Kompania Voltalia nis në Shqipëri ndërtimin e centralit më të madh të prodhimit të energjisë nga dielli në Ballkanin Perëndimor.
Parku pritet të jetë në funksion në mesin e vitit 2023. Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku deklaroi se vendi do të marrë për 15 vite 70 megavat orë me një çmim prej 24.89 euro.
“Është parku më i madh fotovoltaik në Ballkan me 140 megavat orë. Kjo ditë merr rëndësi më të madhe. Energjia që ne prodhojmë mbulon vetëm 70% të nevojave që ka vendi për konsum. Parashikimet për rritjet për çmimin e energjisë së importuar, janë hedhur poshtë pasi pritej që një megavat të ishte 250-260 euro, por ka arritur në 340 euro. Voltalia është një nga kompanitë e prodhimit energjetik, që ka zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Energjia e prodhuar prej këtij parku do të jetë 24.89 euro për megavat orë. Në mesin e vitit 2023 kur parku do të jetë në funksionim ne do të marrim për 15 vite 70 megavat orë me çmim 24.89 euro. Këtu po nis investimi prej 100 milionë eurosh për ti dhënë një frymëmarrje sistemit energjetik”, tha Balluku.
Voltalia fitoi koncesionin 30-vjeçar për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë në vitin 2020.
Projekti 140 megavat ju dha Voltalia-s me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë më date 21 janar 2020, sipas një procedurave dhe procesit konkurrues të tenderit të hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH. Sipas termave të tenderit, Parku i Karavastasë do t’i shesë operatorit publik shqiptar 50% të energjisë elektrike nëpërmjet një kontrate shitjeje 15-vjeçare, ndërsa pjesa tjetër do t’i shiten me kontrata afatgjata operatorëve privatë. Impianti pritet të vihet në punë në gjysmën e dytë të vitit 2023.
Impianti i ri i Energjisë do të mbulojë konsumin vjetor të energjisë elektrike të rreth 220 mijë banorëve, dyfishi i konsumit të qyteteve shqiptare si për shembull Vlora apo Kamza. Ky impiant do të shmangë emetimin e më shumë se 96,500 ton CO2 në vit, i barazvlefshëm me 9.5% të emetimit të sektorit industrial shqiptar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.