Volumi postar me jashtë pësoi rënie me 38% prej pandemisë

07/01/2021 11:00 AM 0 komente

Pandemia e ka goditur volumin postar me jashtë, për shkak të kufizimeve në lëvizje në muajt e parë të pranverës.

Nga të dhënat zyrtare të INSTAT, gjatë 11-mujorit 2020, volumi postar me jashtë ishte 259 tonë ose 38% më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku volumi postar ishte 421 tonë.

Sipas INSTAT, ky volum përfshin mallrat e autorizuar me postë dhe që kanë hyrë ose dalë nga vendi nëpërmjet transportit, hekurudhor, detar dhe atij ajror.

INSTAT referon se rënia e aktivitetit postar me vendet e tjera lidhet me masat kufizuese në pranverë. Zakonisht, postat përpunojnë një volum prej 34-45 tonësh në muaj me jashtë, por në prill ato përpunuan zero ton, në maj vetëm 4 tonë, në qershor vetëm 5 tonë. Gjatë gjithë vitit aktiviteti postar në vend mbeti i dobët sidomos pas karantinës së parë.

Por rënia e shkaktuar nga kufizimet në lëvizje me jashtë vendit duket se është kompensuar në njëfarë mënyre nga rritja e aktivitetit të brendshëm. Bllokimi që shkaktoi karantina ka rritur tendencën për të përdorur postën. Ekspertët e tregut pohojnë se kjo rritje në tregun e brendshëm është shkaktuar nga rritja e tregtisë online, e cila e ka realizuar shpërndarjen e mallrave nga posta.

Volumet postare me jashtë vijnë në lidhje të drejtë me rënien e theksuar të transportit të mallrave dhe të njerëzve me të gjitha linjat e transportit.

Gjatë 11-mujorit 2020, volumi i mallrave të ngarkuara dhe shkarkuara në porte është 3.919 mijë ton, duke u ulur me 4,4%, krahasuar me 11-mujorin e vitit 2019, ndërsa volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë u ul 42,0%, krahasuar me 11-mujorin e vitit 2019. Transporti nga ajri ulu me 23,9%, krahasuar me janar-nëntor 2019.

Transportit ndërkombëtar ka qenë ndër sektorët më të goditur nga pandemia e koronavirusit. Bllokimi i transportit ajror, që siguron një pjesë të madhe të volumit postar me jashtë, ka sjellë rënien më të madhe.

Të dhënat e tërthorta nga AKEP tregojnë se volumi postar për nga numri i dërgesave dhe pakove është rritur, por sipas INSTAT sasia ka rënë ndjeshëm.

Pas përdorimit masiv të internetit, posta humbi shërbimin klasik të dërgimit të letrave që u zëvendësuan nga emaili, por me zhvillimin e tregtisë online, postat në të gjithë botën po marrin një dimension të ri në transportin e mallrave dhe janë para një perspektivë në rritje./B.Hoxha

Burimi: INSTAT

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of