YouTube pezullon përkohësisht rezolucionin e lartë të streaming, duke ulur cilësinë në nivelin standard, për të lehtësuar ngarkesën e të dhënave që qarkullojnë në rrjetet e internetit.
Njoftimi u bë nga Google, të premten, i cili ka nën pronësi YouTube dhe nga komisioneri i BE per Dixhitalizimin, Thierry Breton. Me këtë vendim, Ceo i Google dhe ai i YouTube, Sundar Pichai e Susan Wojcicki, u bashkohen masave të marra nga Netflix të enjten dhe të kërkuara nga Brukseli për t’i bërë ballë mbingarkesës me të cilën janë përballur infrastrukturat që në fillim të pandemisë.
“Ne jemi të përkushtuar për të transferuar përkohësisht të gjithë trafikun tek rrjetet europiane me rezolucion standard dhe do të vazhdojmë të punojmë me qeveritë e shteteve anëtare dhe operatorët e rrjeteve, për të reduktuar në minimum stresin në sistem, duke ofruar një përvojë të mirë te përdoruesit”, komentoi një zëdhënës i Google. Ai saktësoi se që nga fillimi i koronavirusit, YouTube regjistroi “vetëm disa momente piku në përdorim”. Nisma u mirëprit nga Brukseli.
“Vlerësojmë përgjegjësinë e madhe të shfaqur nga Pichai e Wojcicki”, komentoi komisioneri Breton.
Burimi: Reuters