Yield-et e Bonove të Thesarit dhanë sinjale rritjeje në ankandin e zhvilluar së fundmi.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar i Bonove me maturim 12 mujor arriti në 1.79%, nga 1.62% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Rritja e yield-eve është e lidhur me një rënie të ndjeshme të kërkesës së paraqitur në ankande, që çoi në mosfinancimin e të gjithë shumës së kërkuar nga Ministria e Financave.
Nga 9.7 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim, në ankand u paraqitën gjithsej kërkesa për rreth 8.9 miliardë lekë. Ky ishte ankandi i dytë radhazi që qeveria nuk arriti plotësonte të gjithë shumën e kërkuar, pas ankandit të bonove 3-mujore të javës së kaluar. Së fundmi, duket se likuiditeti i lirë në treg është pakësuar. Një ndikim në këtë drejtim mund të ketë dhënë edhe ndryshimi i formës së ankandeve të marrëveshjeve të anasjelljta të riblerjes, nga Banka e Shqipërisë. Ato janë instrumenti kryesor i mbështetjes afatshkurtër me likuiditet për sektorin bankar në vend.
Prej fillimit të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka rikthyer formën e mëparshme të ankandeve, me çmim të fiksuar. Ky vendim u mor nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit të kaluar dhe përfaqëson hapin e parë në drejtim të tërheqjes graduale të stimulit monetar. Ndërkohë, që nga marsi 2020, deri në fundin e vitit 2021 ishte aplikuar forma e ankandit me çmim uniform, që iu garantonte bankave furnizim të pakufizuar me likuiditet. Vendimmarrja erdhi pas sinjaleve të forta të inflacionit që u shfaqën në ekonominë europiane në gjysmën e dytë të vitit të kaluar dhe që filluan të reflektoheshin edhe në nivelet e inflacionit në Shqipëri. Ky ndryshim ka ndikuar në uljen e ndjeshme të huasë së dhënë nga Banka e Shqipërisë për bankat tregtare, nëpërmjet REPO-ve. Vlera e huasë në fund të shkurtit zbriti në 28.3 miliardë lekë, në rënie për të tretin muaj radhazi dhe është njëkohësisht më e ulët e këtij treguesi që prej shkurtit 2020, para fillimit të pandemisë.
Një korrigjim në rritje i yield-eve të titujve të borxhit qeveritar gjatë tremujorit të parë të këtij viti ishte i pritshëm, duke parë sinjalet inflacioniste që po ndihen në ekonomi që prej tremujorit të fundit të vitit të kaluar. Megjithatë, përfkundrejt këtyre pritshmërive, yield-et qëndruan në nivele të ulëta gjatë muajve janar dhe shkurt. Tashmë, sinjalet inflacioniste janë bërë edhe më të forta, të ndikuara më tej nga lufta në Ukrainë, që ka sjellë rritje të mëtejshme të çmimeve të produkteve energjetike dhe të lëndëve të para. Këto zhvillime forcojnë pritshmëritë për rritjen e normave të interesit këtë vit. Deri para shpërthimit të luftës në Ukrainë, shumica e ekspertëve e prisnin rritjen e normave të interesit duke filluar nga gjysma e dytë e këtij viti.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë do të zhvillojë mbledhjen e radhës për vendimmarrjen e politikës monetare javën e ardhshme. Për shkak të shkallës së lartë të varësisë nga ekonomia e Eurozonës, opinioni mbizotërues mes ekspertëve është se Banka e Shqipërisë nuk do të ndërmarrë rritje të normave të interesit para se një hap të tillë ta hedhë Banka Qendrore Europiane (BQE). Javën e kaluar, BQE-ja vendosi t’i mbajë të pandryshuara normat e interesit, pavarësisht se inflacioni ka arritur nivelin prej 5.8%. Megjithatë, Këshilli Drejtues i BQE-së paralajmëroi përfundimin e programit të blerjes së titujve në tremujorin e tertë të këtij viti, më herët krahasuar me orientimet e mëparshme.
Në Shqipëri inflacioni zyrtar ka arritur deri në 3.9%, në nivele më të ulëta krahasuar me ekonominë e Eurozoëns dhe me shumicën e ekonomive të rajonit. Megjithatë, një rritje e mëtejshme duket e paevitueshme, duke marrë në konsideratë tendencën e shtrenjtimit të mallrave të konsumit dhe kohën e nevojshme të përcjelljes së inflacionit të importuar. /E.Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.