Wizz Air sjell avionin e pestë në TIA: Nisin fluturimet direkte drejt Barcelonës dhe Këlnit

23/06/2021 11:41 AM 0 komente

Wizz Air, linja ajrore me rritjen më të shpejtë në Europë njoftoi sot vendosjen e avionit të 5-të në bazën e saj në Tiranë.

Avioni i ri do t’i bashkohet flotës së Wizz Air me bazë në Tirana International Airport (TIA, duke mundësuar fillimin e fluturimeve direkte nga TIA drejt Barcelonës në Spanjë dhe Këln në Gjermani, njoftoi TIA

Në më pak se dy vite pas krijimit të bazës së Wizz Air në Tiranë, njoftohet shtimi i flotës së Wizz Air me 5 avionë dhe me 2 destinacione shtesë, ku operohet me tarifa të ulëta që lidhin Shqipërinë me pjesën tjetër të Europës. Wizz Air e lidh tashmë Tiranën me 29 destinacione të Europës.

Dr. Constantin von Alvensleben, Shefi i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës tha: “Fakti që Wizz Air stacionon pesë aeroplanë në Tiranë është një shenjë e madhe e besimit për këtë aeroport dhe rezultat e disa viteve të bashkëpunimit të suksesshëm. Ky fakt ofron një perspektivë të re për Shqipërinë duke e afruar vendin me Evropën. Jam i kënaqur të njoftoj angazhimin tonë për të vazhduar bashkëpunimin me Wizz Air për një zhvillim thelbësor që do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë, pas pandemisë dhe gjithashtu do t’u ofrojë konsumatorëve një gamë të gjerë destinacionesh të përballueshme me çmime të ulëta “.

Z. George Michalopoulos, Drejtori Komercial i Wizz Air tha: “Jam i kënaqur të njoftoj stacionimin e një avioni të pestë në Tiranë dhe nisjen e dy rrugëve të reja për në Barcelonë dhe Këln. Në tre – katër vitet e ardhshme ne do ta dyfishojmë flotën tonë të bazës së Tiranës dhe ky zhvillim parashikon lëvizjen e rreth 5 milionë pasagjerëve me Wizz Air, destinacione të reja nga Tirana dhe standard të lartë shërbimi. Ky është një zhvillim i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për aeroportin dhe për ne”.

Z. Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe i Mjedisit, tha se “Shqipëria është në vëmendjen e turistëve të huaj dhe duhet të bashkojmë forcat të gjithë ne, që të rrisim standardet e cilësisë së shërbimit, që nga porta hyrëse dhe deri tek plazhet apo qendrat historike shqiptare. Me marrjen e menaxhimit të ri të aeroportit, duket që ka një lehtësim të të bërit biznes, me tarifa më të negociueshme me kompanitë ajrore që kanë interes për Shqipërinë, fakt ky që nxit konkurrencën e lirë dhe të ndershme, ku përfituesi është pasagjeri”.

Wizz Air njoftoi hapjen e bazës së saj në Tiranë në 2020, duke vendosur 3 avionë, dhe në 11 Mars të 2021 solli avionin e katërt, edhe pse në kushte kufizuese të pandemisë ndaj udhëtimeve. Historia e Wizz Air në Shqipëri daton para katër viteve ku fluturimi i parë u ul në Prill të 2017-s nga Budapesti.

Linja ajrore ka transportuar më shumë se 2 milion mijë pasagjerë nga dhe drejt Shqipërisë që kur ka shkelur në tregun vendas.

WIZZ AIR’S DESTINACIONET E REJA ME TIRANËN

Destinacionet

Tirana – Barcelonë, e enjte,  e shtunë 29.99 EUR 31 Korrik 2021

Tirana – Këln, e enjte, diel 29.99 EUR 1 Gusht 2021

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of