Serbia regjistroi 837 milionë euro në Investime të Huaja Direkte në tremujorin e parë të këtij viti, më shumë se të gjitha vendet e tjera të rajonit, tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç, duke nënvizuar kushtet e shkëlqyera dhe avantazhet që u ofron Serbia investitorëve.
Duke folur të mërkurën në Smederevska Palanka, në jug të Beogradit, gjatë ceremonisë së hapjes së punës për ndërtimin e një fabrike të re nga një kompani koreanojugore, Vuçiç theksoi angazhimin e fortë të qeverisë për modernizimin e vendit dhe zhvillimin ekonomik.
Ai tha se vendi po investon në veçanti në transport, infrastrukturë, energji dhe dixhitalizim, në përputhje me programin e reformave të gjera strukturore të miratuara në vitin 2014.
Ai tha se është e rëndësishme të investohet në NVM-të dhe sektorin privat, në mënyrë që shumë punëtorë serbë që emigruan jashtë vendit të nxiten për t’u kthyer në atdhe dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendit.
Vuçiç, udhëheqësi i Partisë Konservatore Progresive (SNS), partia mazhoritare dhe deri tani më popullorja në vend, po vazhdon fushatën e saj përpara zgjedhjeve parlamentare në 21 qershor.
Për shkak të urgjencës shëndetësore, grumbullimet dhe tubimet ende nuk lejohen, dhe deri tani Vuçiç ka mbajtur dy mbledhje online me anëtarët e partisë në pjesë të ndryshme të vendit.
Në mbledhjen e dytë virtuale, të mbajtur të hënën e kaluar, ai këmbënguli në vlefshmërinë e politikës së reformës që ka promovuar, duke pretenduar se është e vetmja që mund të çojë vendin përpara, të rrisë standardin e jetesës dhe të afrojë gjithnjë e më shumë vendin pranë Bashkimit Europian.
Ai tha se në vitet e fundit ka përuruar 150 fabrika të reja, duke sjellë të njëjtin numër investitorësh në Serbi.
Vuçiç shtoi se ka për qëllim të rrisë pagën mesatare në 900 euro deri në vitin 2025, nga 500 euro aktualisht.