Ylli: Kufizimet në lëvizje duhet të vijojnë edhe disa javë, Ja dy arsyet për çlirimin

31/03/2020 11:01 PM 0 komente

Shqipëria ende nuk ka një fluks të lartë të prekurish me COVID, por masat shtrënguese në lëvizje do të vijojnë edhe për shumë javë, pasi epidemiologet pohojnë se flukse të larta pritet të vijojnë në fund të prillit.

Parashikimet për zgjatjen e epidemisë nuk janë shumë të sakta, për shkak të shumë faktorëve dhe masave, por epidemiologu Alban Ylli vuri në dukje se ka një frenim ditët e fundit, por është shumë herët për të gjykuar. Ai tha se, duhet te jemi te përgatitur për qarkullim intensiv të virusit në prill.

Ylli tha se lëvizjet mund të çlirohen për dy arsye:

Së pari kur të ketë një rënie të qëndrueshme për dy javë të paktën, të rasteve të reja.

Së dyti të jenë të gjithë kapacitetet gati për një strategji kontrolli afatgjatë, pasi virusi vetëm është frenuar përkohësisht.

Skenarët që kanë ndërtuar Europa Perëndimore tregojnë për një pik 300 raste të reja në ditë, në ditët e fundit të prillit, por Ylli beson se këto raste do të jenë më pak se 100 me masa të forta shtrënguese.

Eksperti Alban Ylli thotë se masat e marra lidhur me distancimin social parashikohet të kenë një efekt të rëndësishëm në uljen e përhapjes dhe zgjatjen e kohës për arritjen e pikut të epidemisë. Përvoja nga Kina dëshmon se masat e kontrollit të epidemisë janë efikase në uljen e numrit mesatar të personave të prekur nga infeksioni dhe në zgjatjen e kohës së dyfishimit të rasteve të reja.

Zbutja e kurbës së epidemisë dhe shtrirja e saj në kohë do të ishte me rëndësi thelbësore sidomos për të zbutur barrën e menjëhershme që krijohet për kujdesin shëndetësor. Megjithatë duhet patur parasysh se ato masa duhet të jenë shumë të forta dhe të qëndrueshme për të ulur me shpejtësi një përhapje nga 2.5 nën 1.

Ylli thotë se, nuk kemi informacion të plotë mbi rolin e fëmijëve në transmetimin e Covid 2019. Në rastin e gripit fëmijët luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e infeksionit. Informacioni nga përvoja kineze është i pjesshëm, por gjithsesi nënvizon faktin së fëmijët mund të preken.

Përgjithësisht, infeksioni shoqërohet vetëm me shfaqje të lehtë klinike të sëmundjes ose pa shfaqje. Për këtë arsye mund të parashikohet një efekt në frenimin e epidemisë nga mbyllja e shkollave, por ky efekt do te jetë me ulët sesa do te ishte në rastin e gripit pandemik dhe gjithsesi më i ulët se efekti i masave të tjera (në rastin e pandemisë së gripit AH1N1 përllogaritej një nivel ataku prej rreth 25% tek fëmijët deri në 15 vjec).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of