Sot në mesditë, në All England Club u hodh shorti i turneut më të vjetër të tenisit botëror, si për meshkuj edhe për femra. Sa u përket meshkujve, spikat rikthimi në një Grand Slem i “4 fantastikëve”.
Andy Murray, numri 1 i renditjes botërore, është vendosur në pjesën e sipërme të shortit së bashku me Rafael Nadal, numri 2 në renditje, i cili rikthehet në Wimbledon pas mungesës vitin që shkoi. Në pjesën e poshtme të shortit gjendet Roger Federer, 7 herë fitues në Wimbledon dhe Novak Djokovic, i cili për shkak të formës së dobët muajt e fundit, tanimë është numri 4 në botë.
Grand Slemi i tretë për këtë vit fillon të hënën më 3 korrik, dhe ai që do të hapë programin në fushën qendrore (Central Court) do të jetë idhulli vendas dhe njëkohësisht kampioni në fuqi i Wimbledon-it, Andy Murray. Ai do të luajë ndaj një rivali që do të kualifikohet në raundet paraeliminatore që po zhvillohen gjatë kësaj jave. Djokovic, në raundin e parë, do të përballet me sllovakun Martin Klizan, numri i 44 i renditjes ATP, “Mbreti Roger” do të ndeshet me ukrainasin Alexandr Dolgopolov (84), ndërsa Rafael Nadal, i cili vjen pas triumfit të 10-të në Roland Garros, ka përballjen më të thjeshtë në letër, ndaj australianit John Millman (137).
Nëse çdo gjë do të shkojë sipas parashikimeve, çiftet e mundshme çerekfinaliste do të jenë: Murray-Wawrinka, Nadal-Cilic, Federer-Raonic dhe Djokovic-Thiem.
Të gjithë shpresojnë të kenë mundësinë të shohin dy gjysmëfinale të jashtëzakonshme mes 4 lojtarëve të cilët prej më shumë se një dekade dominojnë tenisin botëror. Gjysmëfinalet e mundshme: Federer-Djokovic dhe Murray-Nadal.
Në anën tjetër, tek femrat bie në sy mungesa e Serena Williams (kampionia në fuqi), e cila është në pritje të fëmijës së saj të parë. Numri 1 i renditjes WTA dhe finalistja e vjetshme, Angelique Kerber mund të përballet gjatë rrugës me numrin 3, tenisten çeke Karolina Pliskova dhe numrin 5, danezen Caroline Wozniacki. Ndërsa në pjesën e poshtme të shortit mund të kemi një gjysmëfinale mes numrit 2 dhe numrit 4 të botës, rumunes Simona Halep dhe ukrainases Elina Svitolina.