Yield-et e bonove 12-mujore bien afër pragut të 2%

31/03/2021 10:00 AM 0 komente

Yield-et e bonove të thesarit me maturim 12-mujor pësuan rënie në ankandin e ditës së martë, duke u afruar pranë kufirit të 2%.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 2.04%, nga 2.17% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Çelësi kryesor që shpjegon këtë rënie të interesave dhe qëndrueshmërinë e tyre relative në kohë është likuiditeti i lartë në tregun financiar vendas. Interesi i tregut për këto instrumente ngelet i lartë dhe nga 10.7 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 12.36 miliardë lekëve.

Në tremujorin e parë të vitit 2021, yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë kanë shfaqur një korrigjim në rritje, por me përmasa të vogla dhe me luhatshmëri të lehtë nga ankandi në ankand. Kjo rritje erdhi kryesisht si rezultat i një kërkese më të lartë për hua nga qeveria në tregun e brendshëm, krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm. Në fakt, ky proces konsistoi më shumë në rikthim drejt vlerave të zakonshme, pasi në gjysmën e dytë të vitit 2020 kishte pësuar rënie të ndjeshme, për shkak se deficiti buxhetor u mbulua kryesisht me eurobondin.

Raportet mes kërkesës dhe ofertës gjatë kësaj periudhe kanë dëshmuar se tregu i brendshëm financiar i është përgjigjur mirë kërkesës së qeverisë për financim. Sektori bankar që është edhe blerësi kryesor i instrumenteve të borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare ngelet mjaft likuid, i mbështetur nga një rritje e qëndrueshme e depozitave, por edhe nga politika e furnizimit të pakufizuar me likuiditet afatshkurtër nga Banka e Shqipërisë.

Premisat janë që normat e interesit të letrave të borxhit të qeverisë të qëndrojnë të ulëta edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit, të ndikuara nga vazhdimi i politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, gjendja likuide e sektorit financiar dhe ulja e parashikuar e deficitit buxhetor. Sipas kalendarit të huamarrjes të Ministrisë së Financave, në tremujorin e dytë, volumi total i huamarrjes së brendshme pritet të ulet me rreth 7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Shuma e huamarrjes paraqitet gjithashtu më e ulët edhe në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2020, kur qeveria pati financiar në tregun e brendshëm borxh rreth 111 miliardë lekë.

Pas mbledhjes së fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konfirmoi orientimin se politika monetare do të vijojë të mbetet akomoduese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, në funksionin të rikuperimit të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe të kthimit të inflacionit në objektiv. Tregu i huamarrjes së qeverisë është hallkë e rëndësishme e transmetimit të politikës monetare dhe ndikon tërthorazi edhe çmimin e financimit të sektorit privat të ekonomisë./ E.Shehu

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of