“Shqipëria dixhitale” është ëndrra e kahershme e Kryeministrit, i cili nuk harron ta promovojë si sfidë. Ndoshta deri-diku ia ka arritur qëllimit, sa i takon shërbimeve online për taksat, tenderët, apo dhe përdorimit në masë të celularëve, deri në 5 milionë (nga 2.8 milionë banorë që jemi gjithsej). Për ta kompletuar setin, duket se mungon “qershia mbi tortë”, pra interneti, i cili natyrshëm, pa të nuk mund të realizohen plotësisht objektivat e mësipërme.
Duke e krahasuar me ku ishim, sot kemi një numër në rritje të përdoruesve të internetit, si familjet, ashtu dhe bizneset, por potenciali mbetet i madh. Operatorët pranojnë se janë duke punuar nën potencial, pasi kushtet ekonomike të familjeve shqiptare nuk e mundësojnë shërbimin e internetit.
Nëse në rang vendi janë gjithsej 800 mijë familje dhe ku të paktën 500 mijë jetojnë në qytet, vetëm 250 mijë mund të kenë akses (mundësi financiare dhe kulturë) për të përdorur internetin. Aktualisht internetin e përdorin jo më shumë se 160 mijë familje dhe lojtarët në treg po synojnë të realizojnë pjesën tjetër.
Tirana është e tejngopur dhe planet janë për t’u zgjeruar edhe në rajonet e tjera, por problem janë tarifat.
Aktualisht tregu po operon në kushte të vështira, me shumë kompani të shërbimit të internetit, me konkurrencë tejet agresive, nën kosto, të palogjikshme dhe ku natyrshëm cilësia nuk përputhet me tarifën. Pjesa dërrmuese po mundohet të mbahet, pasi të zhytur nga borxhet, përpiqen të japin çmime tepër të ulëta, ndërsa prishin pa dashje ekuilibrat normalë të çmimit dhe cilësisë.
E gjithë kjo situatë vjen për shkak të liberalizimit të plotë të tregut dhe ku të gjithë mundohen të mbijetojnë, duke mos pranuar të shpallin falimentin, si tabu karakteristike e biznesit shqiptar.
Shumë për një treg të vogël
Në analizën e tregut konstatohet lehtë se të marrësh shërbimin e internetit do të duhen pajisje shtesë, siç është kompjuteri. Kjo kushtëzon familjet shqiptare të kenë akses në këtë shërbim. Firmat private thonë se mund të ulësh tarifat, por nuk zgjidh problemin e kompjuterit, pasi jo çdokush mund ta blejë.
Nëse Tirana, Durrësi apo ndonjë qytet tjetër, konsiderohen tashmë tregje të ngopura, në rajonet e tjera është vështirë të çash me linjat. Ajo që shihet problem është mungesa e infrastrukturës, pasi ai që disponon linjat, ish-kompania shtetërore, bën “të vështirin” në gjetjen e konsensusit. Kompani të njohura në treg kanë preferuar të investojnë me forcat e veta, duke investuar pa fund, por as kjo nuk mjafton, pasi teknologjia duhet rinovuar të paktën një herë në dy vjet. Shumë operatorë e kanë parë tregun fitimprurës, por tani gjenden në vështirësi dhe për të mbijetuar “groposin” edhe konkurrentin tjetër, duke ofruar në treg çmime nën kosto.
Në treg operojnë rreth 70 operatorë, ose të paktën që kanë marrë licencë për shërbimin e internetit nga AKEP, por 10-11, kanë një treg, deri-diku domethënës dhe nga këto, vetëm 4-5 “bëjnë ligjin”.
Një pjesë e kompanive, ato kryesoret, janë duke punuar nën kapacitete dhe pranojnë se mosmarrëveshjet me “ALBtelecom” e kanë vështirësuar gjendjen financiare.
Në krahasim me disa vite më parë, tarifat janë ulur ndjeshëm, gati 25 për qind, sikurse edhe shpejtësia e internetit është rritur shumë. Nga 512 Kbp/s-1 Mbp/s, ka arritur në 2-4 Mbp/s, pra është gati katërfishuar.
22% e familjeve kanë internet
Sipas të dhënave të vitit 2011, për të gjithë operatorët, si “ALBtelecom”, ata alternativë, “Vodafone” dhe AMC (sa i takon shërbimit 3G), rezulton që numri i familjeve që kanë akses në internet me bandë të gjerë (broadband) është rreth 161 mijë apo afërsisht 22 për qind e familjeve, ndërsa vlerësohen të jenë mbi 13.000 pajtimtarë biznesi. Të dhënat raportohen nga AKEP dhe i referohen deri në fund të 2011-s, nga ku konstatohet në përfundim se, numri i lidhjeve me akses broadband (fiks dhe 3G-USB/modem) për 100 banorë është rreth 6.2 për qind, krahasuar me 3.7 për qind në fund të vitit 2010.
Në vitin 2011, rritje të ndjeshme në lidhjet broadband kanë pasur operatorët alternativë dhe dy operatorët celularë, “Vodafone” dhe AMC, ndërsa “ALBtelecom” ka pësuar rënie të numrit të lidhjeve broadband. Nder operatorët alternativë fiks, “ABCom” vazhdon të jetë operatori me numrin më të madh të lidhjeve broadband me rreth 30 mijë në fund të vitit 2011, që përbën një rritje prej 116 përqindësh nga viti 2010. Pjesa e tregut e “ABCom” për aksesin broadband fiks është rritur nga 11 për qind në 2010 në 21 për qind në 2011-n, dhe është gjithashtu operatori i dytë më i madh për lidhjet broadband fikse dhe celulare me 17 për qind pjesë tregu.
Sipas AKEP-it, rritje të madhe ka edhe operatori i dytë alternativ më i madh, ASC, me 79 për qind, duke zënë 7 për qind pjesë tregu për shërbimin e internetit dhe 6% për broadband fiks dhe celular. “ALBtelecom” ka pësuar rënie me 15 për qind të numrit të pajtimtarëve broadband. Rritja e ndjeshme e numrit të pajtimtarëve të operatorëve alternativë dhe reduktimi i numrit të pajtimtarëve të “ALBtelecom” ka çuar në reduktim të ndjeshëm të pjesës së tregut të “ALBtelecom”, nga 58 për qind në 2010-n, në 43 për qind në vitin 2011.
Sipas analizës të bërë nga vetë operatorët, të pyetur nga “Monitor” dilet në konkluzionin se rritja e tyre nuk lidhet me zhvillimet pozitive të tregut, pra me potencialet që ofron sesa me garën brenda “llojit”. Ka një konkurrencë të fortë dhe çdokush përpiqet të marrë pjesën e tjetrit.
Shpejtësia
Rreth 48 për qind e pajtimtarëve me akses broadband fiks kanë shpejtësi 2-4 Mbps dhe rreth 14 për qind kanë akses me 4 Mbps
Vjedhjet
Operatorët ankohen se fenomeni i vjedhjes së linjave për skrap i ka prekur shumë kohët e fundit, duke ndikuar te kostot e riparimit
Flet Altin Leksani, menaxher shitjesh tek ABCOM
Konkurrenca agresive po dëmton logjikën e ofertave
Si paraqitet tregu i shërbimit të internetit në vend, më konkretisht për kompaninë tuaj?
Ky sektor sa vjen dhe rritet, ku brenda tij vërejmë fenomene të ndryshme, pozitive dhe negative. Them pozitive, të paktën për konsumatorin, pasi deri në njëfarë pjese po merr shërbime me tarifa të ulëta dhe kapacitet të shpejtë, por nga ana tjetër, për kompanitë, situata po bëhet më komplekse për shkak të aktorëve dhe sjelljes së tyre në treg. Për “ABCom”, viti 2011 konsiderohet pozitiv, me një rritje prej 116 përqindësh dhe numër operatorësh 30 mijë. Edhe pozicioni në treg vazhdon të zgjerohet, duke u renditur i dyti pas “ALBtelecom”, ose i pari mes operatorëve alternativë.
Parimi ynë vazhdon të mbetet cilësia dhe korrektësia ndaj konsumatorit, ndërsa planifikojmë të mos ndalim investimet në 6 rajonet ku jemi të pranishëm.
Duket një lloj agresiviteti tek ofertat e kompanive, të cilat janë shtuar shumë në treg. Mos ndoshta shkakton efekte negative për vetë shoqërinë, me pasoja në të ardhmen?
Është e vërtetë, e përmenda pak më lartë. Duhet të pranojmë që ofertat e paraqitura nga kompanitë e ndryshme të internetit nuk përputhen me realitetin, apo me logjikën ekonomike. Në treg janë shtuar shumë operatorë, aktualisht janë rreth 70, por vetëm 10, po themi kanë ndikim në procesin e zhvillimit të tregut. Duhet kuptuar qartë se potencialet në treg nuk janë të mëdha dhe prania e shumë operatorëve e ka çorientuar sjelljen normale të ofertave. Nëse vazhdohet kështu, shumë shpejt në treg do të mbesin 5-6 dhe të tjerët mund të shpallin falimentin, pasi po e kuptojnë që ky sektor ka nevojë për investime për t’u mbajtur në nivelet ku duhet.
Si paraqitet kuadri ligjor, nevojitet rishikim?
Duhet pranuar që ligjet nuk i kemi të këqija, por problem është zbatimi i tyre. Si gjithnjë, shikojmë me shqetësim rolin e AKEP-it sa i takon linjave dhe infrastrukturës, në pronësi të “ALBtelecom”, të cilat duhen shfrytëzuar, me të drejtë edhe nga operatorë të tjerë. “ABCom” i ka përballuar vetë të gjitha shpenzimet dhe ka investuar për linjat e reja.
Flet Murat Çakmak, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm dhe njëherazi Drejtori i Grupit Teknik, “ALBtelecom” dhe “Eagle Mobile”
Teknologjia nuk është më një luks, por domosdoshmëri!
Cilat janë investimet kryesore që ju keni bërë në tregun shqiptar, që sollën zhvillimin e një trendi ose adaptimin e teknologjisë?
“ALBtelecom”, vitin e kaluar, nisi një nga projektet më të mëdha dhe investimet më serioze për ndryshimin e rrjetit ekzistues dhe përshtatjen e tij me teknologjinë NGN (Next Generation Network). Në sajë të këtyre investimeve brenda vitit 2012, ne do të kemi një prezencë të “ALBtelecom” në rreth 1000 pika shërbimi në të gjithë Shqipërinë. Nga investimet voluminoze për transformimin tërësor të rrjetit në teknologjinë më të fundit të aplikueshme dhe zgjerimin e tij në të gjithë territorin, ne do të jemi shumë më pranë konsumatorëve. Përveç faktit se do të jemi më afër konsumatorëve, ne do të jemi në gjendje të ofrojmë shërbime me cilësi shumë më të mirë dhe shpejtësi më të lartë. Në brendësi të këtyre pikave të shërbimit në të gjithë territorin e vendit, ne po ofrojmë shërbime të teknologjive të reja si ADSL2+, VDSL, SHDSL dhe xPON. Me finalizimin e këtij investimi, ne do të jemi një nga operatorët e parë që ka migruar rrjetin e saj drejt teknologjisë NGN. Përtej kësaj, tashmë po nisim zbatimin e teknologjisë së fundit, e cila quhet IMS (IP Multimedia Subsystem). Kjo teknologji do të ofrojë shërbimet më të fundit IP, njëkohësisht si për abonentët e telefonisë fikse, ashtu dhe për abonentët e telefonisë së lëvizshme.
Shërbimi i ADSL2+ ofron mundësinë e shërbimit të internetit deri në 24Mbps, ndërsa shërbimi i VDSL mund të ofrojë një kapacitet deri në 100 Mbps. Shpejtësi të tilla mund të konsiderohen mjaft të larta për përdoruesit mesatarë. Ne jemi duke zgjeruar dhe duke përmirësuar çdo ditë rrjetin tonë të fibrave optike. Shumë konsumatorë preferojnë shërbimin e internetit të dedikuar me fibër optike. Ata do të kenë mundësi ta marrin këtë shërbim përmes teknologjisë EPOK ose GPO. Aplikimi i teknologjisë IMS shumë shpejt do t’u mundësojë abonentëve tanë marrjen e shërbimit të thirrjeve video dhe mesazheve.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Në fakt, do të dëshiroja t’i rendisja, por ato nuk do ishin më surprizë për konsumatorin. Të gjithë tashmë janë përfshirë nga dëshira dhe nevoja për të jetuar më shumë me teknologjinë, që në thelb i ndihmon të gjithë të lehtësojnë jetën e tyre. Teknologjia nuk është më një luks, por domosdoshmëri për zgjidhjen e punëve të përditshme. Për këtë arsye, jemi të fokusuar dhe po punojmë. Përdoruesit nuk duhet të hezitojnë të provojnë. Teknologjia nuk është më një mollë e ndaluar.
Flet Meta Zakrajsek, drejtoresha e përgjithshme e “Primo”
Rreziqet janë të larta, tarifat janë ulur bashkë me cilësinë
Si do ta vlerësonit ecurinë e tregut të internetit dhe operatorëve në Shqipëri?
Çdo ofrues shërbimi po përpiqet që të gjejë pozicionin e vet në treg. Elementi më i zakonshëm që përdorin operatorët është çmimi. Megjithatë, çmimet konkurruese mund të mos nënkuptojnë domosdoshmërisht një shërbim të përmirësuar. Në këtë kontekst, shqetësimi më i madh i “Primo” mbetet cilësia e shërbimit te konsumatorët finalë dhe për të dhënë atë lloj shërbimi që “Primo” premton.
Cilat janë arritjet kryesore që kur hytë në tregun shqiptar?
Ne e kemi përforcuar cilësinë e lartë në nivelin e shërbimit që ofrojmë për biznesin dhe tregun familjar. Nga pikëpamja teknike, ne e kemi zgjeruar më tej rrjetin e fibrave optike.
Në muajt e fundit është parë një qëndrim agresiv i ofruesve të shërbimit të internetit, teksa numri i tyre është rritur në treg. Si e shikoni këtë tendencë?
Është e vërtetë se konkurrenca është rritur dhe siç e theksova më parë, çmimet janë konsideruar nga pjesa më e madhe e lojtarëve si diferencimi kryesor në garë, megjithatë kjo nuk mund të konsiderohet domosdoshmërisht si një “tendencë specifike”. Ka limite dhe kufij në këtë kontekst dhe ne duhet të kujtojmë se operatorët kanë nevojë për të arritur një fitim në fund të ditës. Gjithsesi, ka gjithashtu faktorë të tjerë të rëndësishëm që duhet të merren në konsideratë, si specializimi i rritur, zgjidhjet e përshtatura për klientët dhe një përmirësim në tërësi i cilësisë së shërbimit. Këto duhet të jenë një trend i rëndësishëm për zhvillimin e tregut.
“Primo” do të vazhdojë të mbështesë klientët dhe individët më kërkues. Ne besojmë se në afatgjatë, cilësia do të fitojë.
A mundet që kjo situatë të çojë në ndikime negative në treg? Si e vlerësoni kuadrin ligjor? A mendoni se duhen ndryshime?
Unë nuk besoj se në afatin e shkurtër, përdoruesit fundorë do të përfitojnë, duke qenë se ata do të marrin vlerën në bazë të parave që paguajnë, ndërsa në afatin e gjatë në treg do të mbeten më të mirët dhe jo domosdoshmërisht më të lirët.
Nga pikëpamja ligjore, ka shumë ndryshime që duhen bërë dhe që duhet të mbështeten nga rregullatorët dhe kompanitë (p.sh. portabiliteti i numrave fiks, LLU, right of way etc.) në mënyrë që të reduktohen rreziqet që investitorët po marrin përsipër për momentin. Për momentin, rreziqet janë shumë të larta.
Kryeministri: Të ulet çmimi, internet për të gjithë!
Konkurrenca në treg, vitet e fundit, është rritur shumë, dhe kjo duket nga tarifat dhe shërbimet e ofruara nga kompanitë celulare dhe ato fikse. Sa i takon internetit, për shefin e qeverisë, ka ende shumë për të bërë. Në mbledhjen e qeverisë, Berisha nuk ishte shumë i kënaqur nga tregu i internetit në vend, ndërsa premtoi se do t’i ulte edhe më tej çmimet.
Hapi i parë, është ofrimi i shërbimit të internetit falas përmes Postës Shqiptare. “Për realizimin e këtij synimi, Posta Shqiptare do të importojë fluksin e internetit në sasitë më të mëdha të nevojshme dhe do të furnizojë me një çmim shumë herë më të ulët, sesa çmimi i sotëm, për operatorët privatë. Sikundër do të hapë 1200 pika të tjera në mbarë vendin, krahas 510 ekzistueset, në total 1710 pika, ku interneti do të ofrohet falas”, tha Kryeministri. Sipas tij, çmimi me të cilin u ofrohet interneti qytetarëve shqiptarë është problemi i radhës që pret të zgjidhet.
“Interneti nuk duhet të jetë mollë e ndaluar për asnjë fëmijë, të ri apo qytetar shqiptar, pavarësisht nga gjendja e tyre ekonomike”, shtoi në fund Kryeministri.
Realizimi i objektivit shihet me dyshim nga operatorët në treg. Sikurse duket në analizën e tregut, mjaft kompani, të konsoliduara madje, pranojnë vështirësinë e ofrimit të çmimeve nën kosto, ndërsa cilësia rrezikon të mos jetë e duhura. Sipas tyre, vetëm nëse qeveria subvencionon privatin, atëherë mund të realizohet ëndrra “Shqipëri dixhitale”.
Kostot e duopolit
Shërbimi i limituar 3G
Në mbledhjen e fundit të qeverisë, Kryeministri analizoi gjatë e gjerë sektorin e telefonisë dhe të internetit në vend, por harroi pjesën më të rëndësishme: shërbimin e avancuar 3G. Në shumë vende të botës, ky shërbim ofrohet me lehtësi për të gjithë abonentët me çmim konkurrues, madje në disa shtete po komunikohet me anë të 4G.
Në Shqipëri, ky shërbim ofrohet nga dy kompani, nga katër që janë gjithsej, pasi AKEP-i e ka mbajtur të shtrënguar licencën, me qëllime përfitimi, duke e ofruar me çmim-tenderi jashtë logjikës ekonomike. Kanë kaluar më shumë se dy muaj dhe ende nuk ka një vendim se çfarë do të bëhet të paktën me licencën e tretë, ndërsa dy kompanitë e mbetura në garë, PLUS dhe “Eagle”, janë të gatshme të bashkëpunojnë për të qenë në dispozicion të konsumatorëve.
Nga të dhënat që ofron AKEP, numri i pajtimtarëve që përdorin shërbimet 3G në të dyja rrjetet është rreth 280 mijë. Ky numër konsiderohet i vogël, në raport me totalin e përdoruesve të telefonisë mobile, i cili, deri në fund të vitit 2011, ka arritur në rreth 5 milionë. AKEP veçon se, përdoruesit me karta modem/USB 3G që lejon aksesin në internet nëpërmjet PC, është rreth 34 mijë, që përbën 25 për qind të pajtimtarëve total (fiks dhe 3G) me akses broadband në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.