Yield-et e Bonove të Thesarit u rritën në ankandin e kësaj jave.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në ankandin e ditës së martë, Bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një yield mesatar të ponderuar prej 2.5%, nga 2.28% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, në fund të muajit maj.
Diferenca mes shumës së kërkuar dhe asaj të ofruar në ankand ishte relativisht e ngushtë. Nga 8.2 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, në ankand u paraqitën kërkesa totale në vlerën e 8.5 miliardë lekëve.
Kërkesat e pranuara nga Ministria e Financave kishin një yield në intervalin me 2.15% dhe 2.58%. Ajo që vërehet në raport me ankandet e mëparshme është një rritje e yield-eve minimale të kërkuara në ankande, çka dëshmon se zhvendosja për lart e yield-eve po merr trajtë të qëndrueshme.
Nga ana tjetër, raporti i ngushtë mes kërkesës dhe ofertës dëshmon se shumë investitorë ende preferojnë të presin ende rritjen e mëtejshme të normave të interesit, për të investuar me kthime më të larta. Kjo tendencë është vërejtur në muajt e fundit tek Bonot, por sidomos tek Obligacionet me maturitet afatgjatë.
Rritja e shpejtë e inflacionit, duke filluar nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, e ka bërë të qartë se epoka e normave të ulëta historike të interesit ka përfunduar. Shumica e bankave të mëdha qendrore kanë aplikuar tashmë rritje të normës bazë, përfshirë këtu Bankën e Shqipërisë, që në muajin mars e rriti atë në me 0.5 pikë përqindje, në nivelin 1%. Edhe Banka Qendrore Europiane paralajmëroi rritjen e normës të interesit në mbledhjen e ardhshme, të muajit Korrik.
Në një mjedis të tillë, zhvendosja në rritje e yield-eve është e natyrshme dhe ky proces pritet të vijojë gradualisht. Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se do të vijojë procesin e normalizimit monetar përgjatë dy viteve të ardhshme, çka nënkupton vijimin e rritjes së normës bazë të interesit. Ky proces do të reflektohet edhe në yield-et e tregut primar të titujve qeveritarë dhe më tej edhe në segmentet e tjera të tregut financiar. Rritja e normave të interesit do ta bëjë gradualisht më të kushtueshme huamarrjen për qeverinë dhe për subjektet private. Kursi i ri i politikës monetare do të tentojë të shtrëngojë shpenzimet dhe të nxisë kursimet, me qëllim uljen e presioneve inflacioniste në ekonomi.
Sipas INSTAT, inflacioni vjetor në muajin maj arriti nivelin 6.7%, më i lartë prej më shumë se 20 vitesh. Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e inflacionit ka arritur tashmë pikun dhe gjatë tremujorit të tretë pritet të ketë një tendencë drejt stabilizimit. Megjithatë, lufta në Ukrainë dhe efektet e saj në tregjet e lëndëve të para ende imponojnë një shkallë të lartë pasigurie në parashikimet ekonomike. / E. Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.