Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar në parim Ligjin për pagën minimale. Me projektligj, parashihet që paga minimale të rritet në 264 euro bruto. Për këtë ligj ishte debatuar shumë kohëve të fundit, madje edhe ishte organizuar një protestë nga organizatat e dala nga lufta, pasi pensionet e veteranëve nuk ishin përfshirë në ligj.
Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenim deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Projektligjin për Pagën Minimale.
Projektligji parasheh ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.
Për këtë ishte debatuar shumë kohëve të fundit, madje edhe ishte organizuar një protestë nga organizatat e dala nga lufta, pasi pensionet e veteranëve nuk ishin përfshirë në Projektligj.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se pas 11 vitesh është miratuar paga që do t’i ndihmoj qytetarët.
“Projektligji që mundëson rritjen e pagës minimale kaloi sot në lexim të parë. Pas 11 viteve stagnim, më në fund do të kemi rritjen e pagës minimale që ndihmon: Mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat që aktualisht punojnë për pagë nën 264 euro. Mbi 380 mijë të punësuar të cilët marrin më shumë pagë neto sepse hiqet tatimi për 250 eurot e para të pagës”, ka treguar ai.
Partia Demokratike e Kosovës e bojkotoi këtë seancë me arsyetimin se po u bëhet e padrejtë veteranëve.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kërkuar tërheqjen e Projektligjit për pagën minimale dhe të ulen e të bisedojnë.
“Kemi kërkuar që ky Projektligj të kthehet në Qeveri, pasi ky Ligj për qëllimin që po ndodh nuk ka kurrfarë ndikimi, në shumicën e sektorit privat, në fakt paga minimale ka arrit tek 250 eurosh. Në kuadër të këtij Ligji largohet një kategori të vendit nga lidhja me pagën minimale. Kërkesa jonë është shumë e thjesht. Kish me qenë profesionale që ky Ligj të tërhiqet nga ministri Hekuran Murati të ulemi e të diskutojmë për ndërlidhjen. Kjo është kërkesë legjitime dhe minimale në raport me krejt debatet dhe çështjet që i kemi ngrit. Nuk ka të bëj me një pozicion as opozitare, as politik por me një koncept të pagës minimale dhe reformës sociale. Të ulemi e të diskutojmë e të ecim tutje. Nëse e aprovojmë këtë ligj bëjmë një gabim shumë të madh”, ka thënë Tahiri.
Në muajin prill, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin që e cakton pagën minimale në vlerë prej 264 euro bruto ose 250 euro neto, duke larguar tatimin për këtë nivel.
Kurse sindikatat e kishin kundërshtuar këtë vlerë, duke kërkuar pagë minimale mbi 400 euro.
Krahas kësaj, deputetët miratuan edhe Projektligjin për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2022.
Ndryshe, paga minimale në Kosovë është 170 euro për moshën mbi 35 vjeç e 130 euro nën 35 vjeç dhe nuk ka ndryshuar që nga viti 2011.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.