Flet Ermelinda Baço, Drejtore e Divizionit të Huadhënies për Ekonomitë Familjare, Alpha Bank Albania
Kërkesa për kredi hipotekore në pjesën e parë të këtij viti ka arritur nivelet më të larta të regjistruara në këtë periudhë të vitit, pohon Ermelinda Baço, Drejtore e Divizionit të Huadhënies për Ekonomitë Familjare, në Alpha Bank Albania.
Kërkesa për kredi, pohon znj. Baço, është nxitur nga kushtet e favorshme të financimit që ofron sektori bankar, përfshi periudhat fillestare me norma fikse interesi. Sipas saj, është vënë re rritje e vlerës mesatare të kredive të disbursuara gjatë kësaj periudhe, edhe falë faktit që normat e interesit të kredive për shtëpi, pavarësisht rrezikut të shtuar si rrjedhojë e pandemisë, kanë mbetur të pandryshuara.
Si paraqitet ecuria e portofolit të kredisë për blerje banesash në bankën tuaj? Sa u ndikua ky produkt prej krizës së pandemisë?
Emergjenca shëndetësore e shkaktuar nga pandemia COVID-19 ndryshoi për të gjithë kushtet e të punuarit dhe të jetuarit. Shtëpia, për secilin prej nesh, përtej funksionit të të banuarit, u shndërrua papritur në një qendër shumëfunksionale në të cilën studiohej, punohej dhe kalohej koha e lirë. Në këto kushte, kur u kuptua që transformimi i filluar do të ishte tashmë normaliteti i ri, nevoja për privatësi dhe për hapësira më të mëdha u kthye në një nevojë bazike.
Blerja e pasurive të patundshme nuk u pa vetëm si një nevojë për t’ju përshtatur stilit të ri të jetës, por edhe si një mundësi e mirë investimi për të gjithë ata që kishin kursime. Gjithashtu duhet të kemi parasysh që në vijim edhe të periudhës pas tërmetit të fundnëntorit 2019, nevoja për banesa të reja dhe më cilësore u bë kërkesë primare për shumë familje në vend.
Si rezultat i këtyre zhvillimeve, edhe kredia për blerje banesash pati ecuri mjaft pozitive, duke shënuar në vitin 2020 një rritje të balancës së këtij portofoli prej 7% krahasuar me fundvitin 2019. Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia, Alpha Bank jo vetëm që nuk i shtrëngoi politikat e kredidhënies për individë, por edhe u qëndroi pranë atyre të cilët u prekën dhe ishin subjekt i moratoriumit, që rifilluan menjëherë me shlyerjet, pa dhënë efekte negative në cilësinë e portofolit të kredive për shtëpi, por edhe për klientët individë në përgjithësi.
Si e vlerësoni kërkesën për kredi bankare me qëllim blerjen e banesave?
Trendi pozitiv për kërkesën për kredi për shtëpi, i paraqitur sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2020, ka vijuar edhe në 4-mujorin e parë të këtij viti. Kërkesa për kredi në periudhën e deritanishme të vitit 2021 ka qenë më e larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të viteve të shkuara.
Alpha Bank i ka mbështetur të gjitha këto raste nëpërmjet proceseve të shpejta të analizave financiare dhe sistemit të saj fleksibël miratues. Kështu janë shërbyer individët me produkte të kredisë për blerje banesash, me norma interesi nga më konkurrueset në treg, me afate optimale, të cilat u mundësojnë klientëve familjarë këste të përballueshme e të drejta.
Vitet e fundit, janë rritur ndjeshëm çmimet e banesave, sidomos në kryeqytet. Sa dhe në ç’mënyrë e ka ndikuar ky faktor kërkesën për kredi hipotekore?
Rritja e çmimeve të banesave është një trend jo vetëm shqiptar, por edhe global. Rritja e kërkesës, si rezultat i nevojës për hapësira më të mëdha, mospërputhja e kërkesës me ofertën, rritja e cilësisë së ndërtimit të banesave të reja, etj., janë vetëm disa prej faktorëve të cilët kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të banesave. Kjo do të thotë që një vlerë më e lartë investimi është e nevojshme për të realizuar blerjen e synuar.
Nëse individët ose familjet nuk i kanë të gjitha fondet në dispozicion, jo vetëm rritet kërkesa për kredi hipotekore, por edhe shuma e kredisë së kërkuar. Në fakt, është vënë re një rritje e vlerës mesatare të kredive të disbursuara gjatë kësaj periudhe, e stimuluar edhe nga fakti që normat e interesit të kredive për shtëpi, pavarësisht rrezikut të shtuar, si rrjedhojë e pandemisë, kanë mbetur të pandryshuara.
Ecuria e portofolit dhe vrojtimet e aktivitetit kreditues në vitet e fundit tregojnë rritje të fokusit të bankave në segmentin e individëve dhe sidomos të kredive hipotekore. Pse ka ndodhur kjo?
Në Alpha Bank Albania, ne kemi mbështetur dhe do të vijojmë të mbështesim si klientët individë, ashtu edhe ata të biznesit. Në përgjithësi, politikat dhe strategjitë në banka ecin paralelisht me zhvillimet në treg. Pandemia COVID-19 ndikoi negativisht shumë sektorë të ekonomisë dhe jo pak biznese u bënë jo operative si rezultat i situatës. Për rrjedhojë, kreditimi në segmentin e individëve është një mundësi për bankat që të diversifikojnë dhe të shpërndajnë rrezikun e kredisë, meqenëse vlera mesatare e kredive për individë është më e vogël se ajo e kredive për kompani.
Kreditë hipotekore, mundësojnë edhe një zbutje të rrezikut që mbartin, për vetë faktin se ato janë të siguruara me hipotekë vetë banesën dhe njerëzit janë ende më të përgjegjshëm e të rregullt me shlyerjen e kësteve. Nëpërmjet angazhimit në kreditimin e segmentit të individëve, bankat kanë mundësi të realizojnë shitje të kryqëzuara të produkteve dhe shërbimeve, te një numër më i madh klientësh, duke krijuar një raport më të kënaqshëm risk-përfitueshmëri.
Sa ka ndikuar cikli i normave të ulëta të interesit në zgjerimin e kredisë hipotekare?
Normat e ulëta të interesit e bëjnë huamarrjen më pak të kushtueshme dhe si rrjedhojë, edhe kreditimin më të përballueshëm për klientin. Gjithashtu, normat e ulëta të interesit nxisin individët që të bëjnë investime në vlera më të mëdha dhe si rrjedhojë, të rrisin edhe shumën e kredisë. Sot, përtej normave relativisht të ulëta, bankat ofrojnë edhe opsione të produkteve të kredisë hipotekore me norma fikse të interesit për një periudhë të caktuar, të cilat kanë efekte pozitive në zgjerimin e kredisë hipotekore.
Keni kërkesa për kredi hipotekore nga shtetas të huaj ose jorezidentë në Shqipëri? A ofroni financim në këto raste dhe, nëse po, me çfarë kushtesh?
Alpha Bank Albania ofron financim për kredi hipotekore si për shtetas të huaj, edhe për shtetas shqiptarë, jo rezidentë në Shqipëri. Për shtetasit e huaj, kushtet kryesore të financimit janë: punësimi në një kompani të regjistruar në Shqipëri dhe karta e rezidentit. Për shtetasit shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë kushti kryesor që ata të përfitojnë një kredi për shtëpi është të kenë një garantues i cili punon dhe jeton në Shqipëri, të ardhurat e të cilit duhet të jenë të mjaftueshme për pagesën e këstit.
Ndërkohë të gjithëve atyre shtetasve shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Greqi, gjatë analizës financiare u përllogaritet edhe paga që marrin nga punëdhënësi në Greqi, për shkak të bashkëpunimit që ne kemi me kolegët e Alpha Bank në Greqi, të cilët kryejnë verifikimet në shtetin fqinj pas rënies dakord të klientit. Kërkesa nga kategoritë e mësipërme të klientëve janë të pranishme, por sigurisht në një nivel më të moderuar krahasuar me kërkesat e shtetasve shqiptarë rezidentë në Shqipëri.
Disa firma ndërtimi ofrojnë shitjen e apartamenteve me kredi bankare që në fazën e ndërtimit. Si funksionon bashkëpunimi i bankave me firmat e ndërtimit, për të financuar blerjen e banesave ende në proces ndërtimi ose kontrata porosie?
Ka disa forma bashkëpunimi, të cilat në thelb kanë në mes marrëdhënien trepalëshe midis kompanisë së ndërtimit, individit porositës dhe bankës. Meqenëse apartamenti që do të blihet është në fazë ndërtimi, kompania e ndërtimit sipas marrëveshjes me bankën, ofron kolateral tjetër, i cili hipotekohet përkohësisht në favor të bankës. Nga ana tjetër, banka lëvron kredinë nëse vlerëson, sipas analizës financiare, që blerësi ka aftësi paguese të mjaftueshme për shlyerjen e saj.
Kjo kredi mund të lëvrohet me transhe, ose me një shumë të vetme, në varësi të stadit të ndërtimit dhe të marrëveshjes midis palëve. Me përfundimin dhe hipotekimin e apartamentit të financuar, ky i fundit vendoset si kolateral në favor të bankës, duke liruar nga barra hipotekore kolateralin e përkohshëm të vendosur paraprakisht nga kompania.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.