Whatsapp thyen një rekord të ri, numëron më shumë se 2 mld përdorues në të gjithë botën. Lajmi u publikua nga vetë aplikacioni i mesazheve, pjesë e kompanisë Facebook.
“Bisedat private, që njëherë e një kohë ishin të mundura vetëm ballë për ballë, sot mund të bëhen edhe në distanca të mëdha, falë chat-eve të menjëhershme dhe videothirrjeve – lexohet në komunikimin për shtyp. – Shumë momente të rëndësishme dhe emocionuese ndodhin sot në Whatsapp dhe për ne, ky është një nder dhe një kënaqësi e papërshkrueshme që kemi arritur këtë qëllim”.
Në qendër të angazhimit të platformës, me rritje të vazhdueshme, mbetet siguria. “Jemi të vetëdijshëm që me rritjen e lidhjeve mes përdoruesve, rritet edhe nevoja për mbrojtje – vijon deklarata. – Ne kalojmë gjithnjë e më shumë kohë online çdo ditë dhe për këtë arsye, mbrojtja e bisedave është më e rëndësishme se kurrë. Kjo është arsyeja se pse çdo mesazh privat i dërguar nëpërmjet Whatsapp është i mbrojtur me kriptimin end-to-end.
Kriptimi i fortë – shpjegon Whatsapp – vepron si një bllokim dixhital i pathyeshëm që ruan në mënyrë të sigurt informacionet e dërguara, duke i mbrojtur përdoruesit nga hacker-at dhe kriminelët. Mesazhet ruhen vetëm në smartphone-t e përdoruesve, askush tjetër nuk mund të lexojë se çfarë është shkruar apo të dëgjojë telefonatën tuaj.
“Kriptimi – thuhet në fund të deklaratës – është një nevojë e jetës moderne. Ne nuk do të bëjmë kompromise mbi sigurinë, pasi kjo do t’i bënte njerëzit më pak të sigurt. Ne bashkëpunojmë për këtë me ekspertët më të mirë të sigurisë, përdorim teknologjinë e fundit për të ndalur keqpërdorimin e aplikacionit tonë dhe vëmë në dispozicion kontrolle dhe mënyra për të sinjalizuar problemet, duke mos cenuar privatësinë”.
Në vitin 2014, Whatsapp u ble nga Facebook për rreth 21,8 mld dollarë – një shumë e madhe duke marrë në konsideratë që atëherë Whatsapp numëronte rreth 500 milionë përdorues. Tashmë numri i përdoruesve është katërfishuar.
Kjo është një rritje mbresëlënëse e numrit të përdoruesve, duke qenë se në vitin 2016, aplikacioni numëronte 1 miliard përdorues dhe në 2018, 1,5 miliardë përdorues.