Nga Selami Xhepa*
Konteksti i parashikimeve është mjaft i vështirë për shkak të pasigurive të pazakonta në kohët që po kalojmë. Për shembull, gjykoj se objektivi i inflacionit në poshtë 4% mendoj se do të jetë vështirë i arritshëm.
Politika monetare, me gjithë rritjen e normave të interesit që është kryer deri tani, mendoj se vazhdon të jetë akomoduese. Historia e ekonomisë na tregon se kur goditjet ekonomike janë nga oferta, politikat monetare akomoduese mund të mos jenë ndihmuese për të parandaluar recesionin ekonomik, ndërkohë që vazhdojnë të mos jenë efektive në kontrollin e inflacionit.
Tingëllon pak teorike, por në varësi të ecurisë së politikës monetare, rritjet më agresive të interesave vitin e ardhëm do të kishin efekt të fortë mbi rritjen ekonomike gjë që mund të dëmtojë arritjen e objektivit të rritjes afër 3%. Me këtë dëshiroj thjesht të nënvizoj se projeksionet makroekonomike janë spekulative.
Të ardhurat dhe shpenzime buxhetore janë parashikuar me rritje mendoj të fortë, 7-8%, ndërkohë që ndryshimet në sistemin tatimor janë marzhinale. Rritja e të ardhurave me gati 500 milionë euro dhe e shpenzimeve publike me rreth 250 milionë euro, krijojnë mundësi për reduktim të deficitit fiskal dhe borxhit publik.
E gjykuar në këtë këndvështrim, rezultati i synuar duket i arsyeshëm. Por, në kontekstin e zhvillimeve të përkeqësuara të çmimeve dhe gjendjen social-ekonomike të grupeve në nevojë, parashikimet buxhetore nuk japin shpresë për politika buxhetore mbrojtëse.
Përkundrazi, buxheti është hartuar si një situatë normaliteti, me alokime të mëdha buxhetore në infrastrukturën fizike dhe duke ruajtur të njëjtat linja prioritetesh, si dhe në vitet e kaluara.
Prioritete të mprehta që kanë lindur gjatë viteve të fundit, si energjia, bujqësia dhe ushqimi, si dhe shëndetësia nuk mendoj se reflektohen dhe nuk kanë vëmendjen që duhet të kenë.
Në veçanti kur flasim për energjinë, e gjithë politika qeveritare fokusohet vetëm tek subvencionimi i korporatës dhe familjeve në nevojë, por nuk shohim aspak politika sektoriale të zhvillimit të burimeve të reja gjeneruese dhe diversifikimin e tyre.
Për shembull, thuhet se qytetarët mund të vendosin panele diellore në banesa, qoftë për ngrohje apo gjenerim energjie, por nuk thuhet se sa janë fondet buxhetore të alokuara. Duke qenë një projekt me rëndësi të madhe kombëtare, ky projekt për shembull, duhet të zinte një vend qendror në buxhet.
Po kështu, edhe projekte të tjera, si lidhur me gazifikimin dhe shtrirjen e projektit TAP, vënien në punë të TEC Vlorë, etj.
Në aspektin e ndryshimeve fiskale, gjykoj se barazimi akcizës për prodhuesit e birrës dhe pijeve alkoolike është vendim i gabuar, sepse ndëshkon prodhuesit e vegjël të vendit dhe i vë në raporte të pabarabarta konkurruese me prodhuesit më të mëdhenj të huaj. Po kështu i mendoj si të ekzagjeruara edhe ndëshkimet tatimore; asnjëherë rritjet e ndëshkimeve nuk kanë prodhuar efektet e pritshme.
Për shembull, mund të ishte më eficiente që të rishikohej roli i kontabilistëve, financierëve dhe auditorëve të raporteve financiare të kompanive. Përgjegjësia e tyre penale për manipulim të dokumentacionit financiar duhet të forcohet.
Taksimi i jashtëzakonshëm mbi prodhuesit e energjisë që eksportojnë jashtë vendit është një masë shumë e drejtë, por ajo duhet të përfshijë dhe eksportin e naftës bruto. Shqipëria shet në tregjet e huaja rreth 650-700 mijë tonë në vit dhe nuk ka asnjë arsye që edhe ky burim energjie të mos tatohet, njësoj si energjia elektrike.
Këto të ardhura mund të përdoren për të kompensuar ngrirjen e akcizës, apo taksës së qarkullimit që zbatohet mbi naftën e importit, duke ndihmuar në uljen e çmimeve të naftës, e cila është ndër më të lartat në kontinent.
*President i Universitetit Europian të Tiranës, ekspert i çështjeve ekonomike
Lexoni edhe:
Buxheti 2023 model i vjetër, rreziqe të reja
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.