Një draft ligj i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për vlerësimin e ndikimit në mjedis ka sjellë një sërë ndryshimesh krahasuar me ligjin aktual në fuqi. Kështu së pari drafti parashikon kapërcimin e disa procedurave të vlerësimit në rastet kur ndërhyrjet kanë të bëjnë me projekte që kanë si qëllim mbrojtjen kombëtare ndërkohë që shton në këtë grup edhe ndërhyrjet për raste emergjencash civile si në raste tërmetesh, përmbytjesh.
Propozimi i ri ndryshon konceptin e asaj që quhet vlerësim i ndikimit në mjedis duke e zgjeruar mënyrën e përcaktimit. Me ligjin aktual kjo pikë nënvizon se “Vlerësimi i ndikimit në mjedis (VNM)” është procesi që kryhet për vlerësimin e përgjithshëm të ndikimeve të rëndësishme negative, të drejtpërdrejta ose jo, në mjedis, nga projekte të propozuara publike dhe private.
Me draftligjin e nxjerrë për konsultim “Vlerësimi i ndikimit në mjedis (VNM)” është procesi që kryhet për vlerësimin e ndikimeve të rëndësishme, të drejtpërdrejta ose jo, në mjedis, nga projekte të propozuara publike ose private nëpërmjet: a)Përgatitjes së raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis nga zhvilluesi; b)Kryerjes së konsultimeve, sipas kërkesave dhe procedurave të përcaktuara në kreun III të këtij ligji; c)Shqyrtimit nga autoriteti kompetent të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, dhe çdo informacioni tjetër shtesë nga zhvilluesi kur është i nevojshëm, si dhe çdo informacion tjetër i rëndësishëm marrë nëpërmjet procesit të konsultimeve; ç) Konkluzionit të arsyetuar nga autoriteti kompetent mbi ndikimet e rëndësishme në mjedis të projektit, duke marrë në konsideratë rezultatet e shqyrtimit të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis nga autoriteti kompetent; d) Përfshirjes në vendimin e miratimit të zhvillimit të projektit, nga autoriteti përgjegjës për miratimin e zhvillimit, të konkluzioneve ta arsyetuara nga autoriteti kompetent”.
Kundravajtjet administrative dhe saksionet
Draft ligji gjithashtu ndryshon tërësisht nenin 26 duke përcaktuar kundërvajtjet administrative dhe sanksionet që aplikohet në rastet kur nuk respektohen kushtet që vendos ligji.
Kështu zhvilluesi që zhvillon një projekt, i cili listohet në shtojcën I dhe II të këtij ligji, pa ju nënshtruar kërkesave të këtij ligji dhe pa u pajisur me Vendim për VNM paraprake, ose Deklaratë Mjedisore, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 500 000 lekë dhe me pezullimin e punimeve.
Mospërmbushja dhe mosrespektimi i kushteve të Vendimit për VNM paraprake ose Deklaratës Mjedisore nga zhvilluesi i projektit:
- për Vendimin për VNM paraprake dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 200 000 lekë;
- për Deklaratë Mjedisore dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 500 000 lekë
Paraqitja e fakteve, të dhënave dhe dokumente të rreme, nga zhvilluesi apo personi fizik/juridik, i pajisur me licencë për hartimin e raportit të VNM-së, të cilat kanë ndikuar në vendimmarrjen e autoritetit kompetent përbën vepër penale dhe organi administrativ shfuqizon aktin dhe bën kallëzim penal.
Krahas dënimit me gjobë i parashikuar pikën 1/b të këtij neni, në rast të mospërmbushjes dhe mosrespektimit nga ana e zhvilluesit, të kushteve të përcaktuara në Vendimin për VNM-në paraprake ose Deklaratën Mjedisore:
- a) AKM-ja për Vendimin e VNM-së paraprake pezullon aktivitetin për zbatimin e projektit nga 1 deri 12 muaj deri në zbatimin e kushteve;
- b) Ministri, për Deklaratën Mjedisore, me propozim të AKM-së pezullon aktivitetin për zbatimin e projektit nga 3 deri 12 muaj deri në zbatimin e kushteve;
- Në rast të pezullimit të Vendimit për VNM-në paraprake ose Deklaratës Mjedisore të përcaktuara në pikën, 2 të këtij neni, zhvilluesi, dorëzon në AKM për shqyrtim dhe miratim, jo më vonë se 30 ditë nga marrja dijeni të aktit të pezullimit, dokumentet e mëposhtëm:
- a) raportin e detajuar mbi dëmin e shkaktuar, ku të përfshihen masat e marra për parandalimin e dëmeve të mëtejshme;
- b) planin i rehabilitimit me qëllim kompensimin e dëmit të shkaktuar, në terma konkret ku përcaktohen masat dhe kohëzgjatja e realizimit të këtij plani.
- Pas rehabilitimit të zonës, referuar dokumenteve të përcaktuara në pikës 3 më sipër, zhvilluesi dorëzon raportin për zbatimin e planit të rehabilitimit dhe i kërkon autoritetit kompetent shfuqizimin e aktit të pezullimit.
- Në rast të konstatimit se zona nuk është rehabilituar, AKM-ja shfuqizon Vendimin e VNM-së paraprake dhe në rastin e Deklaratës Mjedisore shfuqizimi bëhet nga Ministri, me propozim të AKM-së.
- Në rast të konstatimit nga AKM-ja, se akti i miratimit të zhvillimit, është bazuar në një projekt, karakteristikat kryesore të tij janë ndryshuar në mënyrë të ndjeshme nga ato mbi të cilat është bazuar vendimmarrja për Vendimin për VNM paraprake ose Deklaratës Mjedisore, Ministri propozon pranë autoriteteve përgjegjëse shfuqizimin e aktit të miratimit të zhvillimit.
- Në rast të paraqitjes, nga personi fizik/juridik i pajisur me licencë për hartimin e raportit të VNM-së mbi 3 herë të raporteve të VNM-së me mangësi, bazuar në metodologjinë kombëtare për hartimin e raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis, ministri vendos pezullimin apo heqjen e certifikatës dhe njofton autoritetin që ka lëshuar licencën.
- Në rastet kur shkeljet përbëjnë vepër penale, struktura përgjegjëse për inspektimin në fushën e mjedisit bën kallëzim penal pranë organeve përkatëse.
- Procedura e konstatimit, vendosjes dhe ankimit të masave administrative si dhe ekzekutimi i masave administrative bëhet në përputhje me legjislacionin për kundërvajtjet administrative.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.