Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar qëndroi i fiksuar në nivelin 3.15%, në të njëjtin nivel me ankandin e mëparshëm, që ishte zhvilluar në fund të muajit gusht.
Kërkesa e tregut rezultoi sërish e bollshme për një vlerë totale prej 10 miliardë lekësh, nga 7.2 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financimin nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Pro rata ose pjesa e pranuar e ofertave konkurruese rezultoi mjaft e ulët, në nivelin 7.23%.
Yield-et e bonove 12-mujore po qëndrojnë në nivele ndjeshëm më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Në emetimin e fundit të shtatorit të vitit të kaluar, yield-i i Bonove të Thesarit 12-mujore kishte qenë 4.53% ose pothuajse 1.4 pikë përqindje më shumë se sot.
Nëse një vit më parë yield-i i bonove 12-mujore ishte pothuajse 2.8 pikë përqindje mbi normën bazë, sot qëndron shumë afër nivelit të normës bazë, me 0.15 pikë përqindje më shumë.
Frenimi i inflacionit dhe ndërprerja e kursit të shpejtë të rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë ka bërë që yield-et e borxhit të qeverisë këtë vit të stabilizohen.
Ndërkohë që yield-et e instrumenteve të borxhit afatgjatë kanë shënuar një rritje të lehtë në emetimet e muajit shtator, yield-et e instrumenteve afatshkurtra ngelen të qëndrueshme. Kjo mund të shpjegohet me gjendjen likuide të tregut financiar dhe me një kërkesë të lartë të investitorëve për Bono Thesari.
Stabilizimi i yield-eve të Bonove 12-mujore është një faktor i rëndësishëm edhe në ecurinë e normave të interesit të kredive në Lekë për sektorin privat, veçanërisht të kredive me norma të ndryshueshme interesi, që zakonisht kanë si tregues benchmark pikërisht yield-in e bonove 12-mujore.
Rënia e yield-eve në pjesën e parë të vitit dhe më pas stabilizimi i tyre afër nivelit të normës bazë po i mban të ulëta kostot e financimit të sektorit privat, duke lehtësuar bilancet e familjeve dhe bizneseve huamarrëse.
Tregu financiar për momentin duket i qetë, në pritje të sinjaleve të reja që mund të vijnë nga mbledhja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, që do të zhvillohet javën e ardhshme. Inflacioni këtë vit ka ardhur në rënie dhe në muajin gusht zbriti në 4%, niveli më i ulët që prej shkurtit të vitit të kaluar. Inflacioni bazë është pak më i lartë, në nivelin 4.17%, por ka ndjekur një trajektore të ngjashme me inflacionin total.
Megjithëse inflacioni ngelet sipër objektivit, Banka e Shqipërisë e ka ndërprerë rritjen e normave të interesit qysh prej muajit mars, vendim që në një masë të madhe është ndikuar edhe nga forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.