Yield-et e bonove 12-mujore të thesarit u shfaqën përsëri të qëndrueshme, madje me një rënie të lehtë në ankandin e kësaj jave.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 3.91%, nga 3.93% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Pavarësisht rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë më datë 23 mars, dy ankandet e bonove 12-mujore të zhvilluara në vijim janë ndikuar pak nga kjo lëvizja dhe rritja me 0.25 pikë përqindje nuk është reflektuar në yield-et e emetimeve të reja. Ekspertët besojnë se arsyeja kryesore mund të jetë likuiditeti i lartë në treg dhe kërkesa e madhe e investitorëve për këto instrumente.
Në ankandin e ditës së martë, shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë ishte 5 miliardë lekë, ndërsa vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në 9.5 miliardë lekë. Pro rata apo pjesa e pranuar e këkesave konkurruese ishte përsëri shumë e ulët, 14.93%.
Qëndrueshmëria e yield-eve të bonove 12-mujore duket se për momentin po e frenon përcjelljen në tregun financiar të rritjes së fundit të normës bazë të interesit. Bonot 12-mujore janë instrumenti kryesor referues që përdoret për kuotimin e kredive me interest ë ndryshueshëm të sektorit bankar.
Mosrritja e yield-eve të këtyre instrumenteve për momentin favorizon huamarrësit që kanë kredi me norma të ndryshueshme interesi në lekë, duke e frenuar rritjen e normave të interesit në rishikimin e këstit, që bëhet të paktën njëherë në vit.
Aktualisht, ndryshimi vjetor i yield-it mesatar të bonove 12-mujore është vetëm 1.7 pikë përqindje, ndërkohë që në nëntor të vitit të kaluar rritja vjetore shënoi nivelin maksimal, me 4.2 pikë përqindje.
Nga ana tjetër, bonot 12-mujore janë instrumentet kryesore që tërheqin investimet e individëve, duke qenë në këtë mënyrë edhe një alternativë konkurruese për depozitat bankare. Mosrritja e yield-eve të këtyre instrumenteve zbut edhe presionet afatshkurtra për rritjen e depozitave bankare.
Ndërkohë, në ankandin e kësaj jave rritje shënoi yield-i i bonove më afatshkurtra, me maturim 3-mujor, që arriti në 3.05%, nga 2.81% që kishte qenë në ankandin e muajit të kaluar. Në këtë rast, difreneca mes kërkesës dhe ofertës ishte ndjeshëm më e ulët, ndërsa pro rata e kërkesave konkurruese më e lartë, në nivelin 76.19%.
Kjo solli një rritje të yield-it krahasuar me ankandin e mëparshëm, pothuajse në të njëjtën masë sa rritja e normës bazë të interesit. Ankandet e instrumenteve më afatshkurtra kanë një pjesëmarrje më të ulët dhe përgjithësisht përdoren si formë e menaxhimit të likudiitetit nga isntitucionet financiare.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.