Nga një vend ku makina private ishte e ndaluar, sot Shqipëria është bërë një panair i madh, ku gjen të gjitha markat e brandet e tyre. Vetëm se kur shikon pamjen e tyre, por edhe më shumë statistikat për automjetet e regjistruara në vend, bie në sy numri jashtëzakonisht i madh i makinave të vjetra dhe shumë të vjetra, shumë herë më i madh se i plehrave që krijojmë çdo vit nga konsumi. Por duket se jemi familjarizuar me këtë ekspoze të përditshme rrugëve të vendit, sa nuk po shohim se rreziku më i madh për cilësinë e jetës sonë nuk janë plehrat që do të importohen për industrinë ricikluese, por pikërisht makinat tejet të amortizuara dhe ndotëse, për të cilat, fatkeqësisht, paguajmë shumë shtrenjtë për të pasur një vrasës të tillë.
Të dhënat tregojnë se në Shqipëri hyjnë çdo vit mesatarisht 50 mijë makina të vjetra, gjysma e të cilave ka një moshë përdorimi mbi 15-vjeçare. Nëse do të konvertoheshin në peshë dhe në volum, sasia e tyre nuk do të ishte çudi të kalonte sasinë e mbetjeve që potencialisht do të importoheshin. Sa për ide, nëse do të vendosnim në radhë këto mjete të importuara në një vit, autokolona e krijuar do të ishte rreth 300 km, pothuaj sa gjithë rruga nga Shkodra deri në Vlorë. Sot, flota e makinave me moshë mbi 15 vjet, që përbën në Perëndim moshën kur makinat kalojnë për shkatërrim, është mbi 300 mijë, duke na ekspozuar me një bombë të madhe mjedisore që ka shpërthyer prej kohësh tashmë.
Nga ana tjetër, jetëgjatësia e përdorimit të këtyre mjeteve në vend është relativisht e shkurtër, mesatarisht 3-4 vjet dhe nuk mund të zgjasë më shumë, paçka se shqiptarët e shtrydhin këtë investim deri në pikën e fundit. Kjo bën që në rrugët e vendit, nëpër qytetet tona, do të qarkullonin male plehrash të paktën dy vjet, dhe më keq nëse do të zgjaste më shumë. Nevoja për të ndërruar automjetin me një tjetër po të përdorur dhe moshë të kaluar, jashtë parametrave teknikë, vetëm sa e rrit madhësinë e këtij orteku mjedisor. Dhe për sa kohë nuk ka kufizime, nga njëra anë, që frenojnë futjen e makinave të përdorura dhe, nga ana tjetër, stimul konsumator për të blerë një makinë të re, që mbron mjedisin dhe shton sigurinë, kjo gjendje ka gjasë të zgjasë edhe më shumë se sa ka kaluar deri tani.
Ky vrasës mjedisor është vrasës financiar. Është i vetmi rast, gati unik, ku shqiptarët të detyruar, edhe për shkak të pamundësisë financiare, për të cilin janë të gatshëm të paguajnë kaq shumë për të. Mesatarisht, sot një makinë e vjetër ka një çmim në tregun e huaj 8 mijë euro, ose sa të ardhurat mesatare vjetore në një vit (ndonëse kur importohet në Shqipëri, për të shmangur detyrimin tatimor figuron me vlerë më të ulë). Pra, praktikisht, nga kemi ngrënë me kohë duke zeruar çdo dy vjet të ardhurat e fituara nga puna e çdo viti. Por, për të mirëmbajtur këtë automjet, të paktën pas do vjetësh do të duhen edhe më shumë para. Nëse do të na kishin pyetur “a je i gatshëm për të paguar kaq shumë për të dënuar jetën tënde” pa dyshim çdo shqiptar do të thoshte “jo”. Por kjo po ndodh.
Siç edhe kanë treguar matjet e herëpashershme, ndotësit më të madh të ajrit në Shqipëri janë emetimet e karbonit që vijnë nga përdorimi i makinave të vjetra. Shqiptarët, në këtë rast, jo vetëm që paguajnë për të ndotur veten, por do të duhen të paguajnë edhe për kujdesin ndaj vetes. Por ndonëse mbetjet mund të riciklohen e krijojnë një derivat të ri, shëndeti njerëzor nuk ka derivat.
Edhe për aksidentet në rrugë, policia thotë se numri i madh për shkak të pasigurisë së automjetit, ndodh te makinat e përdorura. Ja dhe një stendë tjetër e këtij panairi mbetjesh, që lëviz çdo ditë në rrugët tona ashtu si gjaku në vena. Por këtë përmasë, askush nuk e sheh, sa kemi arritur në atë pikë që jemi të gatshëm të paguajmë, madje të paguajmë shtrenjtë për ta pasur.
Vëmendja e publikut sot është e përqendruar te vendimi i qeverisë që lejon importin e disa mbetjeve për industrinë ricikluese dhe ka një pakënaqësi të hapur, pjesërisht të drejtë. Por për skenën me mbetje dhe importet masive të këtyre mbetjeve që vijnë me katër rrota e për të cilat paguajmë kaq shumë, pak është folur.
Së fundi, qeveria po përgatit një ligj, i cili nxit shqiptarët për të blerë një makinë të re, duke iu dhënë bonus 1 mijë euro. Ky është një model i njohur që ka funksionuar mjaft mirë në shumë vende të BE-së, duke dhënë efekt pozitiv në rritjen e sigurisë së jetës, mbrojtjen e mjedisit, por ka rritur edhe kërkesën konsumatore dhe ka zhvilluar biznesin.
Është një vendim që përpiqet t’i japë zgjidhje fenomenit. Ndonëse është një vendim befasues, sepse është i rrallë në lloj për këtë qeveri, mbetet një vendim i mirë, por që duhet shoqëruar me të tjera nisma.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.