Yura: “Kemi 5 fabrika në Europë, por Shqipëria e fundit për lehtësi, problem burokracia”

15/11/2019 10:06 PM 0 komente

Flet Lucas Nam, përfaqësues i Yura Corporation në Shqipëri 

 

Koreanët e Yura-s, të vendosur në Fier prej disa muajsh, kanë nisur punimet intensive për ngritjen e fabrikës. Përfaqësuesi i kompanisë, Lucas Nam, në një intervistë për “Monitor”, shprehet se projekti po avancon, por burokracia mbetet problematike tek institucionet shqiptare.

Sipas tij, një pjesë e stafit korean nuk ka marrë ende lejet e qëndrimit dhe punës në Shqipëri për arsye të pakuptueshme. Lidhur me lehtësitë që shteti ynë garanton për industrinë automotive, Nam thekson se Yura ka të paktën 5 fabrika në Europë, por Shqipëria është ajo me stimujt më të dobët fiskalë.

Pavarësisht kësaj, kostoja e ulët e krahut të punës dhe afërsia gjeografike me tregjet e mëdha si BE i ofron Shqipërisë avantazhe. Përfaqësuesi i Yura, thotë se ka nisur rekrutimi për punonjësit e kompanisë dhe se shumë shpejt do të fillojnë trajnimet që do të mbahen në mes të dhjetorit 2019 dhe shkurtit 2020. Kompania do të nisë prodhimin në muajt e parë të vitit të ardhshëm ku do të prodhojë një artikull me 11 mijë njësi në muaj për motorët e markave si KIA dhe Hyundai.

 

Në korrik, Yura nisi punimet civile në zonën e Fierit për fabrikën e re. Në çfarë faze jeni aktualisht? 

Kemi montuar aktualisht pjesët e mureve me pllaka betoni parafabrikat, ndërkohë po vijojnë proceset e tjera.

A keni pasur ndonjë problem në lidhje me burokracinë e institucioneve apo çdo gjë po ecën mirë? 

Në fakt, burokracia ende është problematike. Për shembull, disa persona nga stafi ynë korean nuk ka marrë ende lejen për punë dhe qëndrim për shkaqe që nuk i kuptojmë.

A e keni nisur procesin e rekrutimit të punonjësve?

Po kemi nisur si fillim me reklamat për vende të lira pune dhe këtë po e bëjmë paralelisht në internet, si dhe në televizionet lokale në zonën e Fierit. Njëkohësisht po përdorim edhe mundësinë që ofrohet nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit.

Kur parashikoni që fabrika e Yura-s të nisë punën këtu në Shqipëri?

Do të nisim prodhimin fillestar nga janari 2020 sipas parashikimeve që kemi bërë në planin tonë.

A mund të na jepni ndonjë detaj për trajnimin e punonjësve në kompani?

Trajnimet janë një pjesë e rëndësishme e punës sonë dhe rritjes së aftësive të stafit. Ato do të zhvillohen në Serbi dhe ne do të dërgojmë të paktën 26 punonjës në fabrikën e Yura-s në Serbi për të zhvilluar aftësitë për proceset e punës. Po kështu do të vijnë inxhinierët koreanë për trajnime më të gjera në Shqipëri. Këto trajnime do të zhvillohen nga dhjetori 2019 deri në shkurt 2020.

Cili është volumi i prodhimit që keni parashikuar në vitin e parë të operimit në fabrikë?

Pas periudhës së trajnimeve, parashikojmë që të prodhojmë një artikull që njihet si kabllo instalimi elektrike, me një nivel fillestar 11 mijë njësi në muaj.

Cili do të jetë produkti juaj final në fabrikë? Çfarë do të prodhojë Yura saktësisht? 

Ne do të prodhojmë njësi kabllore elektrike për makina të thjeshta pasagjerësh. Do të prodhojmë njësitë kabllore për motorët e KIA dhe Hyundai për vitin e parë 2020.

Si janë lehtësitë fiskale që ofrohen në Shqipëri për këtë lloj industrie krahasuar me vendet e tjera të rajonit?

Kemi përfituar nga lehtësitë që na jep pa qira tokën për 60 vjet, por ama vetëm kaq. Asgjë tjetër. Ne kemi fabrika në pesë vende në Europë por fatkeqësisht incentivat e Shqipërisë janë më të dobëtat.

Ku qëndron Shqipëria në lidhje me aspekte si kostot, klima e biznesit dhe kostoja e krahut të punës në raport me rajonin?

Kostoja e prodhimit është e ulët për shkak të kostos së ulët të punës. Por kostot e tjera janë të larta, përfshirë këtu energjinë, logjistikën apo aspekte të ndryshme. Por ka dhe diçka tjetër, eksporti drejt Bashkimit Europian është më i shkurtër dhe më i lehtë. Ndaj nëse klima e biznesit përmirësohet, industria automotive do të vijë më shumë në Shqipëri.

Pse vijnë vetëm kompani që kryejnë procese të thjeshta pa ndonjë vlerë të madhe të shtuar në Shqipëri? Flasim gjithmonë për industrinë automotive. A është kjo për shkak të incentivave, apo njohurisë së munguar të sektorit?

Prodhuesit kanë nevojë edhe për kushte të tjera, pasi kostoja e ulët e punës nuk është gjithçka. Infrastruktura, furnizuesit lokalë, logjistika dhe stabiliteti politik janë elemente të rëndësishme që ndikojnë në vendimmarrje. Grupe më të mëdha prodhuesish me kapital më intensiv kanë nevojë për kushte të tjera që i bën ata të kenë plane më të qarta biznesi dhe siguri në afatgjatë.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of