Yield-et e bonove të thesarit në tregun primar shënuan një rritje të lehtë në ankandet e zhvilluara këtë javë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar 2.17%, nga 2.10% që kishte qenë yield-i në ankandin e mëparshëm. Interesi i tregut për këto instrumente ngelet i lartë dhe përkundrejt 8.8 miliardë lekësh të shpallura për shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 11.65 miliardë lekëve.
Rritje e lehtë u regjistrua edhe në yield-et e bonove me maturim 3-mujori që arritën nivelin 1.37%, nga 1.29% që kishin qenë në ankandin e mëparshëm. Edhe për këto instrumente kërkesave rezultoi mjaft e lartë, në vlerën e 3.1 miliardë lekëve, dy herë më shumë se shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave.
Në tremujorin e parë të vitit 2021, yield-et e instrumenteve të borxhit të qeverisë kanë shfaqur një korrigjim të lehtë në rritje, por me luahtshmëri relativisht të ulët. Rritja e lehtë e yield-eve ishte e pritshme, për shkak të një rritje të kërkesës së qeveria për hua në tregun e brendshëm krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm. Bëhet fjalë për një normalizim të huamarrjes së brendshme, pasi në gjysmën e dytë të vitit 2020 një pjesë e konsiderueshme e kësaj huamarrjeje u zëvendësua me eurobondin e muajit qershor.
Raportet mes kërkesës dhe ofertës gjatë kësaj periudhe kanë dëshmuar se tregu i brendshëm financiar i është përgjigjur mirë rikthimit të kërkesës së qeverisë për financime në nivelet e të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Sektori bankar që është edhe financuesi kryesor i borxhit të brendshëm të qeverisë shqiptare ngelet mjaft likuid, i mbështetur nga një rritje e qëndrueshme e depozitave, por edhe nga politika e furnizimit të pakufizuar me likuiditet afatshkurtër nga Banka e Shqipërisë. Përveç bankave, bonot dhe obligacionet ngelen gjithashtu alterntiva kryesore e investimeve financiare për individët dhe investitorët institucionalë të licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, gjendja likuide e sektorit financiar dhe ulja e lehtë e deficitit buxhetor e parashikuar për këtë vit janë të gjithë faktorë që i mbajnë të ulëta presionet për rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të qeverisë në afatin e shkurtër. Qëndrueshmëria e yield-eve të titujve qeverisë është një hallkë e rëndësishme edhe në ecurinë e përgjithshme të interesave në tregun financiar, duke qenë se ato janë edhe instrumente benchmark në përaktimine interesave të haudhënies afatgjatë në lekë për sektorin privat të ekonomisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.