Vrojtimi i BSH: Si sillen shqiptarët përpara blerjeve

24/01/2014 12:23 PM 0 komente

Banka e Shqipërisë ka publikuar raportin “Kultura financiare në Shqipëri: Rezultatet e vrojtimit për matjen e nivelit të njohurive financiare të popullatës, 2011”. Ky raport vjen si rezultat i një pune intensive të Bankës së Shqipërisë të shtrirë përgjatë një viti e gjysmë si një aktivitet i parashikuar në projektin e binjakëzimit me asistencën e Bankës së Italisë. I njëjti anketim është kryer edhe në 13 vende të tjera, referencë e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, shkurt OECD.

Për të kuptuar se si individët i administrojnë paratë, janë pyetur: nëse ata e analizojnë situatën e tyre financiare përpara se të kryejnë një blerje; nëse i shlyejnë faturat në kohë; nëse kujdesen personalisht dhe në mënyrë konstante për financat personale; nëse përcaktojnë objektiva afatgjatë dhe përpiqen t’i përmbushin ato; nëse mbajnë një buxhet familjar; si dhe nëse kursejnë dhe në cilat mënyra. Gjithashtu kemi analizuar mënyrën e përzgjedhjes së produktit dhe burimet më të vlefshme të informacionit për përzgjedhjen, si dhe sjelljen e ndjekur në situata të vështira, kur të ardhurat nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet.

 

Si reagojnë individët përpara një blerjeje

Sjellja e rrëmbyer për të blerë e konsumuar gjithçka që na pëlqen, shpesh është ndër shkaqet kryesore të nivelit të ulët të kursimeve dhe mbikreditimit të popullsisë. Për të matur blerjen e menduar në varësi të gjendjes financiare, i kemi pyetur të anketuarit nëse përpara se të blejnë diçka, marrin në shqyrtim nëse është një shpenzim që mund ta përballojnë. Rezultatet e paraqitura në grafikun IV 1.1 janë të kënaqshme. 70.4% e të anketuarve deklarojnë se “gjithmonë” marrin në shqyrtim nëse janë në gjendje ta përballojnë shpenzimin përpara se të kryejnë blerjen, ndërkohë që 16.2% e bëjnë këtë veprim “shpesh”.

Nga ana tjetër, pavarësisht gjinisë të cilës i përkasin, rezultatet tregojnë se personat e martuar apo në bashkëjetesë janë më të matur përpara kryerjes së blerjes (grafiku IV 1.2). 72.2% e tyre e analizojnë “gjithmonë” paraprakisht mundësinë e përballimit, të ndjekur nga individët e divorcuar apo ata të ve me 70.0%, kundrejt 59.0% të të pamartuarve.

Ndërkohë, sjellja e ndjekur përpara blerjeve nga grup-moshat e ndryshme tregon disa ndryshime (grafiku IV 1.3). 61.7% e individëve që i përkasin grup-moshës 18-29 vjeç përgjigjen “gjithmonë”, ndërkohë që kjo përqindje rritet në 71.0% dhe 73.3% përkatësisht në grup-moshat 30-59 vjeç dhe mbi 60 vjeç. Me rritjen e moshës shtohet edhe ndërgjegjësimi për rëndësinë e analizës paraprake të gjendjes financiare.

Më të matur përpara blerjeve tregohen personat me të ardhura të paqëndrueshme. Në 90.6% të rasteve, personat me të ardhura që ndryshojnë nga java në javë, nga muaji në muaj apo nga stina në stinë përgjigjen se e analizojnë “gjithmonë” ose “shpesh” përballimin e shpenzimit. Kjo përqindje zbret në rreth 85% për kategorinë e personave me të ardhura familjare të rregullta e të parashikueshme dhe për kategorinë e personave që ndonjëherë nuk marrin asnjë të ardhur, si dhe në 80.0% për kategorinë e personave të cilëve u ndodh të mos i marrin të ardhurat në kohë.

Metodologjia

Pyetësori u përpilua nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën e Italisë, duke përzgjedhur dhe përshtatur pyetjet bazë të përgatitura nga INFE-OECD, për të matur kulturën financiare. Për të bërë të mundur këtë matje, në pyetësor janë përfshirë pyetje që përcaktojnë mirë sjelljen, qëndrimin dhe njohuritë e të intervistuarit. Ai përbëhet nga 37 pyetje, të cilat ndahen në katër seksione, sipas çështjeve që mbulojnë: karakteristikat demografike, produktet dhe vendimmarrjen financiare, planifikimin e buxhetit dhe financat personale, si dhe investimet personale.

Zgjedhja përbëhet nga 1000 individë, që e plotësojnë kushtin e moshës (mbi 18 vjeç). Të intervistuarit iu nënshtruan fillimisht 6 pyetjeve bazë demografike, të cilat përcaktojnë: gjininë, moshën, statusin civil, nivelin e shkollimit, situatën e punësimit dhe nivelin e të ardhurave; dhe 3 pyetjeve demografike mbështetëse apo plotësuese, të cilat shërbejnë për të ndihmuar në arritjen e një analize më të plotë e të saktë të të dhënave të fituara nga vrojtimi.

Objekt i këtij anketimi ka qenë intervistimi i individëve me moshë mbi 18 vjeç, mbi një zgjedhje të rastit në popullatën e gjithë individëve që plotësojnë kriterin e moshës.

Të pyetur mbi nivelin e të ardhurave mujore të familjes, 28% e të intervistuarve deklarojnë se të ardhurat në familjen e tyre janë të larta, 32% kanë të ardhura të mesme dhe 38% të ardhura të ulëta.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of