Yield-et e bonove të thesarit rezistuan në nivele të ulëta edhe në ankandin e kësaj jave.
Sipas Bankës së Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 1.45%, nga 1.46% që kishte qenë ky tregues në ankandin e mëparshëm. Yield-et po qëndrojnë në nivele të ulëta megjithëse në ankandet e fundit diferenca mes kërkesës dhe ofertës në ankande është ngushtuar disi.
Nga 8.2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, kërkesat e paraqitura në ankand ishin rreth 8.23 miliardë lekë, ndërsa prorata e kërkesave konkurruese të pranuar arriti në 90.2%. Kjo tregon se tregu primar mund të ketë përthithur një pjesë të mirë të likuiditetit të lirë gjatë muajve të fundit dhe yield-et janë pranë një pike ekuilibri.
Megjithatë, kërkesa e investitorëve në përgjithësi është më e lartë për instrumentet me maturim afatgjatë dhe nuk përjashtohet që një pjesë e fondeve të bankave apo investitorëve institucionalë të vendosen në ankandet e ardhshme të obligacioneve. Në fillim të muajit korrik, Ministria e Financave do të zhvillojë një ankand të ri të obligacioneve 10 vjeçare, instrumente që zakonisht tërheqin interes të lartë nga investitorët, për shkak të kthimeve më të larta.
Tregu primar i instrumenteve të borxhit qeveritar deri tani ka kaluar përmes krizës së pandemisë pa luhatje të mëdha dhe në përgjithësi është karakterizuar nga norma të ulëta interesi. Rol përcaktues ka luajtur shëndeti i mirë i sektorit financiar në vend dhe politika monetare më stimuluese se kurrë më parë, e ndjekur nga banka qendrore. Zgjerimi i ofertës së parasë në ekonomi dhe rritja e qëndrueshme e kursimeve pas pandemisë kanë krijuar burime të mjaftueshme për të financuar deficitin buxhetor. Banka e Shqipërisë edhe në daljet e fundit ka konfirmuar se do të vijojë të njëjtin intensitet të stimulit monetar, së paku deri në fund të tremujorit të tretë 2021.
Ministria e Financave parashikon të financojë rreth 91 miliardë lekë në tregun e brendshëm financiar për tremujorin e tretë të vitit. Sipas kalendarit të emetimeve, huamarrja do të shënojë një rritje të lehtë me rreth 1.3% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar, huamarrja do të jetë ndjeshëm më e lartë, me rreth 14% më shumë. Megjithatë, ky ndryshim vjen kryesisht për shkak se deficiti buxhetor në gjysmën e dytë të vitit të kaluar u mbulua kryesisht nëpërmjet eurobondit të qershorit 2020, që zëvendësoi një pjesë të mirë të huamarrjes së brendshme./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.