Bashkimi Europian po përgatitë paketën e nëntë të sanksioneve ndaj Rusisë në përgjigje të sulmit të Moskës ndaj Ukrainës, tha shefja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen gjatë një vizite në Finlandë këtë të enjte.
“Ne po punojmë fort për të goditur Rusinë, ku i rëndon më shumë në mënyrë që të zbutet edhe më tej kapaciteti i saj për të luftuar kundër Ukrainës. Jemi duke punuar me shpejtësi të plotë për një paketë të nëntë sanksionesh”, tha Von der Leyen në një konferencë shtypi.
“Dhe me besim të plotë them se shumë shpejt do të miratojmë një kufi global të çmimit të naftës ruse me G7 dhe partnerë të tjerë të mëdhenj. Ne nuk do të pushojmë derisa Ukraina të ketë mbizotëruar mbi Putin dhe luftën e tij të paligjshme dhe barbare,” tha ajo.
Von der Leyen nuk dha detaje se çfarë masash mund të përmbajë paketa e re e sanksioneve të BE-së.
Unioni muajin e kaluar dha miratimin përfundimtarë për sanksionet e vendosura në paketën e tetë mbi kufizimet në tregtinë e çelikut dhe produkteve të teknologjisë.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrat e Finlandës dhe Estonisë dhe zëvendëskryeministren e Suedisë, Von der Leyen tha se sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës civile të Ukrainës, përbënin krime lufte.
“Unë gjithashtu e di se miqtë tanë ukrainas do ta kapërcejnë këtë strategji sepse ata janë të fortë dhe kauza e tyre është e drejtë dhe ne, BE, do të qëndrojmë pranë tyre në këto kohë shumë të vështira për aq kohë sa duhet,” tha ajo.
Parlamenti Evropian të mërkurën emëroi Rusinë një shtet sponsor të terrorizmit ,duke argumentuar se sulmet e saj ushtarake ndaj objektivave civile ukrainase si infrastruktura energjetike, spitalet, shkollat dhe strehimoret shkelin ligjet ndërkombëtare.
Rusia mohon se ka shënjestruar qëllimisht civilët në Ukrainë, por pranon një fushatë sulmesh kundër energjisë elektrike dhe infrastrukturës tjetër, të cilat Moska sugjeron se synojnë të reduktojnë aftësinë e Kievit për të luftuar dhe ta shtyjnë atë për të negociuar./ Reuters