Xhepa: Borxhi hyn në spirale të rrezikshme

09/07/2021 10:08 PM 0 komente

Eksperti i ekonomisë, president i Universitetit Europian të Tiranës, tha se, rritja e borxhit, në përvoja e në studimet akademike, sidomos kur borxhi i jashtëm kalon 30% të PBB-së, atëherë tregjet fillojnë të bëhen të vëmendshme dhe indikatori i dytë që ata shqyrtojnë është renditja e kredisë sovrane.

Kjo do të thotë, në këto nivele ku ne kemi shkuar aktualisht, një përkeqësim i renditjes së Shqipërisë në kredinë sovrane, do të përbënte një sinjal jashtëzakonisht të dëmshëm për tregjet financiare

 

Z. Xhepa, çfarë rreziku përbën për stabilitetin fiskal të vendit rritja e borxhit publik?

Pavarësisht se ideja e shtimit të stimulit fiskal në ekonomi përmes rritjes së huamarrjes dhe shtimit të investimeve në përgjithësi, konsiderohet si një masë, e cila përpiqet që të pengojë rënien e ekonomisë në recesion apo të vendosë ekonominë në një dinamikë më ekonomike, fakti që borxhi publik kalon në nivele që janë të paprecedenta në historinë e ekonomisë së Shqipërisë, duke kaluar shifrën e 82% të PBB-së, sigurisht në vend që të përbëjë një stimul, mendoj se përbën rrezik të shtuar për stabilitetin makrofiskal të vendit.

Argumenti kryesor është se, për ekonomitë në zhvillim, niveli i borxhit publik në përmasa të kësaj natyre është absolutisht i paprecedentë dhe rreziqet fiskale e buxhetore mbeten jashtëzakonisht të larta. Le të themi episodet negative të goditjeve apo krizave të borxheve, në kontekstin e ekonomive në zhvillim, nënkuptojnë dy variabla kryesore që përcaktojnë stabilitetin. E para, është niveli i borxhit dhe e dyta, është renditja e vendit sa i përket besueshmërisë, sa i përket tregjeve dhe kreditorëve.

Rritja e borxhit, në eksperienca e në studimet akademike, sidomos kur borxhi i jashtëm kalon 30% të PBB-së, atëherë tregjet fillojnë të bëhen të vëmendshme dhe indikatori i dytë që ata shqyrtojnë është renditja e kredisë sovrane. Çka do të thotë, në këto nivele ku ne kemi shkuar aktualisht, një përkeqësim i renditjes së Shqipërisë në kredinë sovrane, do të përbënte një sinjal jashtëzakonisht të dëmshëm për tregjet financiare, një rritje të normave të interesit, e për pasojë, mund të bënte që shpenzimet buxhetore për shpenzimet e borxhit të kalonte mesataren e tyre historike.

 

Zgjerimi i deficitit buxhetor është në shkelje të Ligjit Organik të buxhetit dhe kundër rekomandimeve të FMN-së. Kjo thyerje rregullash a e justifikon shpenzimet që do të bëhen me këtë borxh?

Rregullat në ligjin për menaxhimin buxhetor janë vendosur për të garantuar stabilitetin fiskal të vendit dhe arsyeja se pse ligji ka parashikuar, që huamarrja gjatë çdo viti fiskal duhet të jetë më e vogël se e vitit paraardhës, derisa borxhi publik të shkojë në 45% të prodhimit të brendshëm bruto, ka pikërisht këtë qëllim, që të garantojë se stabiliteti fiskal i vendit të jetë i qëndrueshëm.

Nga kjo pikëpamje, kur qeveria parashikon një rritje ekonomike mbi 5%, masa e borxhit e deficitit fiskal nuk mund të jetë më e madhe se 2 pikë për qind se PBB-ja. Por fatkeqësisht, pavarësisht se ligji në Shqipëri ka parashikuar rregulla të tilla, nuk ka mekanizma korrektues për të përcaktuar se çfarë ndodh kur rregulli shkelet. Në demokraci, në përgjithësi i vetmi rregull janë zgjedhjet, janë votuesit ata që vendosin.

Pra nuk ka asnjë mekanizëm tjetër llogaridhënës të qeverisë përballë shkeljeve të kësaj natyre. Fatkeqësisht, praktika e ndryshimit të ligjit buxhetor, përmes akteve normative, pavarësisht se në thelbin e vet ajo ka një qëllim, thjesht që të korrektojë dhe ta sjellë parashikimin makroekonomik më afër realizimit gjatë një viti fiskal, kur prek rregullin kryesor i cili ka të bëjë me rritjen e kufirit të huamarrjes, mendoj se këto janë praktika antidemokratike, që nuk i shërbejnë qëllimeve më të rëndësishme të garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of