Specialistët e tregut financiar në konsensus për rritje të normave të interesit deri në fund të vitit 2022.
Vrojtimi
Revista “Monitor” në datat 11-16 shkurt 2022 zhvilloi një vrojtim me një panel specialistësh të tregut financiar në vend, për të ndjekur pritshmëritë e tyre në lidhje me normat e interesit në lekë.
Paneli përbëhej nga 14 punonjës të bankave dhe të institucioneve të tjera financiare, të cilët kanë ekspertizë në fushën e administrimit të aktiveve / pasiveve; të investimit në tregje dhe për rrjedhojë ndjekin ngushtësisht ecurinë e normave të interesit, kurseve të këmbimit, çmimit të aktiveve financiare etj.
Ky panel të vrojtuarish përbën një grup që formon pritshmëri, të cilat i reflektojnë në operacionet dhe vendimet e tyre kur kryejnë operacione në treg apo administrojnë rreziqet. Për rrjedhojë, ata përfaqësojnë edhe pritshmëritë e përgjithshme që mund të ketë krijuar tregu financiar në Shqipëri.
Dekada e inflacionit të ulët, me norma interesi pothuaj zero, u përmbyll me derdhjen masive të fondeve në mbështetje të ekonomive, si pasojë e COVID-19 dhe me rritjen e deficiteve e borxheve publike, që pasoi. Tashmë inflacioni ka tejkaluar objektivat e bankave qendrore.
Në Janar 2022 normat vjetore të inflacionit në SHBA dhe BE rezultuan në nivelet 7.1% dhe 5.5% përkatësisht. Pasiguria luhatet ndërmjet dukurisë së inflacionit “kalimtar” dhe inflacionit “që do të jetë në mes nesh”. FED (banka qendrore e SHBA) nuk po i referohet më inflacionit si dukuri “kalimtare”. Ndërsa BQE ende po mban politika të pandryshuara në lidhje me inflacionin.
Dilema ndërmjet qëndrueshmërisë së çmimeve dhe nevojës për nxitje të rritjes së ekonomisë dhe punësimit ka dalë përsëri në pah dhe lexohet qartazi në komunikimet e formuluara tepër kujdesshëm dhe me gjuhë të mjegullt të bankave qendrore.
Ndërkohë, që këto institucione do të duhet të ndërtojnë vendimmarrjen në lidhje me “tërheqjen mbrapsht” të lehtësimit sasior, ashtu edhe me rritjen e normës së interesit, diskutimi po shtrihet edhe në shpejtësinë dhe masën me të cilën do të duhet të veprohet, pa dëmtuar rritjen ekonomike dhe për të shmangur rënien në recesion.
Nga nëntori i vitit të kaluar, norma e inflacionit në Shqipëri kapërceu objektivin afatmesëm, 3%, të Bankës së Shqipërisë. Në Janar 2022 inflacioni arriti në nivelin 3.7%, një normë që nuk është vërejtur prej vitit 2011.
“Banka e Shqipërisë vlerëson se dinamikat e çmimeve në tregjet botërore do të kenë ndikim kalimtar në inflacionin e çmimeve të konsumit në vend”, do të shprehej ky institucion në një intervistë të dhënë për revistën “Monitor”, në shtator 2021 (nr. 997).
Ndonëse treg i vogël dhe më pak i integruar në ekonominë botërore, ekonomia shqiptare nuk mund të mbetet jashtë kësaj sjelljeje të çmimeve dhe diskutimit mbi dilemën kontroll inflacioni – mbështetje e ekonomisë. Duke iu referuar qëndrimit të shprehur në shtator 2021, në intervistën e cituar më sipër, Banka e Shqipërisë pavarësisht se priste një rritje graduale inflacioni gjatë 2022, gjithashtu shprehej edhe për kthim brenda objektivit po në këtë dhe qëndrim rreth nivelit 3% në vitet në vijim.
Qëndrim i cili është modifikuar në fillim të vitit 2022 duke reflektuar pikërisht dinamikën e shpejtë të ndryshimit të nivelit të çmimeve të konsumit në tregjet botërore dhe në vend. “Për vitin 2022, ne presim që inflacioni të jetë mbi objektivin 3%, në pasqyrim të niveleve të larta të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Me normalizimin e tyre, ne presim reduktimin e inflacionit drejt objektivit, i cili parashikohet të arrihet brenda vitit 2023”, shprehet Banka e Shqipërisë në intervistën që publikohet në këtë numër të revistës. Por që gjithsesi i mbetet mendimit se intensiteti do të jetë në rënie.
Nga ana tjetër, duket se tregu ka formuar një pritshmëri në lidhje me kahun e politikës monetare. Shumica (86%) e panelit të anketuar presin që norma bazë e interesit deri në fund të vitit 2022 të rritet (shih grafiku 1). Gjysma e të anketuarve mendojnë se deri në fund të vitit 2022 norma e interesit do të rritet me 0.25 pikë përqindje nga niveli aktual prej 0.5%.
Ndërsa 36% presin që rritja të kryhet me një hap edhe më të madh prej 0.5 pikë përqindjeje, duke arritur në 1% në fund të vitit. Disa prej tyre shprehen se tashmë duhet të ishte kryer një rritje e kësaj norme (shih grafiku 2). E po njësoj është edhe shpërndarja në lidhje me intensitetin me të cilën pritet të veprojë Banka e Shqipërisë.
Megjithatë, i gjithë paneli pret një rritje graduale të normës bazë, pasi ata që kanë pritshmëri më të forta për rritje të normës (0.5 pikë përqinde-pp) shprehen se e mendojnë që kjo rritje do të ndodhë në dy vendime të Bankës së Shqipërisë (shih grafiku 3).
Grafik 1: Pritshmëria e specialistëve të tregut është që norma e interesit të
Grafik 2: Pritshmëria e specialistëve është që deri në fund të vitit 2022 norma bazë e interesit të arrijë
Grafik 3: Specialistët e tregut mendojnë se numri i vendimeve të Bankës së Shqipërisë për të arritur në nivelin e pritur të normës bazë të interesit në fund të vitit 2022 do të jetë
Pritshmëria për një normë inflacioni më të lartë se në të shkuarën reflektohet edhe në pritshmëritë për normat e interesit. Më konkretisht, ekspertët parashikojnë një rritje të nivelit të kurbës së kthiemve (yield-eve) përgjatë të gjithë maturiteteve (shih grafiku 4).
Siç e kemi theksuar më parë, rritja e inflacionit dhe e normave të interesit do ketë ndikim të menjëhershëm në aftësinë paguese të borxhit publik. Epokës thuajse 10-vjeçare të normave të ulëta, që lehtësoi dhe emetimet e njëpasnjëshme të Eurobondeve nga qeveritë shqiptare, duket se po i vjen fundi.
Grafik 4: Kurba e Yield-eve fund 2021 dhe ajo e parashikuar për fundin e vitit 2022
Ekspertët po ashtu presin rritje të normave mesatare të interesit për kreditë dhe depozitat krahasuar me normat aktuale mesatare, respektivisht 5.03% dhe 0.67% (shih grafiku 5).
Vetëm një nga të anketuarit pret që normat mesatare të ngelen në nivelet aktuale ose më të ulëta. Mbi 50% e të anketuarve presin që normat mesatare të rriten me 0.25%. Pjesa tjetër e të anketuarve pret një rritje edhe më të shpejtë të normave mesatare të interesit për kreditë dhe depozitat.
Vlen të theksohet se ekspertët presin një rritje pak më të shpejtë të normave të interesit të kredive krahasuar me të depozitave, një sjellje pothuaj historike e tregut financiar në vend. Më konkretisht, hendeku (spread-i) mes dy normave mesatare pritet të arrijë nivelin e 5.41% krahasuar me 5.03% që është aktualisht (shih grafiku 6).
Zgjerimi i spread-it me 0.38% nuk duhet parë si i papërfillshëm nëse materializohet, duke pasur parasysh se vetë ndryshimet e normave bazë zakonisht nuk shkojnë përtej 0.25%.
79% e panelit mendon që pritshmeritë e tregut të ndiqen me frekuencë tremujore.
Grafik 5:
Grafik 6: Hendeku i normave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.