Yield-et e bonove 12 mujore pësuan një rënie të fortë në ankandin e të martës.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 1.63%, nga 2.04% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të zhvilluar në fund të muajit mars.
Rënia me rreth 20% e rendimentit të bonove 12 mujore nga njëri ankand në tjetrin është një zhvillim i pazakontë. Kjo dëshmon likuiditetin e lartë të lirë në tregun financiar dhe kërkesën e madhe nga investitorët për të investuar në letrat me vlerë të qeverisë. Nga 9.7 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, kërkesat totale të paraqitura në ankand kishin vlerën e 14.5 miliardë lekëve. Prorata ose e pjesa e pranuar e kërkesave konkurruese në ankand ishte vetëm 23.14%. Nga 31 kërkesat konkurruese në ankand u pranuan vetëm 8, çka tregon se ulja e fortë e yield-eve mund të jenë ndikuar nga disa aktorë të mëdhenj të tregut, me shumë të ngjarë banka.
Kërkesa e lartë e tregut për letrat e borxhit të qeverisë u konfirmua sërish këtë javë edhe në rihapjen e ankandit të obligacioneve 10 vjeçare, që ishte zhvilluar në muajin janar. Nga 4.6 miliardë lekë obligacione të nxjerra në shitje, në ankand u paraqitën kërkesa totale për një vlerë afro 8.9 miliardë lekësh.
Që nga marsi i vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë e thelloi më shumë se kurrë politikën monetare lehtësuese, duke ulur normën bazë të interesit në 0.5% dhe duke iu garantuar bankave akses të pakufizuar në likuiditet. Kjo solli një zgjerim të ofertës së parasë në ekonomi dhe likuiditet të lartë në tregun financiar. Yield-et e letrave të borxhit të qeverisë qëndruan pranë niveleve më të ulëta historike dhe kjo tendencë vazhdon të mbizotërojë edhe sot.
Edhe pas mbledhjes së fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konfirmoi orientimin se politika monetare do të vijojë të mbetet akomoduese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, në funksionin të rikuperimit të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe të kthimit të inflacionit në objektiv. Nga ana tjetër, gjatë tremujorit të dytë volumi total i huamarrjes së brendshme së qeverisë pritet të ulet me rreth 7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Kjo mund të thellojë më shumë hendekun mes kërkesës dhe ofertës, duke favorizuar ruajtjen e normave të ulëta të interesit ose edhe një rënie të mëtejshme, të lehtë, të tyre.
Në kuptimin e qëllimit të politikës monetare, niveli i ulët i yield-eve dëshmon një funksionim të mirë të mekanizmit të transmetimit. Interesat e titujve qeveritarë janë benchmark kryesor që përdoret edhe në përcaktimin e interesave të huave afatgjatë në lekë edhe për sektorin privat. Kjo është një premisë që edhe normat e interesit të kredisë për sektorin privat të qëndrojnë të ulëta, edhe duke pasur parasysh që kostot e rrezikut duken të kontrolluara dhe raporti i kredive me probleme është i qëndrueshëm./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.