Fakti që nëse një monedhë ishte e lirë nuk ka qenë gjithmonë një udhërrëfyes i mirë për fatin e saj, tashmë mund të hidhet poshtë
Në dhjetor të vitit të kaluar u hodh në qarkullim një kartëmonedhë e re dollari, e cila mbante nënshkrimin e Steve Mnuchin. Në vend të skedarit të tij të zakonshëm, Sekretari i Thesarit vendosi të shtypte mbi të emrin e tij, shkruan The Economist. Dhe nëse ai mendonte se kaligrafia e tij e bukur mund t’i jepte dollarit një nxitje më shumë në krahasim me më parë, ai mund të jetë zhgënjyer tashmë.
Dollari arriti nivelin e tij më të lartë ndaj homologëve më të rëndësishëm të grupit një vit më parë dhe që prej asaj kohe ai nuk i ka kërcënuar më ato, duke qenë se nuk i është afruar më nivelit të tij të lartë.
Parashikues të tregjeve të këmbimit valutor kanë rënë dakord se 2018 ka të ngjarë të jetë një vit tjetër që do të shënojnë një rënie modeste.
Kjo është për shkak të tre burimeve të presionit në rënie, ku e para lidhet me ekonominë botërore.
Rënia e dollarit nuk ka të bëjë më shumë me një gjykim mbi aftësinë e Amerikës, sesa me një rritje të vazhdueshme të vendeve të tjera.
Për një kohë të gjatë, Amerika ishte një nga vendet e vetme tek e cila mund të mbështeteshin shumë vende të tjera për sa i përket rritjes ekonomike, sepse ajo kishte një logjikë të fuqishme për forcën e dollarit.
Një rritje e gjerë globale, e dukshme pothuajse kudo, që nga rritja e bursave e deri te shtrenjtimi i çmimit të naftës, nënkupton që investitorët tani po drejtohen nga monedha të tjera, të ndryshme nga dollari.
Ky efekt ka rezultuar të jetë më i fortë se pritshmëria që firmat amerikane do të gjenerojnë më shumë fitime falë shkurtimit të fundit të taksave. Dhe me sa duket, kjo ka gjasa të vazhdojë.
Burimi i dytë i presionit në rënie reflekton një ndryshim në qëndrimet e politikëbërësve. Deri pak kohë më parë, asnjë vend nuk dukej i prirë ndaj një kursi këmbimi të fortë.
Frenimi i importeve dhe rritja e eksporteve ishte një mënyrë për të tërhequr drejt vetes një pjesë më të madhe të kërkesës botërore. Në vitin 2010, ministri i Financave të Brazilit tha se kishte shpërthyer një “luftë monedhash” me vendet që konkurronin për të dobësuar kursin e këmbimit, duke përdorur armë si lehtësimi sasior ose kontrollet e kapitalit.
Bankat qendrore të botës së pasur kishin frikë se edhe një lëvizje sado e vogël e një politike monetare më të shtrënguar mund të bënte që monedhat e tyre të rriteshin ndaj kolegëve të tjerë, në dëm të ekonomisë së tyre. Por tani që rritja globale po bëhet gjithnjë e më e pranishme, për disa vende duket se nuk ka më rëndësi fakti nëse monedhat e tyre rriten apo jo.
Normat e interesit janë rritur, jo vetëm në Amerikë, por edhe në Kanada dhe në Britani. Banka Qendrore Europiane (BQE-ja) ka reduktuar programin e blerjes së obligacioneve, po ashtu siç ka bërë edhe Banka Qendrore e Japonisë.
Një periudhë qetësie për monedhat
Teksa politika e jashtëzakonshme monetare po tërhiqet në mënyrë të ngadaltë, bazat janë ato që kanë rëndësi më të madhe. Kjo është edhe forca e tretë që po e shtyn dollarin drejt rënies: çmimi i tij kundrejt homologëve të tjerë kryesorë.
Standarde të tilla si indeksi Big Mac i The Economist, i bazuar në idenë se mallrat dhe shërbimet (në këtë rast një hamburger) duhet të kenë të njëjtin çmim në mbarë botën, janë udhëzime të dobishme të asaj që vlerat e monedhës nuk po funksionojnë siç duhet dhe janë të paekuilibruara.
Sipas versionit më të fundit të indeksit, vetëm një pjesë e vogël e vendeve të pasura kanë monedha më të preferuara sesa Amerika. Ky është një ndryshim shumë i madh në krahasim me një dekadë më parë.
Sipas po të njëjtit indeks, në vitin 2008, vetëm dy shtete të pasura kishin një monedhë më të lirë se dollari. Ndërsa disa monedha të tjera tashmë kanë kërcyer ndaj dollarit.
Gjatë verës së vitit të kaluar, brenda një periudhe disajavore, monedha euro u zhvendos nga $ 1.11 në $ 1.20, në përgjigje të një sugjerimi të shefit të BQE-së, Mario Draghi, se likuidimi i blerjes së bonove të saj do të fillojë së shpejti. Monedhat e tjera ka gjasa që të forcohen më shumë në krahasim me vitet e kaluara. Është e lehtë të përfytyrosh jenin duke u kthyer drejt vlerës së tij të drejtë në të njëjtën mënyrë siç veproi edhe euro gjatë vitit të kaluar.
Ka ende monedha të lira në vende që kanë lidhje të ngushta me ekonominë e lulëzuar të Eurozonës, të tilla si Polonia dhe Republika Çeke. Me përjashtim të valutave reale të Brazilit, në përgjithësi, monedhat e tregjeve në zhvillim janë ende shumë të nënvlerësuara. Por mos u çudisni nëse ato forcohen në të ardhmen.
Por gjithsesi, në tërësi gjatë vitit 2018, forcimi i mëtejshëm i dollarit duket thuajse i pamundur, pavarësisht se e kujt është firma që ndodhet mbi të.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.