Kompania koreano jugore “Yura Corporation” ka nisur investimin e saj 13 milionë euro, ku parashikohet hapja e një fabrike për prodhimin e pjesëve teknologjike të autoveturave. Në ceremoninë e rastit ishin të pranishëm Kryeministri, Edi Rama, dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.
Ministrja Denaj shprehu kënaqësinë e saj për investimin që kompania do të realizojë në vendin tonë, i cili në të dy fazat e tij do të arrijë në 13 milionë euro, do të punësohen rreth 1100 punonjës dhe do të investohet në gati 4.9 hektarë tokë në zonën e Fierit.
Denaj vlerësoi se fuqia punëtore, kostot konkurruese dhe pozita gjeografike e Shqipërisë janë disa nga elementët që tërhoqën vëmendjen e kompanisë për të investuar në vendin tonë dhe shprehu bindjen se edhe investitorë të tjerë të huaj do të zgjedhin Shqipërinë për të investuar, ashtu si kompania “Yura Corporation”.
Sipas Denajt edhe shifrat pozitive të investimeve të huaja direkte në vendin tonë gjatë vitit 2018, të cilat arritën në mbi 1 miliardë euro apo 13.5 % më shumë se sa viti 2017, duke e renditur Shqipërinë në vendin e dytë në Ballkanin Perëndimor për sa i përket ritmin e rritjes së IHD-ve, gati 7.5 % ndaj Produktit të Brendshëm Bruto. Shifra pozitive të IHD-ve u shënuan edhe në tremujorin e parë të vitit 2019, 285 milionë euro investimeve dhe me rritje në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Më herët, në një intervistë për “Monitor” Përfaqësuesi i saj për Shqipërinë, Lucas Nam, pohoi se kompania ka aplikuar për të përfituar nga kontrata 1 euro dhe parashikon të investojë 6.5 milionë euro, duke punësuar 516 persona.
Yura Corporation Albania u themelua në maj 2018, si një nga kompanitë europiane të vendosura në këtë sektor nga kompania mëmë. “Ne presim që të hapim një fabrikë në Fier lidhur me prodhimin e pajisjeve kabllore”, ka pohuar ai.
Si avantazh për Shqipërinë, ai përmendi faktin që vendi aktualisht ka kosto të ulët dhe stabilitet në përmirësim në përgjithësi. Edhe kjo mund të jetë një zgjidhje për zhvillimin e logjistikës dhe një zinxhir ditor furnizimi për biznesin automotiv europian.
Yura Corporation është prodhues i pajisjeve kabllore dhe produkteve të tjera të ngjashme për makinat. Prej të paktën gjysmë shekulli, fokusi i aktivitetit është ky, por edhe mbështetja teknologjike dhe ekspertiza në makinat e gjelbra dhe të ardhmen e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.