Yield-i mesatar i ponderuar i obligacioneve referencë pesëvjeçare pësoi një rënie të fortë në ankandin e rihapjes së zhvilluar këtë javë.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ky tregues zbriti në 6.07%, pasi kishte shënuar një nivel rekord prej 7.69% në ankandin e mëparshëm, që ishte zhvilluar në muajin nëntor.
Pjesëmarrja e investitorëve në ankande sërish rezultoi mjaft e kënaqshme. Vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në 4.78 miliardë lekë, ndërsa shuma e shpallur për financim kishte qenë 2.5 miliardë lekë.
Edhe në këtë rast, Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumën e huamarrjes në maksimumin e lejuar prej 15%, duke e çuar vlerën e emetimit në 2.875 miliardë lekë.
Yield-i mesatar i ponderuar i obligacioneve 5-vjeçare ka qenë në nivele pothuajse të njëjta me kuotimet në tregun dytësor. Në mungesë të një tregu të mirëfilltë sekondar, që prej vitit 2018 Ministria e Financave dhe Ekonomisë (MFE) dhe Banka e Shqipërisë po zhvillojnë projektin e titujve referencë, në bashkëpunim me pesë banka tregtare në vend.
Titujt benchmark, ku përfshihen edhe obligacionet 5-vjeçare, gëzojnë likuiditet më të lartë se emetimet e zakonshme, për shkak të detyrimit që kanë Zhvilluesit e Tregut për të kuotuar çmime blerjeje dhe shitjeje në tregun sekondar. Kuotimi ditor i yield-it për tregtim sekondar iu jep këtyre instrumenteve tipare më likuide, por njëkohësisht mundëson edhe vlerësimin e një çmimi më të drejtë.
Yield-i fiks i obligacioneve 5-vjeçare më datë 20 janar (dita e fundit e punës para zhvillimit të ankandit) kishte qenë në nivelin 6.04%. Në këtë mënyrë, tregu dytësor mund të ndihmojë investitorët e interesuar në orientimin e yield-eve që duhet të kërkojnë edhe në ankandet e tregut primar.
Yield-et e bonove dhe obligacioneve shënuan një cikël të fortë rritjeje në periudhën mes mujave gusht dhe nëntor 2022, duke reflektuar rritjen e shpejta të normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë dhe pritshmëritë për një rritje të mëtejshme të tyre. Pasiguria e tregut u qetësua disi duke filluar nga muaji dhjetor, pasi inflacioni dha shenja rënieje, ndërsa Banka e Shqipërisë e mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit, për herë të parë që prej muajit maj.
Rënia po merr tani përmasa të dukshme dhe i ka çuar yield-et pranë niveleve më të arsyeshme. Tashmë, yield-et e obligacioneve 5 vjeçare kanë zbritur pranë kufirit të 6%, aty ku në fund të muajit nëntor patën arritur Bonot 12 mujore. Kjo rënie është zhvillim pozitiv për qeverinë shqiptare, sidomos kur bëhet fjalë për instrumente të borxhit afatgjatë, që emetohen me një kupon (normë kthimi) fiks.
Një ecuri më e stabilizuar e yield-eve gjatë vitit 2023 do të ndihmonte në uljen e pasigurisë së huamarrësve dhe institucioneve financiare. Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë pritet të vijojë rritjen e normave të interesit gjatë vitit 2023 dhe këto lëvizje do të kenë një ndikim të tyre edhe në tregun e instrumenteve të borxhit të qeverisë. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.