Vlerësimi i vizionit apokaliptik të Emmanuel Macron

29/11/2019 10:00 PM 0 komente

Sipas Presidentit francez, Europa ndodhet në “buzë të greminës”. A ka ai të drejtë?   Sot, Europa ia ka borxh ekzistencën e saj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shktuan The Economist. Amerika mori pjesë në të dyja Luftërat Botërore të zhvilluara në tokën europiane; Diplomacia amerikane ishte mbështetëse e asaj që është sot Bashkimi Europian; Armët amerikane mbrojtën Europën Perëndimore nga pushtimi sovjetik dhe shtetarët amerikanë ishin ata që mbikëqyrën bashkimin gjerman. Në një lutje dramatike drejtuar të gjithë europianëve, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se Amerika po distancohet gjithnjë e më shumë nga Europa. Kontinenti i Vjetër ndodhet “në buzë të greminës”, paralajmëron ai dhe nëse ky kontinent nuk do të zgjohet, atëherë ne nuk do të jemi më të aftë të marrin në kontroll fatin tonë. Në zyrën e tij në Pallatin Elysée, z. Macron u shpreh për “The Economist” në terma apokaliptikë. NATO, aleanca transatlantike, po vuan nga “vdekja e trurit”, thotë ai, prandaj Europa duhet të zhvillojë një forcë ushtarake të vetën. BE-ja e mendon veten thjesht si një treg i vetëm, por ajo duhet të veprojë edhe si një bllok politik, me politikat mbi teknologjinë, të dhënat dhe ndryshimin e klimës. Edhe Presidentët e mëparshëm francezë e kanë argumentuar faktin se Europa nuk mund të mbështetet më tek Amerika dhe në vend të saj duhet t’i drejtojë sytë nga Franca. Z. Macron nuk po rithekson pikërisht këtë pikëpamje. Ai beson se Amerika dhe Europa kanë interesa të përbashkëta dhe se kjo e fundit ka punuar pa u lodhur për të mbajtur marrëdhënie të mira me Presidentin Donald Trump. Por ai argumenton, se për herë të parë Amerika ka një President i cili “nuk e ndan idenë tonë për projektin europian”. Dhe madje, edhe në rast se z. Trump nuk do të rizgjidhet në këtë post, forcat historike po i shkëpusin lidhjet me aleatët e vjetër. Prioritetet amerikane po ndryshojnë. Kur Presidenti Barack Obama vendosi të mos ndëshkonte përdorimin e armëve kimike në Siri, veprimi në fjalë u kuptua sikur Amerika po humbiste interesin e saj për Lindjen e Mesme. Braktisja e fundit e z. Trump e aleatëve kurdë të Amerikës në Siri jo vetëm që e forcoi pikëpamjen në fjalë, por gjithashtu minoi edhe NATO-n. Amerika nuk i informoi aleatët dhe Turqia, një anëtar i NATO-s, e pushtoi menjëherë Sirinë. Sipas z. Macron, “në aspektin strategjik dhe politik”, ne duhet të pranojmë se kemi një problem. I pyetur nëse ai është i sigurt se një sulm ndaj një anëtari të NATO-s, do të konsiderohej sot si një sulm ndaj të gjithëve, pikërisht edhe ideja që mbështet besueshmërinë e kësaj aleance, z. Macron thotë se nuk mund të shprehet në këtë drejtim, sepse ai nuk e di këtë gjë. Por ai bën thirrje se Europa duhet “të rivlerësojë realitetin e asaj që është NATO nën dritën e angazhimit të Shteteve të Bashkuara”. Europa, thotë ai, duhet ende të kuptojë këtë sfidë të vështirë që e pret përpara. Ajo e trajton botën sikur tregtia është e vetmja rrugë për të siguruar paqen. Por Amerika, garantuesi i tregtisë botërore, po bëhet gjithnjë e më shumë proteksioniste. Fuqitë autoritare janë në rritje, përfshirë Rusinë dhe Turqinë në kufijtë e Europës. Ndërsa Amerika dhe Kina shpenzojnë shuma të mëdha në drejtim të Inteligjencës Artificiale, të cilën ata e shohin si një prej elementeve kryesore të fuqisë së tyre të fortë, BE-ja i kushton më shumë rëndësi industrisë. Z. Macron paralajmëron se Europa e cila lëviz me ritme të ngadalta dhe me “kokën në re” duhet të ndryshojë sa më parë të jetë e mundur dhe të tregohet sa më vigjilente për t’u përgatitur për një botë të re më të ashpër dhe më pak mirëkuptuese. Kjo është një pamje e zymtë si për një politikan europian të qendrës, ashtu edhe për një ndërkombëtar. Por sa i takon z. Macron kjo gjë është menduar gjerë e gjatë dhe prandaj ai kërkon që bashkëkombësit e tij europianë të veprojnë sa më parë të jetë e mundur. Në të njëjtën kohë është e vështirë të mbivlerësohet edhe shkalla e ndryshimit që z. Macron kërkon prej tyre. Le të përqendrohemi te mbrojtja fillimisht. Z. Macron mendon se Nisma e tij e re e Ndërhyrjes Europiane dhe Bashkëpunimi i Përhershëm i Strukturuar i BE-së, të mbështetura nga Fondi Europian i Mbrojtjes, mund të integrojnë operacionet ushtarake dhe të forcojnë aftësitë e Europës, duke nënkuptuar krijimin e një baze për mbrojtjen e Europës post-NATO. Por kjo strukturë është bazike dhe largimi i Amerikës do të krijonte mangësi të mëdha në fusha si mbrojtja ajrore, raketat, inteligjenca dhe mbikëqyrja. Buxheti i saj ushtarak është dy herë më i madh se pjesa tjetër e kombinuar e NATO-s. Qeveritë europiane nuk do të jenë të gatshme të “plotësojnë këtë hendek të krijuar”, sepse ato kanë përparësi të tjera. Mund të jetë më e lehtë nëse arrihet të përshtatet NATO-ja, në mënyrë që ajo të mbrojë Europën dhe të jetë edhe më e dobishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pastaj kemi diplomacinë. Z. Macron mendon se Europa mund ta vendosë më së miri ndikimin global, duke vepruar si një fuqi ndërmjetësuese mes gjigantëve si Kina dhe SHBA-ja. Roli i saj do të jetë “të ndalojë të gjithë botën që të mos marrë zjarr” thotë ai. Hapi i parë në këtë drejtim do të ishte rindërtimi i marrëdhënieve me Rusinë, gjë të cilën z. Macron e pranon se mund të zgjasë edhe më shumë se një dekadë. Megjithatë, përsëri kjo ambicie kërkon që pjesa më e madhe e anëtarëve të BE-së të bien dakord, gjë që është e vështirë të arrihet, sepse shumë prej tyre kanë tendencë të shmangin pushtetin e fortë për një politikë të jashtme të përqendruar tek të drejtat e njeriut dhe tregtia. Sipas ilustrimit të z. Macron, politika e pushtetit kërkon që ju të keni të bëni me njerëz, me veprimet e të cilëve nuk bini dakord. Për të, politika e vërtetë bazohet te praktika dhe jo te teoritë e ndryshme, e nevojshme kjo në mënyrë që vlerat europiane të jenë ato që do të mbizotërojnë. Por nuk është e qartë nëse homologët e tij europianë do të pajtoheshin me këtë gjë. E fundit është politika industriale. Z. Macron dëshiron që shteti të marrë vendime strategjike mbi teknologjitë kryesore, dhe favorizon një politikë për të nxitur kampionët europianë. Një mënyrë më e mirë për të krijuar një ekosistem të lulëzuar të teknologjisë do të ishte nxitja e një konkurrence më të madhe. Por, nëse z. Macron nuk do ta përqafojë këtë, atëherë, pse duhet ta pranojnë të tjerët? Formula e BE-së është unike: një marrëveshje midis shteteve, pa ndonjë lider suprem, që të ruajë paqen. Por si mund të arrihet që 27 vende, së bashku edhe me Britaninë, një fuqi të madhe që tani është në dhomën e pritjes së BE-së, të bien dakord që të krijojnë forca të armatosura plotësisht funksionale? Pa kaluar fare te fakti se bindja e armiqve për një gjë të tillë do të ishte një sipërmarrje e pamundur. Kritikët e z. Macron ironizojnë faktin se ai është “i dehur nga pushteti”. Disa vende, përfshirë Poloninë dhe shtetet baltike, do të shqetësoheshin nga ideja e shkëputjes nga Amerika dhe ulja e tensioneve me Rusinë. Të tjerë, përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën, janë shumë të përfshirë nga problemet e tyre të brendshme dhe nuk kanë kohë të merren me një vizion të madh global. Edhe më parë në të kaluarën, thirrjet që Europa duhet të bëjë të pamundurën që ndikimi i saj të ndihet kudo në botë, kanë rezultuar të pasuksesshme. Por sipas z. Macron, këtë herë do të jetë plotësisht ndryshe. Ai po u kërkon kolegëve të tij të imagjinojnë sesi Europa do të lulëzojë në një botë të rrezikshme pa pasur nevojë të ketë një aleancë më Amerikën. Por si duhet të sillen ata me Rusinë, me konfliktin dhe fundamentalizmin fetar që përfshin Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut dhe mbi të gjitha, si duhet të sillen ata në drejtim të sfidës autoritare që paraqet Kina? Më e pakta që mund t’i jepet atij, është një përgjigje.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of