VV e LDK ende pa marrëveshje, Kurti edhe tetë ditë afat për formimin e Qeverisë

27/01/2020 10:16 AM 0 komente

Në mesnatë ka skaduar ultimatumi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa për Lëvizjen Vetëvendosje, lidhur me arritjen e koalicionit qeverisës, pas më shumë se tre muaj negociatash të pasuksesshme. Të dyja partitë kanë pasur bisedime, pas zgjedhjeve të 6 tetorit, por nuk kanë arritur deri më tash marrëveshje, pavarësisht deklarimeve të të dyja palëve për përafrim qëndrimesh. Ndryshe, 4 shkurti është afati i fundit për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

 

Kjo javë pritet të jetë vendimtare rreth koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku edhe pas tre muajsh negociatash, këto dy parti nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për bashkëqeverisje për shkak të posteve.

Ditë më parë kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se deri të dielën do të dihet fati i koalicionit qeverisës, por megjithatë as dje nuk u mor vendim përfundimtar nëse do të ketë ose jo koalicion LVV-LDK.

Mbrëmë ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i cili ka thënë se në parim, koalicioni me Vetëvendosjen ka ndodhur, por po diskutohen vetëm detajet e marrëveshjes.

Nënkryetari i LDK-së në një postim në Facebook ka vlerësuar se një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit do të bënte që programi qeverisës, në këtë rast me Lëvizjen Vetëvendosje, udhëheqëse të Qeverisë e LDK-në udhëheqëse të Parlamentit, do t’i jepnin fuqi koalicionit.

Sipas tij, një ndarje e tillë, do t’i jepte mirëbesim dhe shkathtësi për t’u përballur me situatën politike, pasi siç ka thënë Haziri, agjenda politike është jashtëzakonisht e rëndë karshi faktorit ndërkombëtar, karshi opozitës së organizuar, karshi Qeverisë së re.

“Do të ketë nevojë të punohet 24 orë në ditë e 7 ditë në javë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve, mërgimtarëve dhe ndërkombëtarëve në republikë. Apeloj që të kemi edhe pak durim, sepse këto konsultimet e brendshme na mundësojnë që të eliminojmë çdolloj pengese dhe çdo lloj bombe të kurdisur të mandatit 4+”, ka shkruar ndër tjerash Haziri në Facebook.

Në ofertën e fundit publike, LDK i kërkoi Vetëvendosjes të heqë dorë nga kryeparlamentari në vitin e parë të bashkëqeverisjes. Pas një viti, kur LDK-ja të marrë postin e presidentit, kjo parti ka thënë se do ta kthente pozitën e kryeparlamentarit te VV. Por, kjo e ka fundit e ka quajtur të papranueshme kërkesën e LDK-së, duke thënë se nuk mund ta heqë nga kjo pozitë.

Në seancën konstituive të 26 dhjetorit, Glauk Konjufca është zgjedhur për kryetar të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi ka mandatuar Albin Kurtin, kreun e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re të vendit, ndonëse ky i fundit nuk i erdhi në zyrë ashtu sikurse ai e kishte ftuar.

Ndryshe, 4 shkurti është afati i fundit për formimin e Qeverisë së re të Kosovës./ Fatos Shala për Monitor.al/

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of