Dorëheqja e Madhe ka sjellë Rivendosjen e Madhe. Drejtuesit e niveleve të larta dhe shefat e burimeve njerëzore të korporatave të mëdha dhe të vogla po rimendojnë strategjitë e mbajtjes dhe angazhimit të punonjësve për të parandaluar largimet e tyre nga puna.
Miliarderi Warren Buffett ka një zgjidhje të thjeshtë të cilën ai e ka ofruar prej dekadash. Duke u dhënë mësim studentëve në shkollën e biznesit të Universitetit të Floridas, ai thotë:
“Ju nxis të punoni në punët që ju pëlqejnë. Do të bënit shumë gabim nëse zgjidhni të bëni një punë që nuk ju pëlqen, thjesht sepse mendoni se do të dukej mirë në CV-në tuaj.”
Epo, këshilla është e mirë, por një kandidat për një vend pune nuk mund të shikojë një menaxher punësimi në sy dhe të thotë në një intervistë pune, “Unë dua një punë që më pëlqen”.
Ҫështja që liderët duhet të kuptojnë është ajo që lidhet me kulturën e korporatës: si të krijohen mjedise pune ku njerëzit bëjnë atë që duan duke dhënë rezultate të mira për biznesin. Ky është një problem që duhej të adresohej që përpara pandemisë dhe pa dyshim që duhet të adresohet edhe tani.
Si t’i bëni njerëzit tuaj që të mos largohen
Për të vendosur këshillat e Buffett në kontekstin e biznesit tuaj lokal, fillimisht duhet të pranoni se ky brez punonjësish ka pritshmëri krejtësisht të ndryshme. Prandaj, liderët duhet të veprojnë sipas një seti krejtësisht të ri rregullash.
- Jepini punës një qëllim
E ardhmja e punës është pavarësia dhe ka si pikësynim qëllimin. Kjo ka të bëjë me zotërimin e asaj që bëni – qoftë duke punuar për veten tuaj apo duke bashkëpunuar me kolegët për të ndërtuar diçka me vlerë, në kontekstin e një fryme të komunitetit dhe të sipërmarrjes.
- Krijoni një mjedis me vlera të përbashkëta
Le ta pranojmë – vendi i punës mund të jetë i mërzitshëm dhe i mbushur me personalitete toksike, por vendet më të mira për të punuar janë ato ku njerëzve u pëlqen të vijnë në punë, sepse kultura është pozitive dhe optimiste. Kur kolegët dhe drejtuesit ndajnë të njëjtat vlera, sjellje etike, besime dhe norma në një mjedis psikologjikisht të sigurt, çdo inidivid kontributor është i pozicionuar në mënyrë unike për të dhënë dhe marrë dashuri pa u frikësuar nga ndëshkimi. Kjo bën që kompania të ketë një performancë të lartë dhe të tërheqë njerëz të tjerë me të njëjtën mënyrë të menduari, që e duan punën që bëjnë.
- Fuqizoni “menaxherin e nivelit të mesëm” për të drejtuar
Në shumë organizata, menaxheri i nivelit të mesëm është thjesht aty për t’u siguruar që puna ecën përpara dhe që zbatohen rregullat dhe politikat e kompanisë. Kjo është një mundësi e humbur për t’i fuqizuar ata që të drejtojnë më mirë, por shpesh ata nuk mund ta bëjnë këtë sepse nuk kanë lirinë dhe autoritetin vendimmarrës për t’u fokusuar në aspektin njerëzor të punës.
Kur menaxherëve u jepet një liri e tillë dhe ata fillojnë të fokusohen në marrëdhëniet me punonjësit e tyre – duke dëgjuar në mënyrë aktive shqetësimet dhe nevojat e tyre, si dhe idetë e ndryshme – ata mund të arrijnë zgjidhje inovatore në një kohë më të shpejtë.
Shumë shpesh ndodh që një menaxher të mos mund të plotësojë kërkesën e një punonjësi sepse “Kështu janë politikat e kompanisë ” dhe “Nuk kam ҫfarë të bëj”.
Në këtë epokë të re të fleksibilitetit dhe të mirëqenies, drejtuesit e lartë duhet t’u japin menaxherëve të nivelit të mesëm autonominë për të ushtruar instinktin e tyre njerëzor për të përmbushur nevojat e punonjësve të tyre, edhe nëse kjo do të sillte zhvendosje të roleve të punës të gjithësecilit për t’iu përshtatur fuqive dhe personaliteteve unike në ekip. Rezultati përfundimtar do të ishte një ambient ku punonjësit dhe menaxherët e nivelit të mesëm do të duan të qëndrojnë, sepse ndihen se kanë besimin dhe mbështetjen e drejtuesve të tyre të lartë.
- Punësoni dhe promovoni liderë me karakter
Cilido qoftë niveli i lidershipit në hierarki, gjithmonë mund t’u besohet njerëzve me karakter dhe integritet; nuk duhet të shqetësoheni kurrë për veprimet e tyre apo se mos ju tradhëtojnë. Kjo e bën vendin e punës më argëtues dhe plot dashuri. Një person me karakter sjell me vete edhe më shumë të vërteta në një biznes, gjë që e bën kompaninë shumë tërheqëse për të tjerët që kërkojnë të njëjtin mjedis pune. Ky do të ishte një vend ku njerëzit do të vinin në punë me dëshirë.
Mos harroni gjithashtu se punonjësit që e duan atë që bëjnë janë më të motivuar për të shpenzuar më shumë kohë për të kryer punën e tyre – atë lloj pune që ata duan të bëjnë, jo atë që ndihen të detyruar ta bëjnë. / INC