Facebook ka pasur bashkëpunim me bankat dhe shoqëri të tjera financiare për të pasur aksesin ndaj informacioneve të ndjeshme mbi përdoruesit, për t’i përdorur edhe për qëllime reklamimi.
Edhe vitin e kaluar, Facebook – nën vëzhgim pas skandalit Cambridge Analytica që çoi në përdorimin e të dhënave të 87 milionë profileve – ka kërkuar nga institutet për të përdorur informacionet financiare që kalojnë nëpërmjet chat-it Messenger, në pronësi të rrjetit social. Kohët e fundit, chat-i përdoret nga përdoruesit si mënyrë për të kontaktuar shërbimin e klientit të kompanive.
Wall Steet Journal shkruan se disa institute financiare, të shqetësuar për privatësinë e klientëve, kanë negociuar marrëveshje të personalizuara për të limituar aksesin e Facebook ndaj informacioneve. Ndër to janë American Express, Bank of America dhe PayPal.
“Si shumë kompani online, bashkëpunojmë me institute financiare për të përmirësuar përvojat komerciale të njerëzve, për t’u dhënë një shërbim më të mirë klientëve”, tha zëdhënësi i Facebook, Elisabeth Diana për të përditshmen amerikane.
“U kemi theksuar partnerëve tanë që ruajtja e sigurt e informacioneve personale është shumë e rëndësishme. Ky ka qenë dhe do të jetë gjithnjë prioriteti ynë”.
Në gusht, Unicredit ndërpreu marrëdhënien me Facebook, duke e vlerësuar platformën “jo etike”. Disa javë më vonë, sipas Bloomberg, Google dhe Mastercard kanë arritur një marrëveshje të fshehtë që i jep mundësinë kompaninë së Mountain View dhe kompanive publicitare të gjurmojnë shitjet me pakicë, pra “offline” më shumë se 2 mld karta krediti.