Yield-et e bonove 12 mujore pësuan rënie të mëtejshme në ankandin e fundit të muajit janar, duke vijuar tendencën korrektuese të dy muajve të fundit.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE), yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 4.86%, niveli më i ulët që prej tetorit të vitit të kaluar. Pjesëmarrja e investitorëve rezultoi sërish mjaft e lartë.
Nga 11 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në pak më shumë se 17 miliardë lekë. Siç ka ndodhur disa herë në ankandet e fundit, MFE vendosi ta rrisë shumën e pranuar me 15%, për një vlerë përfundimtare të huamarrjes prej 12.65 miliardë lekë.
Rënie të yield-eve pësuan edhe bonot me maturim 6-mujor. Për këto instrumente, yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 4.37%, nga 4.57% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Për këto instrumente kërkesa e investitorëve rezultoi më e ulët, edhe për shkak të preferencës drejt instrumenteve 12 mujore.
Tregu primar i instrumenteve të borxhit qeveritar e ka mbyllur muajin e parë të vitit 2023 me një tendencë të qartë në rënie të yield-eve. Rënia, në një masë të madhe, konsiston në korrigjim të rritjes shumë të lartë që yield-et kishin pësuar në gjysmën e dytë të vitit 2022, veçanërisht në periudhën mes gushtit dhe nëntorit.
Kjo periudhë përkoi me një seri të ndërhyrjeve të njëpasnjëshme të Bankës së Shqipërisë, që rriti tre herë normën bazë të interesit me nga 0.5 pikë përqindje. Lëvizjet në rritje të shpejtë të normës bazë të interesit krijuan pritshmëri të forta mes investitorëve për vijimësi të rritjes, duke bërë që yield-et të rriteshin shumë më tepër se norma bazë e interesit.
Tregu filloi të qetësohej pas fundit të muajit nëntor. Sinjalet për një ngadalësim të inflacionit mbështetën pritshmëritë se banka qendrore do të frenonte disi ritmin e normalizimit monetar. Këto pritshmëri u konfirmuan në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës për vitin 2022, kur norma bazë e interesit u mbajt e pandryshuar në nivelin 2.75%.
Inflacioni u shfaq sërish në rënie për muajin dhjetor, duke zbritur në 7.4%, niveli më i ulët që prej qershorit. Por, nga ana tjetër, inflacioni bazë u rrit përsëri në 8.4%, nga 8.3% që kishte qenë në dhjetor.
Nëse inflacioni mesatar në Shqipëri ka qenë ndjeshëm poshtë niveleve të regjistruara në vendet e Eurozonës dhe BE-së, në fakt inflacioni bazë është në nivele ndjeshëm më të larta se niveli prej 5.2% i regjistruar në Eurozonë. Banka e Shqipërisë ka shprehur projeksione më optimiste për vitin 2023, duke parashikuar një rënie graduale të inflacionit.
Megjithatë, në komunikimet publike banka qendrore e ka bërë të qartë se arritja e këtij objektivi do të kërkojë një rritje të mëtejshme të normave të interesit nga banka qendrore.
Vendimmarrja e parë për normën bazë të interesit gjatë këtij viti do të merret në mbledhjen e datës 1 shkurt. Analistët financiarë parashikojnë që deri në fund të vitit 2023 Banka e Shqipërisë do të rrisë normën bazë pranë nivelit të 4%./E.Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.