Vlerësimi tatimor, “përplasja” e Tosk Energji me Tatimet mbërrin tek Apeli

11/12/2019 10:59 PM 0 komente

Tosk Energji, kompania që ka nën administrim rafinerinë e Ballshit nuk ka rënë dakord me vlerësimin tatimor të bërë nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Fier çka ka bërë që “përplasja” mes dy palëve të përfundojë në gjykatë. Nga regjistrimi i çështjes tek Gjykata Administrative e Apelit nuk jepen shumë detaje mbi vlerën për të cilën palët nuk kanë gjetur dakodësi por sqarohet se e gjithë kjo ka të bëjë me “Shfuqizimin e aktit administrativ nr.15138/3 prot., datë 21.09.2018 Njoftim Vlerësimi Tatimor te Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Fier. 2.Shfuqizimin e aktit administrativ, Vendim nr.61 date 21.01.2019 nr.19260/3 prot., date 21.01.2019 të Komisionit për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore” thuhet në objektin e çështjes së regjistruar.

Si palë të treta në këtë çështje janë Avokatura e Shtetit dhe Ministria e Financave ndërkohë që regjistrimi i çështjes në Apel është bërë në fillim të dhjetorit. Në fund të tetorit Drejtoria e Tatimeve e Tiranës ka kërkuar vendosjen e e masës së sigurimit tatimor mbi pasuritë e tatimpaguesit “TOSK ENERGJI” SHA.

Të gjitha këto probleme për Tosk vijnë në kushtet kur së fundmi rafineria mbylli edhe aktivitetin e saj nga shtatori për arsye se nuk kishte arritur të gjente gjuhën e përbashkët me Bankers Petroleum lidhur me furnizimin me naftë.

Bankers reagoi duke shpjeguar se shkak për këtë është bërë mosplotësimi i kushteve të dakordësuara më herët mes palëve për pagesat dhe tërheqjen e sasisë së rezervuar të naftës.

Bankers’ dhe ‘Tosk Energji’ kanë rënë dakord për Programin e Dorëzimit të naftës bruto në bazë ditore për shtator 2019 dhe vëllimet e dorëzimit për tetor-dhjetor 2019, që në 27 gusht. Në këtë ditë, ‘Tosk Energji” ekzekutoi Amendimin 4 të kontratës për ngarkesat e naftës bruto gjatë Shtator-Dhjetor 2019. Gjatë ditëve të fundit të gushtit, “Bankers” kërkoi nga ‘Tosk Energji’ që të siguronte letër kreditin, por ‘Tosk Energji’ konfirmoi zyrtarisht që për volumet gjatë muajit shtatorit, derisa ata të hapin një letër krediti (siç kanë bërë në të kaluarën), ‘Tosk’ do të tërheqë të gjitha ngarkesat e planifikuara duke bërë parapagime dhe pa shkaktuar ndonjë ndikim në operacionet dhe financat e ‘Bankers’. Në fund të muajit gushtit dhe fillimit të shtatorit, ‘Bankers’ i është drejtuar kompanisë ‘Tosk’ me disa email-e zyrtare duke kërkuar prej tyre hapjen e letër kreditit ose kryerjen e parapagimit për volumet e planifikuara për muajin Shtator. Por gjatë gjithë muajit shtator, ‘Tosk’ bëri vetëm një parapagim në vlerë prej 500 mijë USD dhe ‘Bankers’ dorëzoi në ‘Tosk’ (pikërisht në 1 Shtator) rreth 1.420 Mt bruto që mbulohej nga ky parapagim. Për periudhën 1-10 shtator, ‘Bankers’ iu drejtua sërish disa herë ‘Tosk Energji’, por ajo nuk pagoi, pavarësisht se ‘Bankers’ ishte në dispozicion dhe i ofroi të shesë sasitë e rënë dakord. ‘Tosk Energji’ jo vetëm që nuk pagoi / nuk tërhoqi sasitë dhe nuk iu përgjigj ‘Bankers’, por shkoi edhe më tej, duke ndërprerë komunikimin me ne” do të bënte me dije Bankers në njoftimin e tij. Që nga ai moment dhe në vazhdim pranë Rafinerisë ka pasur herë pas herë ndërprerje të punës si dhe paralajmërime nga ana e punëtorëve për protesta.

Por kompania Tosk këmbëngul që të furnizohet nga Bankers, duke pretenduar rregullsi në pagesa. “Rafineria ka ndaluar në shtator sepse prodhuesi dominues i naftës bruto në Shqipëri ka preferuar të eksportojë prodhimin e tij në vend që të ofrojë sasinë e mjaftueshme, me vlerë të drejtë, tek rafineritë vendase. Situata ka vazhduar e pandryshuar për më shumë se një vit dhe ka treguar se do të vazhdojë të përsëritet në vitin 2020”, ka pohuar më herët për Monitor, Marigona Metaj, drejtore ekzekutive e Tosk Energji. Ajo sqaron se ARMO nuk është më kompania, e cila operon në rafinerine KPTHN Ballsh. “Operatori aktual nuk ka të bëjë aspak me ARMO”. Këto kompani janë dy persona juridike të ndarë dhe të veçantë nga njeri tjetri, pa asnjë lidhje mes tyre.

Tosk po e shfrytëzon rafinerinë që nga maji 2018. Sipas burimeve nga kompania, Tosk është furnizuar nga Bankers Petroleum, me 15-30 mijë metrik ton (MT) naftë në muaj. Por, që rafineria të dalë rentabël, duhet të përpunojë të paktën dyfishin e kësaj sasie. “Duhet të përpunojmë nga 50,000 MT ose 1’600-1’700 mt ne dite, duke prezumuar që çmimi i blerjes të reflektojë vlerë të drejtë të tregut ndërkombëtar të naftës bruto”, thotë Metaj.

Ajo shton se marrëveshja me Bankers është subjekt i klauzolës së konfidencialitetit. “Bankers është paguar sipas kontratës, dhe nuk ka aktualisht asnjë shumë të papaguar. Garancitë financiare janë ofruar në tejkalim të sasive të dorëzuara”.

Metaj pohon se TOSK Energji ka paguar detyrimet ndaj administrates publike apo Shtetit Shqiptar, ndërsa shton se nuk i përket Tosk të bëjë komente mbi detyrimet e papaguara që ka ARMO.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of