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në nivel global, vlera e IPO-ve ra me 71 për qind përgjatë kësaj periudhe, nga 283 miliardë dollarë në 81 miliardë dollarë, ndërsa numri i kompanive të listuara ra nga 1,237 në 596.
Shifrat tregojnë se rënia e IPO-ve në tremujorin e parë të vitit 2022, e cila u shkaktua nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë, nuk është zbutur gjatë tremujorit të dytë, pasi vëllimet kanë pësuar gjithashtu rënie të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Tre tremujorët e parë të vitit 2021 ishin periudha me volumin më të madh të kompanive të listuara, sepse kompanitë nxituan të listoheshin si kompani publike pas një periudhë të gjatë ku planet e tyre ishin ndërprerë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Por, paqëndrueshmëria e tregjeve, lufta në Ukrainë dhe kërcënimi për një recesion global kanë bërë që kompanitë të jenë shumë më pak të gatshme për t’u listuar si kompani publike këtë vit.
“Shumë biznese po nxitonin për t’u bërë publike, por më pas një sërë faktorësh të ndërthurur i goditën ata menjëherë”, tha Martin Glass, partner në firmën ligjore Jenner & Block, i cili këshillon kompanitë që vendosin të listohen si kompani publike.
“Pasi të stabilizohen gjërat, presim të ketë një rikthim të aktivitetit, edhe nëse nuk do të arrihen nivelet e vitit të kaluar. Njerëzit nuk po e braktisin anijen – ata thjesht po ndalojnë për të pritur.”
Ai shtoi se tregu i SHBA ishte ndikuar veçanërisht nga një kolaps në listimet e kompanive blerëse me qëllime të veçanta, të njohura si SPAC. Këto janë kompani guaska që listohen në bursë vetëm për të mbledhur para dhe më pas kërkojnë të bashkohen me një kompani të synuar për t’i bërë ato publike.
Në dy vitet e fundit, marrëveshjet e tipit SPAC arritën nivele rekord, por ky ritëm është ngadalësuar gjatë gjashtë muajve të fundit, si rrjedhojë e performancave zhgënjyese, rritjes së procedurave nga agjencitë rregullatore dhe rënies së gatishmërisë të bankave për t’i nënshkruar dhe siguruar këto marrëveshje.
Ekspertët thonë se, pavarësisht përkeqësimit të kushteve në përgjithësi për IPO-të, çmimet e larta të energjisë si rezultat i luftës në Ukrainë i kanë bërë listimet në bursë një opsion më tërheqës për kompanitë e naftës dhe të gazit.
Ka gjithashtu disa kompani të mëdha që janë duke u përgatitur për t’u listuar në bursë deri në fund të këtij viti.
Grupi farmaceutik në Mbretërinë e Bashkuar, GlaxoSmithKline, ka kërkuar miratimin nga agjencitë rregullatore për të listuar si kompani publike sipërmarrjen e përbashkët të shëndetit të konsumatorëve Haleon këtë vit, në atë që pritet të jetë listimi më i madh në bursën e Londrës në një dekadë.
Në muajin mars, agjencia amerikane e siguruimeve AIG paraqiti IPO-në e shumëpritur për biznesin e saj të menaxhimit të aseteve, gjë që mund ta vlerësojë këtë njësi me më shumë se 20 miliardë dollarë. Volkswagen po planifikon gjithashtu ofrimin për publikun të një pjese të aksioneve të Porsche më vonë gjatë këtij viti, në një vlerë totale prej 20 miliardë euro.
Megjithatë, avokatët parashikojnë se shumë IPO të planifikuara për këtë vit do të shtyhen përsëri për vitin 2023, pasi kushtet aktuale kërkojnë kohë për t’u përmirësuar.
“Ndoshta, nëse kthehemi nga pushimet verore në shtator dhe, për ndonjë arsye të çuditshme, gjërat janë kthyer papritur për mirë, mund të ketë më shumë aktivitet”, tha partneri i White & Case, Inigo Esteve, i cili këshillon kompanitë për IPO-të.
“Por, nuk jam i sigurt se ka shumë njerëz që janë optimistë për një ndryshim të tillë në kushtet e tregut deri atëherë.”
Ai shtoi se priste që shumë IPO do të shtyheshin për në vitin e ardhshëm. “Pse do të duhej ta ndërmerrnit tani këtë nismë, kur mund të prisnit përmirësimin e kushteve?”
Mes 10 IPO-ve me vlerë më të lartë këtë vit, vetëm dy janë listuar në bursat amerikane dhe europiane. Grupi i kapitalit privat TPG arriti të mbledhë 1 miliard dollarë në NASDAQ në janar, ndërsa prodhuesi norvegjez i naftës dhe i gazit, Vår Energi, mblodhi 880 milion dollarë në Oslo./Financial Times
*Me ofertë publike fillestare (IPO) nënkuptohet shitja, për herë të parë, e aksioneve të një shoqërie aksionere (anonime), sh.a., publikut.