Yield-et e bonove 12-mujore të Thesarit shënuan sërish një rritje të lehtë në ankandin e dytë të muajit janar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, këtë javë bonot 12-mujore u shitën në ankand me një yield mesatar të ponderuar prej 1.99%, nga 1.85% në ankandin e mëparshëm. Yield-et e bonove kanë arritur nivelet më të larta që nga muaji qershor i vitit 2020.
Raporti mes kërkesës për të blerë tituj qeveritarë dhe ofertës së tyre nga Ministria e Financave është ngushtuar në këtë fillim viti. Nga 10.2 miliardë lekë bono të ofruara nga Ministria e Financave këtë javë, kërkesa në ankand ishte lehtësisht më e lartë, me 10.4 miliardë lekë. Dy javë më parë, tregu bleu vetëm 1.2 miliardë lekë bono 3-mujore, nga 1.8 miliardë lekë që kishin ofruar për shitje.
Një zhvillim i tillë ishte i pritshëm, sepse në tremujorin e parë të vitit, qeveria shqiptare ka planifikuar rritje të ndjeshme të huamarrjes së brendshme krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm. Huamarrja në tregun e brendshëm financiar parashikohet të rritet në tremujorin e parë të këtij viti, në vlerën e 96.7 miliardë lekëve, shumë kjo rreth 23% më e lartë krahasuar me tremujorin e fundit 2020.
Arsyeja e ndryshimit të ndjeshëm në volumet e huamarrjes së brendshme është eurobondi i qershorit 2020. Huaja prej 650 milionë eurosh në tregjet ndërkombëtare u përdor për të mbuluar deficitin buxhetor dhe kjo uli trysninë mbi tregun e brendshëm financiar. Kjo u përkthye në yield-e më të ulëta për instrumentet e huamarrjes së re. Në vitet e fundit, qeveria shqiptare ka përdorur shpesh eurobondin, edhe si një mekanizëm për shtuar likuiditet të lirë në tregun e brendshëm, duke përfituar rrjedhimisht yield-e më të ulëta të borxhit. Në fund të 9-mujorit yield-i mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm zbriti në nivelin 3.71%, nga 3.75% që kishte qenë në fund të tremujorit të dytë dhe 3.85% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Instrumentet e borxhit të qeverisë ngelen instrumenti kryesor benchmark i normave të interesit për sa i takon monedhës vendase. Kreditë afatgjata në lekë përgjithësisht kuotohen mbështetur në interesin e bonove qeveritare, kryesisht atyre 12-mujore, plus një marzh interesi fiks.
Një rritje e yield-eve të bonove nënkupton se huamarrësit në lekë do të paguajnë më shumë në rillogaritjen periodike të kësteve të kredive të tyre. Megjithatë, ekspertët presin që korrigjimi në rritje i yield-eve të bonove dhe obligacioneve të jetë i ngadaltë. Perspektivat e rritjes së normave të interesit në tregun shqiptar ngelen të kufizuara, sepse rimëkëmbja ekonomike është e pasigurt, ndërsa tregu financiar paraqitet mjaft likuid./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.