Vonesat në ndarjen e OSHEE, Sekretariati : Kompanitë ende nuk veprojnë të pavarura

24/06/2019 11:00 PM 0 komente

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) nisi një vit më parë procesin e ndarjes duke krijuar tre kompani të reja nën të por që sipas Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë ende ka vonesa në këtë proces dhe kompanitë nuk veprojnë si të pavarura. Ky Sekretariat njoftoi pak ditë më parë se ka nisur procedurat për zgjidhjen çështjes të hapur ndaj Shqipërisë në janar 2018 për shkak të vonesave në ndarjen e shpërndarjes në sektorin e energjisë.

“Sekretariati i Komunitetit të Energjisë vazhdon procedurat paraprake për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kundër Shqipërisë nisur në janar 2018 për shkak të mosndarjes efektive të operatorit të sistemit të shpërndarjes në Shqipëri, OSHEE. Shqipëria nuk ishte në gjendje të korrigjonte çështjet që ngriheshin në Letrën e Hapjes së Sekretariatit sa i përkiste dështimit të përmbushjes së detyrimeve nën Traktatin e Komunitetit të Energjisë, pra vendi nuk kishte transpozuar siç duhet kërkesat për ndarjen e operatorit të sistemit të shpërndarjes në dhe nuk ka marrë masat efektive për të zbatuar kërkesat ligjore dhe funksionale të ndarjes së OSHEE” thuhet në njoftimin e Sekretariatit.

Sipas këtij të fundit regjistrimi i personave juridikë të veçantë dhe përgjegjës për shpërndarjen dhe furnizimin e energjisë në Shqipëri ende nuk bëhet de facto në mënyrë eficente nga kompanitë e reja të krijuara nga ndarja.

“Vetëm të ndara nga segmentet e tjera të zinxhirit të furnizimit me energji operatorët e sistemit të shpërndarjes mund të veprojnë të pavarur dhe konsumatorët të përfitojnë nga një mundësi më e madhe zgjedhjeje tek kompanitë e furnizimit të energjisë çka do të ofrojë një shërbim më të përmirësuar dhe një çmim më të drejtë” thuhet në njoftimin e Sekretariatit.

Aktualisht OSHEE është ende në procesin e ndarjes së kompanive të krijuara vitin e shkruar dhe të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Kompania e parë është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe në objekt të kompanisë është shpërndarja e energjisë elektrike, ndërtimin, funksionimin dhe mirëmbajtja e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike për sigurimin e energjisë elektrike klientëve, lidhjen e klientëve dhe përdoruesve të rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, instalimin dhe shërbimet e matjes së energjisë elektrike, si dhe çdo aktivitet tjetër fitimprurës me interes për shoqërinë.

Kompania e dytë është Furnizuesi i Tregut të Lirë dhe në objekt të saj ka blerjen dhe menaxhimin e energjisë dhe operimin në tregun e lirë, si dhe çdo aktivitet tjetër fitimprurës me interes për shoqërinë. Për më tepër shoqëria mund të kryejë çdo aktivitetet tjetër i cili nuk është i ndaluar nga ligji në fuqi.
Shoqëria e tretë është Furnizuesi i Shërbimit Universal me objekt të saj furnizimin me energji elektrike të klientëve fundorë që veprojnë në treg të rregulluar të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi, ofrimin dhe sigurimin e cilësisë tregtare të shërbimit, si dhe çdo aktivitet tjetër fitimprurës me interes për shoqërinë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of