Vrojtimi BSH-së: Shtrëngohen sërish standardet e kredisë për bizneset e mëdha, më lehtë për individët

16/10/2017 3:01 PM 0 komente

Individët e kanë pasur më të lehtë të marrin një kredi në bankë, por e kundërta ka ndodhur me bizneset. Banka e Shqipërisë ka publikuar “Rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për Tremujorin e Tretë 2017”. Bankat mbeten të tërhequr në kreditimin e bizneseve të mëdha, që kanë rezultuar edhe më problematiket në kthimin e huave.

Rezultatet e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues për tremujorin e tretë të vitit 2017 tregojnë se standardet e kredisë janë shtrënguar për bizneset ndërsa janë lehtësuar për individët. Sipas madhësisë së biznesit vihet re se standardet e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë mbetur të lehtësuara njësoj si një tremujor më parë, ndërsa në segmentin e ndërmarrjeve të mëdha standardet janë shtrënguar. Për individët, standardet e kredisë rezultuan të lehtësuara, si në segmentin e kredisë për blerje banesa, ashtu edhe për kredinë konsumatore.

Faktori kryesor që ndikoi në kahun lehtësues të standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve është konkurrenca në tregun bankar. Në kahun shtrëngues kanë ndikuar kryesisht huatë me probleme, situata e perceptuar makroekonomike, si edhe problemet specifike të sektorit. Përsa i përket individëve, faktorët që kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve rezultuan mjaftueshmëria e kapitalit, niveli i likuiditetit, si edhe konkurrenca në sistemin bankar. Në kahun shtrëngues për këtë segment kanë ndikuar gjendja financiare e individëve, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, si edhe huatë me probleme.

Shtrëngimi i kushteve të kredisë të bizneseve u zbatua kryesisht nëpërmjet zvogëlimit të madhësisë së kredisë dhe rritjes së kërkesave për kolateral, ndërsa lehtësimi i tyre u shpreh nëpërmjet zvogëlimit të komisioneve dhe marzhit mesatar. Bankat shprehen se lehtësimi i kushteve të kredisë për individë u zbatua kryesisht nëpërmjet zbutjes së kërkesave për kolateral, ngushtimit të marzhit mesatar për kreditë dhe rritjes së raportit të këstit ndaj të ardhurave.

Kërkesa për kredi në tremujorin e tretë të vitit 2017 u raportua e rritur si për bizneset, ashtu edhe për individët në të gjitha segmentet.

Bankat presin lehtësim të standardeve të kreditimit për bizneset, ndërsa standardet e kredisë për individët priten të mbeten të pandryshuara në tremujorin e katërt 2017. Kërkesa për kredi parashikohet në rritje si për bizneset, ashtu edhe për individët.

Kredia për bizneset

Standardet e kredisë për bizneset janë shtrënguar në tremujorin e tretë të vitit 2017. Ndryshe nga sa pritej nga tremujori i kaluar, kushtet e kreditimit për ndërmarrjet e mëdha rezultojnë të shtrënguara. Ndërkohë, në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme standardet kanë mbetur njësoj të lehtësuara si një tremujor më parë. Në tremujorin e fundit të vitit 2017, bankat presin që standardet e kreditimit të lehtësohen si në segmentin e
ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet mbeten në kahun lehtësues për kreditë për kapital qarkullues, ndërsa për investime ato janë shtrënguar. Në tremujorin e ardhshëm pritet që standardet për të dy këto kategori të lehtësohen.

Kërkesa për kredi është rritur në tremujorin e tretë të vitit 2017 e mbështetur si nga segmenti i ndërmarrjeve tmëdha, ashtu edhe nga ato të vogla dhe të mesme. Sipas qëllimit të përdorimit, këtë tremujor bizneset kanëshfaqur kërkesë më të lartë si për kredinë për kapital qarkullues, ashtu edhe për kredinë për investime. Në tremujorin e katërt të vitit, bankat presin rritje të kërkesës, të mbështetur nga të dy segmentet e biznesit.

Faktorët që kanë ndikuar kërkesën. Bankat raportojnë se kërkesa për kredi nga ana e bizneseve është mbështetur nga nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe investimeve, si dhe nga kushtet e favorshme të kreditimit. Kërkesa më e ulët për kredi është perceptuar nga bankat si pasojë e përdorimit të burimeve alternative të financimit dhe ndikimit të situatës makroekonomike.
Burimet alternative të financimit përfshijnë: (i) fondet e veta të klientëve; (ii) huamarrjen nga institucionet jobanka; dhe (iii) huamarrjen në një bankë tjetër.

Faktorët që kanë ndikuar standardet e kredisë për individë në kahun lehtësues ishin niveli i likuiditetit, mjaftueshmëria e kapitalit të bankave dhe rritja e konkurrencës në sektorin bankar. Gjendja financiare e individëve, situata në tregun e pasurive të paluajtshme, si edhe kreditë me probleme kanë vepruar në kahun shtrëngues edhe për këtë tremujor.

Kërkesa për kredi. Bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e tretë të vitit 2017, në përputhje me pritjet e tremujorit të kaluar. Zgjerimi i kërkesës për kredi nga individët është mbështetur  kryesisht nga kërkesa për kredi hipotekare, ndërsa kërkesa për kredi konsumatore shfaqet e pandryshuar.  Ekspertët e bankave presin që kërkesa në total e individëve të vijojë me rritje edhe në tremujorin e ardhshëm.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of