Yield-et e bonove 12-mujore pësuan përsëri rënie në ankandin e ditës së martë dhe zbritën poshtë nivelit të 4% për herë të parë që prej muajit shtator të vitit të kaluar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore zbriti në 3.98%, nga 4.09% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Që nga mesi i muajit nëntor, kur patën arritur nivelin më të lartë në një dekadë, yield-et e bonove 12-mujore kanë rënë me 1.85 pikë përqindje.
Edhe ankandi i kësaj jave u karakterizua nga një kërkesë e kënaqshme, në vlerën e 10 miliardë lekëve, nga 8 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë e rriti sërish shumën e pranuar, në 9.2 miliardë lekë, siç ka bërë vazhdimisht në muajt e fundit, në përpjekje për të shfrytëzuar kërkesën e lartë dhe kushtet më të mira të financimit.
Rënie të ndjeshme pësoi edhe yield-i mesatar i ponderuar i bonove 6-mujore, që zbriti në 3.26%, nga 4.37% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, në fund të muajit janar.
Në tre muajt e fundit, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë shqiptare kanë ndjekur një proces të vazhdueshëm korrigjimi në rënie, pas rritjes shumë të shpejtë që u regjistrua deri në muajin nëntor 2022, si rezultat i inflacionit të lartë dhe lëvizjeve agresive të Bankës së Shqipërisë në drejtim të rritjes së normave të interesit.
Por, frenimi i inflacionit dhe stopimi i rritjes së shpejtë të normave të interesit nga Banka e Shqipërisë e ka qetësuar tregun dhe ka reduktuar pasigurinë mes investitorëve.
Rritja vjetore e yield-it mesatar të bonove 12-mujore tashmë ka zbritur në nivelin e 2.4 pikë përqindje, nga rreth 4.2 pikë përqindje që pati arritur në muajin nëntor.
Ngadalësimi i ndjeshëm i kreditimit në tremujorin e fundit 2022 ka favorizuar një zhvendosje të investimit të bankave në bono dhe obligacione, duke ndikuar në rritjen e kërkesës për këto instrumente dhe në uljen e yield-eve.
Bonot 12-mujore janë instrumenti më i përdorur benchmark edhe për kreditë afatgjata në lekë të sektorit privat. Për këtë arsye, korrektimi i yield-eve është një zhvillim shumë i rëndësishëm për huamarrësit që kanë kredi me norma të ndryshueshme interesi.
Megjithëse normat e interesit janë sërish në rritje, për një familje që ka rishikimin e këstit të kredisë në këtë periudhë efekti është disi më i zbutur, krahasuar me ato që e patën rishikimin e këstit të kredisë në periudhën tetor-nëntor të vitit të kaluar.
Ekspertët mendojnë se një nga arsyet pse Banka e Shqipërisë vendosi të frenojë përkohësisht rritjen e normës bazë ishte pikërisht efekti i fortë që kjo rritje kishte shkaktuar në normat e interesit të tregut financiar, sidomos tek yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë dhe në kreditë e sektorit privat.
Tashmë, rritja vjetore e yield-it të bonove 12-mujore është shumë afër rritjes me 2.25 pikë përqindje të normës bazë. Ekspertët mendojnë se tregu do të vazhdojë të jetë i stabilizuar edhe gjatë muajit mars, të paktën deri në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për vendimmarrjen e politikës monetare, më datë 23 mars.
Megjithëse tendenca e inflacionit në muajt e fundit paraqitet në rënie, inflacioni bazë ngelet ende i lartë dhe Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se një rritje e mëtejshme e normave të interesit do të jetë e domosdoshme për të ulur inflacionin drejt nivelit të 3%./E.Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.