Flet Enrik Mehmeti, Gazetar
Qyteti bregdetar i Vlorës është “në nisje” për sezonin e ri veror. Operatorët e këtij sektori janë bërë gati për dy skenarë: të mjaftohen vetëm me pushuesit vendas nëse situata do të mbetet siç është, ose të presin edhe të huaj, nëse kufijtë hapen.
Enrik Mehmeti, gazetar në Vlorë, i cili mbulon mes të tjerash edhe çështje të turizmit, shprehet se fakti që Vlora pati vetëm pesë raste të izoluara me COVID-19 kanë bërë që jeta të vijojë normalisht në qytet dhe të mos ketë frikë apo panik. Ai nënvizon se mbetet e rëndësishme të shihet nëse do të kemi një hapje të kufijve me Italinë, që ka mbajtur rekordin e pushuesve të huaj në këtë qytet në dy vitet e fundit.
Nga ana tjetër, thotë se hotelet dhe industria detare patën investime serioze viteve të fundit dhe në kushtet e një viti të vështirë si ky, kanë nevojë për masa mbështetëse.
Së fundmi, u vendos hapja e bareve dhe restoranteve në gjithë vendin. Si ka nisur puna e këtij sektori në Vlorë?
Mund të them që mezi pritej hapja e tyre, sidomos për ato përgjatë bregdetit të cilat janë pika më e preferuar, jo vetëm për vlonjatët, por për turistët në tërësi. Mund të them se frekuentimi në ditën e parë ka qenë masiv, ndërsa frika ndaj COVID-19 ishte zhdukur, askush nuk mbante maskë apo dorashka.
Kjo edhe për faktin se Vlora nuk ka pasur asnjë rast pozitiv pas atyre 5 personave të identifikuar që në fillim. Kjo ka bërë që njerëzit të ndiheshin të sigurt për frekuentimin e bareve apo restoranteve. Madje pati dhe ndonjë restorant që e nisi punën përpara se të hapej zyrtarisht. Gjithsesi duket se tashmë jeta po ecën normalisht.
Po hotelet, çfarë ecurie kanë pasur? A shfaqin shqetësim për kërkesat e protokolleve të vendosura? A kanë staf të plotë në punë? Çfarë problematikash konstatohen aktualisht?
Fundjavat e fundit kanë bërë që shumë hotele të jenë plot me turistë të cilët kanë qenë 100% shqiptarë, ndërsa zbatimi i masave deri tani po respektohet. Tashmë nuk ka vetëm bluza apo veshje me logo por edhe maska. Problemi është te prenotimet e të huajve, të cilat janë anuluar gati të gjitha. Nëse sezoni niste në mars, me grupe nga Polonia, Çekia, Norvegjia, Suedia dhe vende të tjera, këtë vit, jo vetëm që nuk pati lëvizje, por ende janë të rralla prenotimet e tyre, si pasojë e mungesës së lëvizjes në drejtim të Shqipërisë por edhe në shtete të tjera, çka u ka sjellë një dëm shumë të madh këtyre bizneseve.
Si pritet të jetë ky sezon veror për Vlorën dhe Jugun në përgjithësi nga përshtypjet që merrni në terren dhe si një njohës i mirë i ecurisë së sektorit turistik ndër vite?
Priten dy skenarë. I pari është pritshmëria se situata të ndryshojë sapo kufijtë të hapen, gjë e cila është e konfirmuar nga agjencitë e shteteve përkatëse dhe s’është çudi, të kemi një bum lëvizjesh. Kjo për faktin sepse mund të ketë prenotime nga grupet e huaja që vinin prej marsit dhe deri në maj nga vendet që citova më sipër.
Normalisht, pritshmëritë janë për turistët italianë që të mbajnë vendin e parë, ashtu si dhe dy vitet e fundit. Gjithsesi nëse kjo gjë nuk ndodh, gati të gjithë janë përgatitur për skenarin e dytë: Turizëm kryesisht me vendas. Ky skenar mendohet që të jetë jo vetëm për faktin e bllokimit të lëvizjeve, sepse siç kemi parë, pritet që rrugët të hapen shumë shpejt, por më shumë të frikës për destinacionet që kanë qenë shumë të preferuara si Turqia apo Greqia. Askush nuk e di se çfarë situate mund të gjejë atje ku do shkojë mbi rrezikun e infektimit, a do të ketë vëmendje në trajtim në vendin e huaj nëse infektohet.
Pra janë disa pikëpyetje që shumë familje po i analizojnë, ku te shumica, bilanci del se është Shqipëria më mirë, në bazë dhe të kontakteve që kanë marrë hotelet nga turistë vendas, të cilët nuk kanë qenë klientë të mëparshëm, pra janë të rinj. Mendoj se skenari i dytë është ai më i munduri, pra do të kemi një turizëm të brendshëm ku në këtë pjesë futen dhe ata që vijnë nga Kosova.
Së fundmi kishte disa nisma për zhvillimin e industrive mbështetëse të turizmit. Janë bërë investime në anije apo katamaran për turizmin detar. Si shfaqet situata e tyre?
Është ndër sektorët e preferuar për turistët vendas dhe të huaj për t’u frekuentuar. Kjo, për faktin se është një udhëtim kompleks që ndërthur historinë me kënaqësinë. Pra nis me destinacionin e parë, që është ishulli i Sazanit, njihesh me historinë e tij ku, pavarësisht se godinat janë dëmtuar gjatë viteve, duket sikur koha ka ndalur, vazhdon me Shpellën e Piratëve, një atraksion shumë i veçantë dhe më pas plazh në Karaburun.
Pavarësisht vështirësive, mendoj se ky sektor do të jetë ndër më të kërkuarit. Duke nisur që nga fakti i sigurisë për shëndetin, sepse bëhet fjalë për qëndrim në ambient të hapur gjatë udhëtimit dhe jo me kondicionim (pasi sipas ekspertëve, vendet e mbyllura me kondicionim janë më të predispozuara ndaj rrezikut) dhe deri te të bërit diçka ndryshe jo thjesht plazh.
Është e vërtetë që në këtë sektor janë bërë investime të mëdha me anije bashkëkohore, duke përmendur këtu trimaranin e vetëm në Shqipëri “Julka Unique”, një prodhim italian i 2018, i cili ka stabilitet 70% më të lartë se çdo anije tjetër turistike dhe ambiente luksoze që rrallë i gjen dhe në anije në Europë, gjë e cila konfirmohet nga turistët e huaj, të cilët e vizitojnë. Pra investimet në këtë sektor janë tepër cilësore, ashtu siç po ndodh dhe me investimet në hoteleri, ku është investuar në mënyrë serioze.
Sa e vështirë do të jetë vera 2020 për këta operatorë dhe si mund të mbështeten dhe nxiten edhe industri të tjera mbështetëse?
Kjo industri, ndryshe nga çdo sektor tjetër, ka dhe shpenzime tepër të larta duke nisur nga mirëmbajtja dhe deri te karburanti. Pikërisht subvencionimi i karburantit është ndihma më e madhe që mund të jepet nga qeveria duke bërë që të ketë qoftë një ulje të çmimeve, por edhe investime në përmirësimin e cilësisë. Kjo është ajo që duhet bërë patjetër për këtë sektor, sepse janë mjete pune që derdhin taksa për sa kohë punojnë.
Si i parashikoni çmimet këtë vit përgjatë Jugut?
Nga ajo që kam parë, konstatoj një ulje me rreth 30% më pak se vitet e tjera për këtë periudhë. Kjo duket dhe nga ofertat e ndryshme që ofrojnë hotelet duke krijuar dhe paketa, të cilat tani janë kryesisht për fundjavën, ndërsa nga qershori deri në gusht gjatë javës. Nëse do të rritet kërkesa, pra nëse ndodh skenari i parë, mendoj që do të rritet dhe çmimi dhe mund të shkojnë atje ku ishin vitin e kaluar.
Këtë vit ka përfunduar një investim interesant në Vlorë në zonën historike. Çfarë prisni t’i sjellë kjo qytetit?
Është një prej pikave më të forta dhe më të bukura. Me përfundimin e zonës historike, pritet të ketë një interes dhe për qendrën e qytetit, e cila ishte harruar në njëfarë mënyre, duke u vizituar vetëm më 28 Nëntor. Gjatë punimeve pati një interes shumë të madh, kryesisht nga turistë të huaj, por edhe shqiptarë, të cilët e vizitonin dhe ishin të etur për historinë pavarësisht se nuk kishte përfunduar dhe ishin punëtorët në çdo cep. Kjo zonë është një aktraksion tepër i veçantë, ku çdo godinë ka historinë e saj interesante dhe hapja e “rrugëve” do ta kthejë në kryefjalë të vizitave në Vlorë, pasi hyrja në të, të kthen pas në kohë.
Plazhet menaxhohen tashmë nga bashkitë, si e shihni këtë? Çfarë ndikimi do të këtë?
Pritet që përveç hoteleve, shumica e plazheve të kthehen në publike, në bazë të deklaratës dhe të kryeministrit. Gjithsesi, kur të dalë VKM në ditët në vazhdim, do të shikojmë më konkretisht se si është menduar ky plan, që nga rojtarët e detit dhe deri te pastrimi i plazheve.
A është gati Vlora dhe Jugu për të nisur sezonin veror? Çfarë mund të bëhet më mirë dhe ku ka nevojë për ndërhyrje (infrastrukturë, menaxhim mbetjesh etj.)
Vlora është gati, shumica e bizneseve kanë marrë masa, madje kanë bërë dhe trajnime të ndryshme, gjithsesi pritet të jetë një sezon i vështirë dhe ndryshe nga ç’jemi mësuar çdo vit. Nga ajo që shihet tani, duket sikur do të ketë “lëvizje”, pasi ne jemi në muajin maj dhe vitet e kaluara, në të njëjtën periudhë nuk ka pasur kaq shumë pushues sa pati këtë fundjavë, edhe pse ishte e ndaluar dhe kështu pritet të vijojë, me fundjavat fillimisht dhe me ditët e javës. Kjo do të thotë se qytetarët po dalin “të etur” për plazh.
Mendoj se ndryshimet që ka pësuar qyteti vitet e fundit e kanë kthyer në një vend bashkëkohor, duke sjellë dhe investime bashkëkohore nga privatët. Investimi që mezi pritet është Aeroporti i Akërrnisë, i cili do të bëjë që të ketë një interes tepër të lartë për turizmin, duke e bërë më të lehtë afrimin e turistëve në Vlorë. Deri atëherë, do të mjaftohemi kryesisht me portin që lidh Vlorën me Brindisin ku këtë vit, hyrja në linjë e dy trageteve, ka bërë që çmimet të ulen dhe kapacitetet të shtohen.
Aktualisht lëvizja e tyre është vetëm për kamionët, por pritet që në qershor të nisë dhe qarkullimi i njerëzve. Nëse qarkullimi normalizohet, do të kemi dhe një rritje të turistëve italianë, të cilët vitin e kaluar zunë vendin e dytë për numër turistësh pas atyre shqiptarë. Dhe në këtë rast, jemi më pak të predispozuar ndaj COVID-19, sepse ata që vijnë tek ne janë kryesisht italianë që vijnë nga Jugu i Italisë, një zonë kjo me një numër të papërfillshëm të infektuarish ku shumica e zonave janë me 0 raste. Pati aq shumë italianë ku disa prej tyre u kthyen dhe në shqetësim për bizneset vendase, duke bërë që të kthehet “rrota e historisë” me veprime negative.
Këtu dua të përmend rastet e veprimeve që nuk ishin parë më parë, siç ishte vjedhja në dyqane, apo duke u larguar nga restorante pa paguar. Tashmë, nuk i del nami vetëm disa bashkëmbësve tanë për bëmat e thyerjes së ligjit në Itali, por kemi dhe rastet e italianëve që kanë thyer ligjin në Shqipëri. Pavarësisht se janë raste negative, është një shenjë që turizmi vitin e kaluar ishte në rrugën e duhur, situatë që shumë operatorë shpresojnë të jetë edhe këtë vit.
Pavarësisht vështirësive që pritet të ketë ky vit për operatorët turistikë, me apo pa turistë të huaj, të mos harrojmë të kemi një dashuri të madhe për detin, të kemi foto dhe kujtime pafund me në sfond detin, sepse të shijojmë bukuritë e vendit tonë është “ilaçi” më i mirë për të rritur dozat e pozitivizmit, duke harruar muajt negativë që po lëmë pas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.