Vonesat në fluturim, kompanitë ajrore kompensojnë 2200 pasagjerë

07/05/2019 11:23 AM 0 komente

Fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) kanë ardhur në rritje, çka është reflektuar edhe në flukse më të mëdha pasagjerësh. Referuar të dhënave zyrtare në Autoritetin e Aviacionit Civil (AAC), shifrat tregojnë një numër prej 212,034 pasagjerësh të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit mars për/ nga TIA.

“Rritja e numrit të pasagjerëve është me 10.34%. Bazuar në të dhënat e mëposhtme, kompania ajrore Blue Panorama mbetet mbizotëruese në treg duke mbuluar fluksin më të madh të lëvizjes së pasagjerëve për muajin mars 2019, me një numër prej 48,328 pasagjerësh, ose 23% të totalit. Ndjekur nga Ernest S.p.A me 18% ndaj totalit dhe 37,291 pasagjerë, duke vijuar me AlbaWings, e cila zotëron tregun me 10% dhe 21,619 pasagjerë. Grafiku i mëposhtëm pasqyron fluksin e pasagjerëve që kanë udhëtuar në muajin mars 2019, të ndarë sipas kompanive ajrore.

Përqindjen më të madhe në tregun e transportit ajror për muajin mars 2019 vazhdon ta zotërojë Italia, duke zënë 58% të totalit dhe një numër prej 121,337 pasagjerë, ndjekur nga Turqia, me 11%. Gjithashtu në muajin mars, Hungaria dhe Austria zotëron 6% të tregut tonë. Nëse do të bënim krahasimin e tre viteve të fundit, trafiku ajror dhe fluksi i pasagjerëve këtë vit, gjatë marsit 2019 ka një rritje prej 10.34% krahasuar me vitin e kaluar” thuhet në buletinin përmbledhës të AAC.

 

Kompanitë, me rënie Alitalia, rritje Wizz Air

Hungaria duket se është kthyer në një destinaicon të preferuar çka reflektohet edhe tek flukset e pasagjerëve dhe rezultatet e kompanive ajrore. Autoriteti i Aviacionit Civil raportoi se për muajin mars 2017-2018-2019, vihet re numri i pasagjerëve që kanë fluturuar me kompaninë Wizz Air ka shënuar një rritje prej 149% e krahasuar me mars 2018. Ernest S.p.a gjithashtu ka rritje në numrin e pasagjerëve me 54% ndjekur nga Pegasus me rritje prej 39%.

“Kompania Transavia ka pësuar humbje 26% krahasuar me vitin 2018, gjithashtu me rënie duket dhe kompania Alitalia gjatë dy viteve të fundit, përkatësisht 12% dhe 23%. Nëse do të bënim krahasimin e tre viteve të fundit, trafiku ajror dhe fluksi i pasagjerëve këtë vit, gjatë mars 2019 ka një rritje prej 10.34% krahasuar me vitin e kaluar” vlerëson AAC.

 

Kompensimet e pasagjerëve

Autoriteti i Aviacionit Civil raportoi se numri i kompensimeve në total ka shkuar në 2200, ku kompanitë me numrin më të lartë të tyre janë Blue Panorama dhe Fly Ernest. Nga të dhënat që kompanitë ajrore kanë dërguar pranë SPD, rezulton se 1546 kompensime janë përfunduar si proces, ndërsa 654 janë në proces mbylljeje, për shkak të dokumentacionit nga pasagjerët.

“Në mënyrë që ky proces të përfundojë në një kohë sa më të shkurtër, AAC i bën thirrje gjithë pasagjerëve që kanë plotësuar një formular ankimimi, të rikontaktojnë kompaninë ajrore për të njohur me gjendjen e procesit. Ndërkohë për çdo asistencë të kontaktojnë edhe numrat e telefonit të Sektorit për të Drejtat e Pasagjerit” nënvizon AAC.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of