Këtë herë, “Lëvizja Pesë Yjet” e Italisë dëshiron të ketë më shumë fuqi. Ajo po përpiqet për të formuar një grup heterogjen idealistësh për realitetin e politikës
Në një të hënë të lagësht, pas një shiu të furishëm, Scampia është vendi i fundit ku shumica e italianëve do të donin të ishin. Dikur një prej bazave kryesore të Camorra-s, mafies napolitane dhe skena e vrasjeve të shumta, përmendja e emrit të saj (Scampia) në mënyrë të pashmangshme lidhet me rrezikun, konfliktet dhe varfërinë, shkruan The Economist. Droga, një prej problemeve kryesore të këtij vendi, është përhapur edhe në pjesë të tjera të Napolit.
Por ajo mbetet edhe në ditët e sotme një prej lagjeve më të rrezikshme dhe kur kandidati për Kryeministër i “Lëvizjes 5 Yjet” (M5S) arriti në këtë zonë, paraqitja e tij e parë me një kostum të zi dhe një kravatë blu me vija ishte diçka që u bëri të gjithëve përshtypje.
Zgjedhjet e përgjithshme të Italisë pritet të zhvillohen më 4 mars dhe z. Di Maio shkoi në Scampia si pjesë e fushatës së tij zgjedhore. Takimi u zhvillua në një palestër, e krijuar posaçërisht për djemtë e rinj të kësaj lagjeje, në mënyrë që të qëndrojnë larg rrugës dhe të merren me aktivitete sportive.
Dhe mbajtja e takimit të z. Di Maio në këtë palestër ishte pikërisht tregues kryesor i ndershmërisë dhe respektit ndaj ligjit, që ai dhe partia e tij do të mundohen të vendosin në Itali, në rast të një fitoreje të mundshme, cilësi që mungojnë në politikën aktuale të Italisë. Por duke u lavdëruar në mënyrë të përsëritur për mosimplikimin e tij me krimin me sloganin e “duarve të pastra”, ai dhe lëvizja e tij është bërë në mënyrë të pashmangshme pjesë e skandaleve të shumta.
Anëtarët e “Lëvizjes Pesë Yjet” vendosën se do të dhuronin gjysmën e pagave të tyre dhe pjesën e pashfrytëzuar të shpenzimeve të tyre në një fond për bizneset e vogla. Deri më tani, ata kanë kontribuar një shumë prej 23 milionë eurosh (28.7 milionë dollarësh). Por gjatë javës së kaluar, në një program televiziv në një kanal të kontrolluar nga Silvio Berlusconi, themeluesi i partisë rivale “Forza Italia”, disa prej deputetëve të saj u akuzuan se po vinin në rrezik sistemin në sajë të lëvizjeve të tyre.
Pas hetimeve të kryera në këtë drejtim, z. Di Maio tha se tetë ligjvënës tërhoqën donacionet e tyre me vlerë prej 795,000 eurosh. Dy deputetë të tjerë dhanë dorëheqjen e tyre nga kandidimi, ndërsa një tjetër u largua fare nga kjo parti.
Por kjo çështje mori përmasa të mëdha dhe u diskutua edhe në Parlamentin Europian, pasi një prej deputetëve të këtij Parlamenti dhe një prej figurave më të rëndësishme të “Lëvizjes Pesë Yjet” e braktisi këtë të fundit dhe refuzoi që t’u përgjigjej pyetje të gazetarëve.
Ky rast është thënë se do të jetë pjesë e një hetimi më të zgjeruar në ditët në vazhdim.
Në lidhje me një situatë të tillë, z. Di Maio, tha se “Mollë të krimbura dhe të kalbura” ka kudo, por e keqja është se ne i largojmë elementë të tillë nga partia jonë, ndërkohë që ata zgjidhen ministra në disa parti të tjera. Dhe ky i fundit është një pohim i drejtë. Por duke qenë se kjo parti ka qenë pjesë e incidenteve të shumta në fushatën zgjedhore, ajo ka krijuar përshtypjen edhe të një partie tejet amatore.
Një portal online, “Il Post”, ka shkruar se disa nga pjesët e programit të kësaj lëvizjeje ishin kopjuar nga diku tjetër, madje duke përfshirë këtu edhe materiale të marra bruto nga Wikipedia. Një prej kandidatëve për deputet të kësaj Lëvizje ra dakord të japë dorëheqjen në rast se do të zgjidhet, kur u bënë publike pamjet se ai kishte rrahur një emigrant rumun.
Por incidente të tilla nuk kanë ndikuar që ajo të humbë mbështetjen e votuesve. Sipas disa sondazheve të fundit, ajo është ende në krye, mbështetur nga pothuajse 28% e votuesve.
“Kjo Lëvizje ka mbështetje nga çdo rajon në vend dhe nga votues të të gjitha klasave të shoqërisë”, – shprehet Roberto D’Alimonte, një profesor i shkencave politike në Universitetin Luiss në Romë.
Në një teatër në pjesën qendrore të Napolit, z. Di Maio prezantoi disa nga kandidatët lokalë: një lektor universiteti, një veteriner, një mësues dhe një drejtor, i cili kishte organizuar shfaqje në burgjet e qytetit. Por kjo Lëvizje është më pak e popullarizuar në mesin e njerëzve të moshuar, shton z. D’Alimonte.
Roberto Fico, kandidati kryesor i lëvizjes në Napoli, shpjegon dy arsye sipas tij. Në veri “Lëvizja Pesë Yjet” konkurron me një tjetër lëvizje populiste, Ligën Veriore Antiglobaliste. Ndërsa jugorët janë më pak të shqetësuar nga veçoritë e kësaj Lëvizjeje.
E themeluar nëntë vjet më parë nga Beppe Grillo, një komedian, lëvizja është e pamundur të konsiderohet e prapambetur. Ashtu si Lëvizja “En Marche e Francës”!, ajo hedh poshtë spektrin politik të majtë dhe të djathtë, që bazohet në ndarjet e klasave, e cila është bërë tejet e vjetruar si ideologji. Por, z. Di Maio nuk është Emmanuel Macron, edhe nëse ai vishet në mënyrë identike si ky i fundit. Ai nuk ka diplomë dhe kurrë nuk ka qenë në një punë të rregullt përpara se të bëhej pjesë e Parlamentit, pesë vjet më parë në moshën 26-vjeçare.
Ndryshe nga shumica e grupeve të tilla, “Lëvizja Pesë Yjet” u krijua për të shkatërruar plotësisht partitë e tjera, prandaj anëtarët e saj këmbëngulën në fillim që ta quanin atë një lëvizje. Ëndrra e këshilltarit të z. Grillo, Gianroberto Casaleggio, ishte të zëvendësonte politikën partiake me një formë të demokracisë së drejtpërdrejtë në internet, në të cilën publiku mund të vendoste për legjislacionin me anë të një klikimi të vetëm.
Sipas tij, kjo Lëvizje duhet të hyjë në qeveri me një shumicë absolute votash, në mënyrë që të ketë edhe mundësinë për të ndryshuar sistemin.
Realistët entuziastë
Shumë pak nga ky utopizëm mund të dallohet në fjalimet e z. Di Maio, pjesa më e madhe e të cilëve janë të kryera në mënyrë profesionale.
Mesazhi është i qartë: Me sa më shumë energji në qeverinë e re, edhe pse ndoshta pa një mazhorancë absolute. Kur ishte në Napoli ai asnjëherë nuk e përmendi çështjen e demokracisë absolute, por në vend të saj, foli për ligjet që qeveria e tij do të shfuqizonte nëse do të vinte në pushtet dhe për ndryshimet që do të sillte.
Si z. Di Maio edhe z. Fico vijnë nga Campania, rajoni rreth Napolit. Ata reflektojnë heterogjenitetin që ekziston brenda Lëvizjes Pesë Yjet. Kandidati për Kryeministër, shumë rrallë mund të jetë fotografuar i veshur në mënyrë joformale, gjithmonë ka qenë me xhaketë dhe kravatë. Familja e tij kishte një bindje politike të djathtë, ku babai i tij me profesion ndërtues, ishte edhe anëtar i Lëvizjes Sociale Italiane neofashiste.
Ndërsa z. Fico është thuajse e kundërta e z. De Maio. Pothuajse në të gjitha daljet publike, ai paraqitet i veshur në mënyrë joformale (përherë me xhinse). Si të mos mjaftonte, në këtë diversitet të madh ndërmjet tyre bëjnë pjesë edhe bindjet e familjet se z. Fico, të cilat kanë qenë të majta.
Në 2005-n, ai krijoi një nga grupet e para në vend, të cilat filluan të përdorin “Meetup”, një faqe online, për të krijuar bazat e asaj që më vonë do të njihej si “Lëvizja Pesë Yjet”.
Ashtu siç u tha edhe më sipër, sipas disa sondazheve të fundit, partia “Lëvizja Pesë yjet” rezulton të jetë si forca më e madhe politike e Italisë, por nëse ajo nuk arrin të fitojë një mazhorancë absolute që i duhet për të qeverisur dhe për të bërë ndryshimet e premtuara, atëherë duhet t’ia prezantojë programin e saj dhe kabinetin e propozuar partive të tjera.
Nëse ata do ta pëlqejnë programin që do t’i prezantohet, atëherë ata mund të ofrojnë mbështetjen e tyre. Por kjo gjë nuk ka shumë vlerë, sepse i shton ndërlikimet në këtë proces zgjedhor, duke rritur pikë së pari dyshimet nëse Lëvizja Pesë Yjet, do të jetë në gjendje që të vazhdojë të qeverisë me “duar të pastra”.
Z. Fico parashikon një “dilemë të madhe” për lëvizjen. Pas zgjedhjeve të fundit, shumë nga mbështetësit e saj, të cilët nuk ndanin të njëjtat ide (apo edhe nuk arrinin të kuptonin pjesën më të madhe të tyre) me ato të z. Casaleggio, u penduan për votat e dhëna, në momentin kur ajo nuk fitoi asnjë vend në Parlament.
Por, z. Fico argumenton se Lëvizja Pesë Yjet, nuk mund ta përballojë humbjen e ndjenjës së misionit të saj, sepse nëse ajo shndërrohet në një parti të thjeshtë siç mund të ketë shumë, është e sigurt që ajo do të shuhet shpejt, paralajmëron ai.
“Ne po përpiqemi të gjejmë një ekuilibër midis vënies në zbatim të ideve dhe projekteve të lëvizjes nga njëra anë dhe ndryshimit në mënyrë graduale të sistemit nga ana tjetër”. Por një përpjekje e tillë shoqërohet edhe me rrezikun për të krijuar një hendek të madh brenda Lëvizjes, ndërmjet idealistëve dhe atyre që synojnë vetëm të jenë pjesë e Parlamentit. Dalja në vend të parë në këto zgjedhje, mund të jetë pjesë më e lehtë e kësaj lufte të vështirë, thotë ai në fund të fjalës së tij.