Pas një rënieje të përkohshme në fillim të këtij muaji, yield-et e Bonove 12 mujore të thesarit në tregun primar iu kthyen sërish rritjes.
Në ankandin e kësaj jave, Bonot 12-mujore u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 2.26%, nga 1.95% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm.
Ky është niveli më i lartë regjistruar në periudhën pas pandemisë. Qeveria financoi 9 miliardë Lekë, ndërsa vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand ishte më e lartë, në vlerën e 10.6 miliardë Lekëve.
Yield-et e titujve qeveritarë në muajt e fundit kanë shënuar një tendencë në rritje, për shkak të inflacionit të lartë dhe pritshmërisë për një rritje të normave të referencës.
Rritja u shpejtua më tej pasi në muajin mars Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit nga 0.5% në 1%. Në ankandin e fillimit të muajit maj, yield-i mesatar i ponderuar shënoi një rënie të përkohshme, i ndikuar kryesisht nga një pjesëmarrës në ankand me shumë të madhe.
Por, ky faktor duket se ka qenë kalimtar dhe yield-et shumë shpejt i janë kthyer rritjes, në përputhje me pritshmëritë dhe me kursin që po tenton të përcjellë politika monetare e Bankës së Shqipërisë.
Zakonisht, tregu primar i titujve të qeverisë është segmenti i tregut që i ndjek më shpejt lëvizjet e normës bazë të interesit. Yield-et në përgjithësi kanë shënuar rritje, si për instrumentet afatshkurtra, ashtue dhe për ato afatgjata.
Mesazhet që ka dhënë politika monetare dhe pritshmëritë e lidhura me inflacionin e lartë përkohësisht ndikuan edhe në marrjen e pozitave pritëse nga investitorët dhe për disa ankande me radhë gjatë mujave mars dhe prill qeveria nuk arriti të siguronte të gjithë shumën e planifikuar për financim në tregun e brendshëm.
Kërkesa është përmirësuar gjatë muajit maj, por, ashtu siç pritej, investitorët kanë kërkuar yield-e më të larta për të blerë instrumentet e borxhit qeveritar.
Pas mbledhjes së fundit të Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se, sipas skenarit bazë të parashikimeve, politika monetare do të ndjekë një proces normalizimi gjatë dy viteve të ardhshme.
Kjo nënkupton rritjen graduale të normës bazë të interesit, në masën e nevojshme për të shënjestruar objektivin ligjor të inflacionit prej rreth 3%.
Duke qenë se tregu i instrumenteve të borxhit qeveritar është segmenti me reflektimin më të shpejtë të lëvizjeve të normës bazë, është e pritshme që tendenca rritëse e yield-eve të vazhdojë më tej gjatë këtij viti.
Rritja graduale e yield-eve pritet të ndikojë në kohë edhe në rritjen e normave të interesit të depozitave dhe të kredive në Lekë. Interesi i kredive afatgjata në lekë zakonisht ndërtohet bazuar në interesin e Bonove dhe në një marzh fiks.
Rritja e yield-eve të Bonove pasqyrohet kështu automatikisht në interesin total të kredisë, në rivlerësimet periodike të parashikuara në kontratë./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.